2012-05-29 18:11:19

Kardinali Turkson: Kisha është ndërtuese e paqes


Sfidat e reja në punën për ndërtimin e paqes në botën katolike. Mbi këtë diskutojnë mase 50 përfaqësues ndërkombëtar të Kishës, mbledhur pranë Këshillit Papnor për Drejtësi e Paqe. Për realizimin e punimeve të këtij simpoziumi, që mbahet në kuadrin e 50-vjetorit të Enciklikës “Pacem in terris” kanë bashkëpunuar “Caritasi Ndërkombëtare” e “Catholic Peacebuilding Network”. Po se cili është impenjimi i Kishës në promovimin e paqes, përgjigjet kardinali Peter Turkson:
“Kisha, për vet natyrën e saj, është “peace-builder” dhe themeluesi i saj qe një “peace builder”; Kisha pastaj, ka posaçërisht shumë instrumente për lehtësimin e ‘ndërtimit të paqes’. Universaliteti i saj, mesazhi i saj, barinjtë e saj, të gjitha këto janë elemente që ndihmojnë në realizimin e kësaj thirrjeje të Kishës si “ndërtuese e paqes”. Unë uroj që gjatë këtij simpoziumi të kemi mundësi t’i gjejmë njerëz që janë të angazhuar në linje të parë të frontit, njerëz që më të vërtetë janë të përshirë në situata të konfliktit e të ndërtimit të paqes, siç është për shembull një ipeshkëv i Ugandës, apo i Nigerisë së Veriut, e shumë të tjerë që kanë ardhur këtu e mund ta ndajnë bashkë me ne përvojën e tyre. Së fundi, besoj se, do të jemi në gjendje t’i përforcojmë e mbështesim ata që rrezikojnë ta humbasin shpresën e në anën tjetër të përforcojmë në ne vullnetin të jemi “ndërtues të paqes”.
Po kujtojmë se Enciklika “Pacem in Terris”, e Papës Gjonit XXIII, është botuar më 11 prill 1963. Ky dokument i rëndësishëm kishtar, prek argumente e çështje që ende sonë janë tejet aktuale e të rëndësishme si për Kishën e po kështu edhe për shoqërinë mbarë njerëzore. E nuk është hera që parë që takime të rëndësishme të Dikastereve të Selisë së Shenjtë i kushtojnë një vëmendje të veçantë këtij dokumenti të madh kishtar, me titullin simbolik: “Paqe mbi Tokë”. Sot, pas 50 vjetësh, në dritën e tij, diskutohet për ndryshimet e krizën e thellë, që ka pësuar bota e për konfliktet në të cilat është zhytur, si dhe për mundësinë e zbatimit të parimeve themelore e të udhëzimeve për rivendosjen e paqes, të përcaktuara nga Papa Gjoni XXIII: e vërteta, drejtësia, liria dhe dashuria e anasjelltë. E kjo ka vlerë si për individët, ashtu edhe për popujt. Natyrisht jemi para disa arritjeve, por edhe para problemeve e konflikteve të reja, posaçërisht ato në rendin shoqëror. Prej këndej nevoja për të reflektuar mbi aktualitetin e Enciklikë dhe vlerën universale të ‘Paqes’ për të gjithë popujt e Vendet.
Enciklika ‘Pacem in Terris’ vijon të jetë, edhe sot e kësaj dite, një nga bazat e Doktrinës shoqërore të Kishës katolik. E vërteta, liria, solidariteti e drejtësia, janë parimet kryesore të dokumentit të Papës Gjonit XXIII, që akoma sot, pas 50 vjetësh, e ndihmojnë njeriun e shoqëritë të orientohen në vorbullën e shenjave të kohës.
Paqja, nëse kuptohet si pasuria më e madhe e përbashkët, mund të realizohet me bashkëpunimin e pjesëmarrjen e të gjithë atyre e duan të mirën e njerëzimin. Pra askush të mos i shmanget detyrës së ndërtimit e të rivendosjes së paqes.







All the contents on this site are copyrighted ©.