2012-05-29 18:01:17

Pikëllimi i Papës për masakrat në Siri; thirrje e Selisë së Shenjtë për t’i dhënë fund dhunës. Dëshmia e nuncit në Damask.


“Masakra e fundit në Hula, me pasojë vdekjen e qindra njerëzve, ndërmjet të cilëve, 49 fëmijë, e pikëlloi dhe e shqetësoi thellësisht Papën, por edhe bashkësinë katolike e atë ndërkombëtare. Të gjithë e dënuan njëzëri këtë akt tragjik”. Kështu shkruhet në një komunikatë të Sallës vatikanase të Shtypit, botuar dje, përmes së cilës Selia e Shenjtë i nxit të gjitha palët e interesuara, si dhe mbarë bashkësinë ndërkombëtare, të mos kursejnë asnjë përçapje për t’i dhënë fund krizës përmes dialogut e pajtimit. Bëhet thirrje edhe që të marrë fund çdo formë dhune. Ndërsa liderëve dhe besimtarëve të feve të ndryshme u drejtohet ftesa të vihen me të gjitha forcat në shërbim të paqes, për të mirën e mbarë popullsisë.
Ndërkaq nga Siria vjen lajmi se shumë nga viktimat e masakrës së Hulës, u vranë masivisht nga disa milicë, besnikë të Assadit. Sipas zëdhënësit të Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Rupert Colville, ata që mundën të shpëtojnë, dëshmojnë se vetëm rreth 20 nga viktimat e masakrës gjakatare, u vranë nga të shtënat e tankeve, që hapën zjarr mbi njerëzit e tmerruar. Edhe orët e fundit vijoi numërimi i të vdekurve: të paktën 32 në veri të Sirisë. Presidenti francez Hollande, dha njoftimin për dëbimin e ambasadorit sirian në Paris. Që dje, i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan është në Damask, ku sot bisedoi me presidentin Assad.
Për afërsinë e Papës dhe shpresat për qetësimin e gjendjes në Siri, folëm, në telefon me nuncin apostolik, imzot Mario Zenari.
Ta dëgjojmë, nga Damasku:

Përgjigje: - Na ndihmon gjithnjë afërsia e Papës. Është ndihmë t’i dëgjosh mesazhet e tij, ta prekësh dhimbjen e tij, e edhe shpresën e thirrjen për të dalë nga ky rreth skëterror dhune. Thirrjet e Papës, mesazhet e tij, këtu ndiqen me vëmendje të madhe, Sot paradite mora një letër në arabisht. E përktheva menjëherë. Vinte nga besimtarë të thjeshtë myslimanë, të cilët kishin marrë vesh se Ati i Shenjtë, përveç afërsisë, duke parë vuajtjet e popullit sirian, ka dërguar edhe ndihma konkrete, përmes Këshillit Papnor “Cor Unum”. Këtu shenja të tilla ndiqen me vëmendje të madhe, e me të njëjtën vëmendje, edhe mesazhet e Papës. Sigurisht këto mesazhe i inkurajojnë në mënyrë të posaçme kristianët. Janë shenjë ngushëllimi, në një mjedis, ku dëgjohen vetëm lajme të hidhura, të cilat pastaj arrijnë deri tek Papa. Aktet e dhunës janë tejet të dhimbshme për të gjithë e natyrisht, më tepër për ne, që jetojmë këtu e i shikojmë me sytë tanë si shkojnë punët, ditë për ditë. Prej këndej, nuk mund të mos shqetësohesh, e shumë madje, e edhe të frikësohesh, mbasi kur mendon se dhuna ka arritur kulmin, vjen një kulm tjetër, në vend që të mbyllej faqja e fundit e këtij ‘libri’ që këtu shkruhet me gjak.

Pyetje: - Në Damask është ndërmjetësi i OKB-së dhe i Lidhjes Arabe, Kofi Annan, i ngarkuar për të hartuar planin, falë të cilit nisi armëpushimi, që pastaj, për fat të keq, nuk u respektua. A ka shpresa për një ndërmjetësim të ri, të frytshëm?

Përgjigje: - Duhet të vijojë vënia në jetë e planit të Kofi Annan, sepse nuk shikojmë ndonjë rrugëdalje tjetër. Në se në këto tri-katër javë nuk do të ishin këtu gati 300 vëzhgues, kush e di ç’mund të kishte ndodhur. Ndoshta do të kishte pasur edhe më shumë dhunë. Dhunë më tragjike. Prandaj duhet mbështetur plani i Kofi Annan me çdo kusht. Sot Annan u takua me autoritetet, me shoqërinë civile e me liderët fetarë. Duhet vijuar ecja, edhe me hapa të vegjël, për të arritur suksese sado të vogla; e kjo duhet bërë me çdo kusht.

Ndërkaq, përmes një komunikate të zëdhënësit të tij, Ahmad Favzi, Kofi Annan njofton se u takua me presidentin sirian Bashar al-Assad, të cilit i shprehu shqetësimin e thellë të bashkësisë ndërkombëtare për vijimin e dhunës, duke theksuar qartë se duhen bërë hapa të guximshme për ta vënë sa më shpejt në jetë planin e paqes, për t’i dhënë, kështu, fund dhunës e për të arritur në lirimin e kundërshtarëve të regjimit, me të cilët janë mbushur plot burgjet siriane.
Në sa Annan vijon takimet në Damask, ambasadorët e Sirisë dëbohen nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, Spanja, Kanadaja e vende të tjera, në shenjë proteste kundër dhunës së ushtruar nga regjimi i Damaskut në Hula.








All the contents on this site are copyrighted ©.