2012-05-29 18:01:30

Takimi Botëror i Familjeve. Kardinali Skola: prania e Papës do të jetë dhuratë e jashtëzakonshme.


Në Milano, qytet që ka nisur të mbushet me prindër e fëmijë nga të pesë kontinentet e ku, prej ditësh, fotografia vigane e Papës mbulon fasadën e katedrales, sonte jetohet atmosfera e fillimit të Kongresit ndërkombëtar, që nesër do të japë shenjën e hapjes së Takimit Botëror të Familjeve. Janë më se 1500, gazetarët që do t’i ndjekin ngjarjet, posaçërisht në përfundim të takimit, me praninë e Papës, i cili do të jetë në mes të familjeve nga e premtja, deri të dielën e ardhshme. Intervistuam kardinalin Anxhelo Skola, që na flet, së pari, për ndjenjat, me të cilat Kisha ambroziane përgatitet të presë protagonistët e Takimit të madh:

Përgjigje: - Besoj se fjala e duhur, nga ana ime, fjalë që e ndjej në thellësitë e shpirtit, është ‘mirënjohje”. Ky rast, që na e dhuroi Ati i Shenjtë, programuar nga Këshilli Papnor për Familjen, i nxit realitetet tona dioqezane, por edhe mbarë shoqërinë civile, të bëhet më e vetëdijshme për vlerën e pallogaritshme të familjes. Kështu u vu në qendër të vëmendjes së Kishës e të shoqërisë ky realitet i pazëvendësueshëm, ku edukohen njerëz të aftë për të qenë të krishterë të mirë e qytetarë të mirë. E kjo duket qartë edhe në mjetet e komunikimit, që po interesohen për këtë ngjarje, e cila vë në qendër të vëmendjes familjen e qëndrueshme, lidhjen e përhershme të gruas me burrin, të dy të gatshëm për t’ia hapur portën jetës së re. Prej këndej nuk mund të mos jemi mirënjohës, sepse bëhet fjalë për një pasuri, që duhet ruajtur me të gjitha forcat, me vlerë për të sotmen e të ardhmen, e cila nuk duket krejt e lehtë.

Pyetje: - “Punë e festë” - ky është binomi-udhëheqës i takimit tashmë të afërt. Në një çast krize ekonomike si kjo aktuale, në të cilën flitet kryesisht për kohë të reja pune, të flasësh për kohë feste, duket gati-gati si provokim...Cila është, atëherë dëshmia, që duan të japin familjet e krishtera në këto rrethana?

Përgjigje – Duan, mbi të gjitha, të nisen nga një unitet i thellë, me rrënjë plot jetë. Në se reflektojmë mirë, secili nga ne e kalon ditën me punë e prehje. Dashuri, punë, festë: këto janë tre elementet bazë të jetës. Prej tyre rrjedhin, pastaj, format e ndryshme të punës e të prehjes, ndërmjet të cilave, meditimi, lutja, shkëmbimet artistike e forma të tjera. Jeta nuk është vetëm punë: është edhe miqësi, përzemërsi, takim vëllazëror, festë. Në këtë këndvështrim do të flitet për punën e për çlodhjen, që njeriu të mund t’i fitojë energjitë e duhura për t’i përballuar kontradiktat e thella, në të cilat ndeshemi çdo ditë. E këto elemente të domosdoshme për jetën, në familje janë më të pranishme se kudo tjetër. Prej këndej, nuk mund të mos kuptohet sa e rëndësishme është familja. E unë besoj se Takimi i shtatë do të jetë burim shprese e besimi, edhe në një çast kaq të vështirë.

Pyetje: - Në këtë takim të madh do të jenë të pranishëm përfaqësuesit e rreth 80 kombeve. Horizont shumë i hapur, prandaj, për t’i kumtuar botës atë që beson e që ka ndër mend të bëjë familja, atje ku jeton. Si e lexoni këtë ngjarje të madhe, duke e parë lidhur ngusht me “Vitin e Fesë”?

Përgjigje: - Sipas meje, kjo ngjarje mund të jetë parakusht vendimtar, në kuptimin se mund të hapë zemrat për çështjen numër një, që është, ashtu siç shprehet edhe Ati i Shenjtë, çështja e fesë. Kur Papa foli për krizën e Evropës, kujtoi të gjitha kontradiktat me karakter shoqëror e kulturor, që po kalon Evropa, por tha edhe se kjo krizë, në rrënjët e saj, është krizë feje. Sepse feja është vënë në diskutim: ne të krishterët jemi të thirrur t’u japim përgjigje të gjitha pyetjeve të vëllezërve tanë lidhur me përmbajtjen e dhuratës së fesë, që buron nga flijimi i plotë i Jezusit. Përmes Tij, fituam të drejtën ta quajmë Hyjin Atë, fituam aftësinë ta kuptojmë si duhet lidhjen ndërmjet burrit e gruas, fituam dhuratën e pashembullt të Korpit e të Gjakut të Krishtit në Eukaresti. Prej Krishtit vjen Kisha, si bashkësi vëllezërish; prej Tij, shija e punës, e prej Tij, kënaqësia e pushimit, dëshira për t’i ndihmuar nevojtarët. Ai na bën ta kuptojmë të mirën, të bukurën e të vërtetën. Prej këndej familja, që duhet të bëhet gjithnjë më shumë subjekt kishtar, duhet ta rizbulojë fenë, së cilës Ati i Shenjtë i kushton vitin e ardhshëm.

Pyetje: - Pyetja e fundit lidhet pikërisht me takimin, në Milano, e në praninë e Atit të Shenjtë: ç’do të thotë kjo, për familjet, që do të jenë në qytetin tuaj, por edhe në kryedioqezën tuaj?

Përgjigje: - Kjo është dhuratë e jashtëzakonshme! Domethënë që Ati i Shenjtë do të jetë mes nesh për tri ditë me radhë. Është një rast i jashtëzakonshëm për rizgjimin e fesë e të jetës së krishterë, për të cilin kemi vërtet nevojë. Nuk duhet harruar se misioni i Pjetrit është t’i përforcojë vëllezërit në fe. E Papa është gjithnjë brenda jetës së Kishës sonë, ashtu si në jetën e të gjitha kishave të veçanta: nuk është e rastit që, gjatë Meshës, ne lutemi për Papën. Prandaj kjo prani e jashtëzakonshme e Atit të Shenjtë, do të jetë një e mirë e madhe për mbarë Kishën, e jo vetëm për Kishën milaneze.







All the contents on this site are copyrighted ©.