Më 30 maj kalendari kujton ahën Zhanën d’Ark, virgjër.
Shën Zhana d’Ark sapo i kishte mbushur trembëdhjetë vjet, u tha prindërve, Zhakut
e Izabelës: “Dëgjoj shpesh zërat e shenjtorëve: zërin e Kryeengjëllit Mikel, të Shën
Katerinës së Aleksandrisë e të Shën Margeritës së Antiokisë; më bëjnë thirrje për
të ecur në rrugën e përshpirtërisë!”. Ndërsa në moshën 18 vjeçe u besoi të fshehtën
e madhe: “Zërat më bëjnë thirrje të çliroj Francën!”. I ati u tërbua e ajo u detyrua
të ikë nga shtëpia, ku nisën ta shikojnë si të çmendur. Por kur parafoli mundjen e
Francës, e paralajmërimi i saj u vërtetua pikë për pikë, fisnikët e zonës e shoqëruan
tek mbreti, që ndodhej në Kinon. Asokohe mbret ishte Karli VII, 26 vjeç, i ligsht,
pa kurrfarë sigurie në vetvete, i torturuar nga mendimi se ishte bir i paligjshëm,
që ia kishte ushqyer vetë e ëma. Ndërkaq veriu i Francës, me gjithë Parisin, ishte
ndër duart e anglezëve e të borgonjonëve; në ushtrinë e Francës mbretëronte plogështia
e shpërdorimi, Orleans-i ishte i rrethuar nga anglezët. E kjo katundare analfabete
i foli mbretit për fitore, ia zbuloi mendimet e fshehta të së tashmes e të së kaluarës,
i paralajmëroi ndëshkime qiellore në se nuk do ta shpëtonte Francën. Atëherë mbreti,
pasi u këshillua me profesorët e gjykatësit, i la dorë të lirë. Dikush e quante
të marrë, dikush shenjte! Ndërkaq Zhana d’Ark kishte në mendje një plan krejt të qartë,
që filloi me riorganizimin e ushtrisë: nënshtroi komandantët, i detyroi trupat t’i
bindeshin, rivendosi disiplinën. Pa bërë asnjë mrekulli tjetër: është kjo mrekullia
e saj. Fliste, qortonte, nxiste. E dinte se Francës së gjunjëzuar, i duhej një fitore
e menjëhershme. Nisi, prandaj, të mendojë për trupat që duhet të çlironin Orleans-in
nga rrethimi. Ushtarët, që rifituan dinjitetin e tyre, iu binden me kënaqësi Zhanës,
ndonëse ajo tregohej tepër e ashpër me ata që blasfemonin. Erdhi, pastaj, veprimi
politik kryesor. Zhana e hoqi pothuajse zhvarë Karlin VII në Reims, ku e kurorëzoi
më 17 korrik 1429. Kështu Franca kishte një mbret të vërtetë e të padiskutueshëm,
para të cilit tani qytetet e shumta armike hapnin portat. Kjo është kthesa politike
dhe ushtarake që çoi drejt fitores: në vitin 1437 Karli VII hyri ngadhënjimtar në
Paris. Po Zhana nuk ishte më. Pasi u plagos para Parisit (shtator 1429) ajo u kap
nga borgonjonët, të cilët ia shitën anglezëve. Ata hapën menjëherë kundër saj një
proces gjyqësor. U paraqit si shtriga e Ruënit para një gjykate të kryesuar nga
Pierr Kushon, ipeshkëv i Bovesë, në të cilën bënin pjesë dyzet anglezë e po aq francezë
anglofilë. Zhana nuk kishte mbrojtës, në një kohë kur edhe pjesëmarrja e gruas në
luftë, veshur si mashkull, konsiderohej krim. Qëndroi e papërkulur para gjykatësve,
ripohoi se “zërat” nuk e kishin gënjyer, kapërceu një çast ligështie, i thirri sërish
“zërat”, dëgjoi pa i luajtur qerpiku dënimin me vdekje: djegie mbi turrën e druve
si shtrigë. E dogjën, sapo i kishte mbushur 19 vjet, në mes të Sheshit të Tregut
në Ruë. Nga flakët, që ia pushtonin trupin, ajo s’ia ndante sytë të Kryqëzuarit, të
cilin rrëfyesi e mbante të ngritur lart para saj. Në vitin 1455 papa Kalisti III urdhëroi
të rishikohej procesi e të rehabilitohej plotësisht Virgjëra e Orleanit. Zhanë d’Ark,
për të cilën janë shkruar mijëra faqe historike e letrare, u shpall e lume nga papa
Piu X në vitin 1910; shenjte - nga Benedikti XV në vitin 1920.