2012-05-29 18:11:04

Thirrjet e Papëve për paqen në botë nga Benedikti XV deri sot


Ja një paraqitje shkurtimisht e angazhimit të Papëve për paqen, nga Papa Benedikti XV deri sot te Papa Benedikti XVI, në një shekull të shënuar nga luftërat.

Aty ku lufta shkatërron jetën e njerëzve e shuan shpresat, Papët u kanë dhënë zë atyre që nuk e patën. Kështu, në 1900.ten shekullin që njohu luftërat më të përgjakshme që ka shënuar historia e njeriut, e në fillim të Mijëvjeçarit të Tretë, që kaq dramatikisht është goditur nga dhuna, Papët qenë e janë dëshmitarë të paqes, promovues të dialogut ndërmjet popujve dhe feve.

Në agimin e shekullit të kaluar, Evropa qe tronditur nga krismat e topave. Në verën e vitit 1914, pikërisht ndërsa armët korrnin viktimat e para, kardinali Giacomo Della Chiesa zgjidhej Papë. Jemi në një moment dramatik për njerëzimin. Benedikti XV i drejton menjëherë ‚Thirrjen apostolike’ të gjithë katolikëve të botës“. „Na mbush shpirtin me tmerr e hidhërim“, shkruan në letrën e tij Ubi Primum, konstatimi se „kaq pjesë të Evropës, të bëra zjarr e hi, përskuqen prej gjakut të të krishterëve“. Lutemi dhe „përbetojmë- vijon Papa – të gjithë ata kanë në dorë fatin e popujve t’i lënë më një anë kundërshtitë në interesin e të mirën e shoqërisë njerëzore“.

Tri vjet më vonë, armët nuk heshtin ende, por Benedikti XV insiston më tej e më 1 gusht të vitit 1917 krerëve të popujve ndërluftues u dërgon Thirrjen (Qortimin), Dés le début, (Mbi debutimin) në të cilën parashtron zgjidhjet për t’i dhënë fund asaj që ai e përcakton si „inutile strage“ – „masakër e kotë“.

Si Papës Della Chiesa, ashtu edhe Papa Pacellit iu desh të ballafaqoheshin me tragjedinë e tmerrshme të një konflikti në shkallë botërore, madje edhe më të përgjakshëm se ai që u mbyll më 1918. Piu XII shfrytëzon mjetin e Radio Vatikanit, themeluar 8 vjet më parë nga Piu XI, për të bërë që thirrja e tij e fuqishme e plot shqetësim të mbërrijë tek të gjithë popujt e botës. Është 24 gushti i vitit 1939:

„Një orë e rëndë bie përsëri për familjen e madhe njerëzore, ora e vendimeve të tmerrshme(…) Rreziku që kanoset, por kemi kohë ende. Asgjë nuk është e humbur me paqen. Gjithçka mund të humbet me luftë“.

Me paqen lidhet ngushtë edhe emri i Papës Gjonit XIII, i cili në Enciklikën e tij ‘Pacem in Terris’ ka vënë gurin themeltar në udhën e bashkëjetesës paqësore ndërmjet popujve. Papa Roncalli për herë të parë, i bën thirrje jo vetëm katolikëve, por „të gjithë njerëzve vullnet mirë“. Që nga faqja e parë e Enciklikës, Papa nënvizon katër shtyllat kryesore të paqes ndërmjet njerëzve, që janë: e vërteta, drejtësia, dashuria e liria. E botuar pak muaj pas krizës së Kubës, që e shtyu njerëzimin deri në greminën e Luftës së Tretë Botërore, ‘Pacem in terris’ kërkon me forcë që „të ndalohen armët bërthamore; të arrihet përfundimisht deri te çarmatimi i plotë përmes kontrollit të fortë e të plotë“. Dhe shton: „ Gati duket e pamundur të mendosh se në epokën atomike lufta mund të përdoret si instrument drejtësie“.

Dy vjet më vonë, më 4 tetor 1965, jehojnë fuqishëm fjalët e Palit VI drejtuar Kombeve të Bashkuara, gati-gati si një himn kushtuar paqes:

„Kurrë më luftë, kurrë më luftë! Paqja duhet të udhëheq fatet e popujve e të mbarë njerëzimit“. Papa Montini, në fjalimin historik në Pallatin e Qelqët të Nju Jorkut para qeveritarëve të kombeve të botës, nënvizoi se për të ndërtuar paqen, në rend të parë nevojitet angazhimi për çarmatim. „Nëse doni të jeni vëllezër – është vrejtja e Palit VI – lëshoni të bien armët prej duarve tuaja“.

Apostull i palodhur i paqes është Papa Gjon Pali II, i cili në tërë papninë e tij të gjatë ka qenë afër popujve që vuanin, për shkak të luftërave. Paqes, Papa polak që personalisht i ka përjetuar tmerret e Luftës së Dytë Botërore, i kushton ditët e lutjes në Assisi. Prekëse e të paharrueshme janë thirrjet për paqen në Tokën e Shenjtë e në Ballkan, Kroaci, Bosnje e Kosovë. E pastaj thirrja për paqen në shumë Vende të Afrikës, të prekura e munduara nga luftërat që janë harruar. Profetik u tregue mesazhi Urbi et Orbi i Krishtlindjes së vitit 1990, në pragun e luftës së parë të Gjirit Persik.

„Për zonën e Gjirit, plotë ankth, presim zgjerimin e kërcënimit të armëve! Të binden përgjegjësit se lufta është aventurë pa kthim! Me arsyetim, me durim e me dialog, e në respektimin e të drejtave të pacenueshme të popujve e të njerëzve, është e mundshme të gjenden e të përshkohen rrugët e mirëkuptimit e të paqes“.

Me parardhësin e tij të dashur, edhe Papa Benedikti XVI, qysh në hapat e parë të Pontifikatit të tij, në dialogun ndërmjet kombeve, e sheh dhe tregon mjetin e angazhimin të domosdoshëm për rivendosjen e paqes. „Në të vërtetën, është paqja“, shkruan Papa Racinger në mesazhin e tij të parë për Ditën Botërore të Paqes, themeluar nga Pali VI. Të parreshtura thirrjet e tija për përfundimin e dhunës në Irak, e duke parë dramën e këtyre ditëve, për paqen në Lindje të Mesme. Gjatë audiencës së përgjithshme të 2 gushtit të kaluar, Papa Benedikti XVI kështu e përmbledhi mendimin e tij mbi luftën çnjerëzore:

„Dëshiroj të përsëris se asgjë nuk mund të arsyetojë derdhjen e gjakut të pafajshëm, pa marrë para sysh se nga cila anë ajo vjen! Me zemër plot trishtim, rinovoj edhe një herë thirrjen time të fuqishme për ndaljen e menjëhershme të të gjitha luftimeve e të çdo lloji dhune!“







All the contents on this site are copyrighted ©.