2012-05-29 14:40:05

Dom Nikollë Kaçorri, në përvjetorin e vdekjes! Gurë themeli i Pavarësisë së Shqipërisë, i harruar.


Sot më 29 maj kujtojmë përvjetorin e vdekjes së priftit e atdhetar të madh, dom Nikollë Kaçorrit, që qëndron në themelet e Shtetit Shqiptar. Dom Nikollë Kaçorri qe njeriu i flamurit shqiptar, projektuesi i pavarësisë së Shqipërisë, nënkryetari i harruar i Qeverisë së Vlorës më 1912. Sivjet, 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë po kremtohet e po propagandohet, pa gurë themelin e vet, te harruarin dom Nikollë Kaçorrin.
Kush është imzot Nikollë Kaçorri ?
Imzot Nikollë Kaçorri u lind në vitin 1862 në fshatin Kre i Bajrakut të Lurës. Ai rridhte nga një familje, babai i së cilit ishte katolik, ndërsa nëna islame, gjë që tregon për tolerancën fetare tek shqiptarët. Si çdo fëmijë shqiptar edhe mons. Kaçorri u rrit më fisnikërinë, bujarinë, besën dhe trimërinë, që ishin tradita të vyera të malësisë dhe që ndikuan më vonë në përgatitjen atdhetare të tij. Duke parë aftësinë e madhe të Nikollës së vogël Arqipeshkvi i Durrësit imzot Ambrosio pas një vizite që bëri në Lurë e mori me vete për ta përgatitur për meshtar e prijës të popullit.

Në vitin 1884 mbaroi studimet filozofiko – teologjike për meshtar dhe u shugurua po të njëjtin vit në Shkodër. Një kohë shërbeu në Delbnisht, pastaj u emërua famullitar në Durrës. Për veprimtarinë e zellshme dhe të frytshme kishtare dhe njerëzore Papa i asaj kohe e nderoi me “Kryqin e artë”, “Për Kishë dhe Papë”. Po në këtë vit emërohet edhe Ipeshkëv. Ky titull do t’i ndihmonte edhe më tepër në lëmin politik, në luftën për çlirimin e atdheut. Në mes të viteve 1905 – 1907 drejtoi kryengritjen e armatosur kundër turqve në Kurbin.
Në vitin 1908 në Kongresin e Manastririt së bashku me at Gjergj Fishtën dhe Luigj Gurakuqin e shumë atdhetarë të tjerë shqiptarë, i dhanë kahje perëndimore kulturës shqiptare, duke e vendosur alfabetin që kemi tash e 91 vjet. Mori pjesë edhe në Kongresin e Elbasanit i cili synonte të korrigjonte imazhin negativ të kongresit të Dibrës (korrik 1909) të organizuar prej xhonturqve. Veprimtaria atdhetare e priftit mons. Nikollë Kaçorrit, sulltanit iu bë ferrë në sy dhe ai e priste vetëm një shkak sa më të vogël për ta burgosur. Dhe shkaku u gjet, mu në momentin kur ishte përfshirë për një kryengritje të armatosur në gjithë Shqipërinë. Për gjyqin dhe dënimin me disa vjet burg dhe gjobë në të holla i referohemi Revistës “Leka”, e cila boton lajme të gazetës “Dielli”.

“Dielli i dates 8.3.1911 shkruan:”
Me 15 te Dhjetorit u kenduen ne gjykatore te Durresit letrat qe paten ardhur te prishura preji temizit te Stambollit,me 17 vazhdoi gjygji perseri pore pa len shum me fole te ndershmin prift atdhetar,dhe ppa thirr njeri si deshmitar.E denuan perseri me dy vjet burg e 25 lira gjob.Avokati mbrojtes zoti Talib Efendiu nga Gjirokastra kerkoji te zburgosurit e Don Nikoll Kaqorrit,dhe e bani temiz per se dyti por gjygji nuk e liroji”.Dielli nr 89 shkruan”Nga gazetat e huaja mesuam sihariqin se te ndershmit prift katolik nga Durresi z Don Nikoll Kaqorrit ju dha falje preji sulltanit per denimin qe kishte dhen gjykatorja ushtarake,.Pergezojm nga thelbi i zemres te shkelqyerin atdhetar dhe i lutemi zotit ti fale pas keteji shendet dhe prehje per te miren e atdheut.
Ne korrik te vitit 1911 ushtria turke zuni ne Shijak rrogtarin e imzot Nikoll Kaqorrit me tri manxerre e do fishek e letra poste qe po i qonte ne Delbnisht te Arqipeshkvi i Durresit imzot Bianki.Imzot Nikoll Kaqorri ke qite ne gjygjin ushtarak e ke denue me burg e sidomos per shkak te nje letre ku jepte drejtime per nje kryengritje kombetare.
Kjo tregon se imzot Nikollë Kaqorri ishte njeri nder dy tre arkitektet kryesor te bërjes së Shtetit të ri Shqiptar,ku më së miri kjo gjë ilustrohet në memorandumin dërguar Mbretit te Austro Hungarisë Franc Jozefit vetëm dy javë para se te shpallej Pavarësia e Shqipërisë.
Pas gjithë këtyre përpjekjeve kombëtare dalëngadalë përgatitej terreni për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë . Në fillim atdhetarët shqiptarë kishin vendosur që pavarësia të shpallej jo në Vlorë, por pikërisht në Durrës, në qytetin ku imzot Nikollë Kacorri zhvillonte veprimtarinë atdhetare. Por autoritetet turke lajmëruan telegrafikisht komandën e Janinës dhe u përgatit me shpejtësi një njësi ushtarake turko-greke që të mos lejonte në çdo mënyrë suksesin e përpjekjeve të atdhetarëve shqiptarë për të shpallur pavarësinë, dhe me çdo kusht të bëhej likuidimi i tyre. Duke iu falënderuar patriotëve durrsakë delegatët shpëtojnë dhe marrin rrugën e Vlorës. Kështu me 28 nëntor 1912 në orën 14.00 botërisht u shpall pavarësia e Shqipërisë. Kuvendi Kombëtar i Vlorës formoi Qeverinë e parë shqiptare, Qeveri e Përkohshme me këtë përbërje.
Ismail Qemali kryeministër dhe ministër i punëve të jashtme, Imzot Nikollë Kaçorri nënkryetar i Qeverisë, Myfti Bej Libohova ministër i punëve të brendshme, Abdi Bej Toptani ministër i financave, Mehmet Pash Deralla ministër i luftës, Petro Poga ministër i drejtësisë, Luigj Gurakuqi ministër i arsimit, Mithat Frashëri ministër i punëve botërore, Pandeli Cale ministër i bujqësisë dhe Lef Nosi ministër i Post Telegrafeve.
Duke pasur parasysh faktin se Ismail Qemali edhe si ministër i punëve të jashtme pjesën më të madhe të kohës e kalonte jashtë Shqipërisë lirisht mund të thuhet se Imzot Nikollë Kaçorri , luante rolin e kryeministrit në Shqipëri. “Shumë të vështirë e të rrezikshme janë këto ditë për ne shqiptarët e për nanën tonë Shqipëni që të katër shtetet e Ballkanve po dojnë me e përpi e me coptu”. Më këto fjalë imzot Nikollë Kaçorri e fillonte Memorandumin dërguar Mbretit të Austro Hungarisë Franz Jozefit I. Ky memorandum i shkruar dhe përgatitur prej Imzot Nikollë Kaçorrit, dhe mban datën 12 nëntor 1912, gjashtëmbëdhjetë ditë para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë së Shqipërisë. Përveç imzot Nikollë Kaçorrit, nënshkrues të këtij memorandumi janë edhe zotërinjtë, Mustaf Asim Kruja, Rexhep Mitrovica, Fuad Toptani, Abdi Beu, Murat Toptani, Sali Gjuka dhe Bedri Pejani. Në këtë memorandum praqitej e vërteta mbi Shqipërinë dhe i kërkohej ndihmë mbretit të Austro Hungarisë që shteti shqiptar mos të gllabërohet nga sfingsat sllavë, grek e turq. Këtu kërkohej që të njihet shteti shqiptar “në katër vilajetet e Shqypnisë me Kosovë, Manastir, Shkodër e Janinë”. Këtu jepej edhe numri i shqiptarëve që jetonin në vitin 1912, mbi tre milionë frymë, dhe qysh atëherë u kërkua që Shqipëria me katër vilajetet të jetë neutrale siç ishin Zvicra dhe Belgjika.
Pas dështimit të Qeverisë së Ismail Qemalit imzot Nikollë Kaçorri së bashku me Mustafa Krujën, Luigj Gurakuqin, Fahri Gjilanin, Themistokli Germenjin themeloi lidhjen “Për atdheun e për Thronin” për shpëtimin e atdhuet nga trazirat e ndryshme antikombëtare. Pas gjithë kësaj së bashku me shumë atdhetarë të tjerë pa dëshirën e vetë imzot Nikollë Kaçorri emigroi në Austri, ku qëndroi tri vjet në Vjen deri sa vdiq me 29 maj 1917. Po çfarë vdekje pati imzot Nikollë Kaçorri, kësaj pyetjeje nuk mund t’i japim përgjigje të sigurt. Ai vdiq i ri, por vepra që la pas në luftë për mbrojtjen e nderit dhe dinjitetit kombëtar është një udhërrëfyes për brezat e rijnë. Është e vërtet se imzot Nikollë Kaçorri u vra dy herë, njëherë kur vdiq i thyer shpirtërisht për fatin e kombit, dhe të dytën herë kur veprimtarinë patriotike të tij e mbuloi tisi i harresës gati një shekull. Por edhe vrasësit e parë edhe të dytët do të harrohen, ndërsa veprimtaria patriotike e njeriut të flamurit Imzot Nikollë Kaçorrit do të shënohet me shkronja të arta në historinë kombëtare të shqiptarëve.
*******
Imzot Mirdita: dom Nikollë Kaçorri qëndron në themelet e shtetit shqiptar



Në fillim të shkurtit të vitit 2011, eshtrat e priftit e të atdhetarit të madh shqiptar, dom Nikollë Kaçorrit, u kthyen në vendlindje. Me atë rast, në Kishën e shën Luçisë në Durrës, u kremtua Mesha e dritës, udhëhequr nga kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit imzot Rrok Mirdita. Në homelinë e kësaj Meshe përkujtimore, imzot Rrok Mirdita e kujtoi gjigantin e fesë e të kombit shqiptar, imzot Nikollë Kaçorrin, duke nënvizuar kontributin e tij për Fe e Atdhè, si prift dhe si nënkryetar i Qeverisë së Vlorës. Ja homelia e imzot Rrok Mirditës mbajtur me atë rast.

Homelia e imzot Rrok Mirdites............. RealAudioMP3

Mbi lumenjtë e Babilonisë,

Atje rrinim e vajtonim,

E nëpër mend shkonim Sionin.

Atje, shpërngulësit tanë na kërkonin këngë:

“Na këndoni këngët e Sionit!”

Po si mund t’i këndojmë

këngët e Zotit në dhe të huaj?

Të nderuar Zonja dhe zotërinj,

Të dashur vëllezër e motra,

Psalmi 137 përshkruan me nota melankolie të thellë gjendjen e hebrenjve larg tokës së tyre të pushtuar e të shkretuar nga babilonezët para 2500 vjetësh. “Si mund t’i këndojmë këngët e Zotit në dhe të huaj?”, thotë psalmisti. Historia biblike e shpërnguljes së hebrenjve është paradigmë e një populli që kërkon një atdhe ku të jetë i lirë, sepse vetëm në liri mund të këndohen këngët e Zotit.

Sot kemi para nesh mbetjet mortore të një burri të madh të kombit tonë, që gjatë tërë jetës ka kërkuar një atdhe të lirë dhe ka vdekur tokë të huaj. Imzot Nikollë Kaçorri qëndron në themelet e shtetit shqiptar në të gjitha kuptimet e fjalës themel. Së pari, sepse ka pasur bindjen e thellë se shqiptarët nuk mund të prisnin më për t’u çliruar nga sundimi i gjatë osman, dhe kjo bindje e ka shtyrë të angazhohet për të përgatitur mendërisht, kulturalisht dhe politikisht popullin shqiptar për shpalljen e pavarësisë. Së dyti, sepse priti në Durrës delegacionin që ishte nisur nga Trieste për të shpallur “Shqipninë e mos varme” dhe, pasi u vu re se shpallja e pavarësisë në Durrës vihej në rrezik për shkak të pasigurisë së atij qyteti të kërcënuar nga pretendimet serbe dhe greke, bëri të mundur sigurinë e udhëtimit të këtij delegacioni drejt Vlorës. Së treti, sepse në Vlorë jo vetëm se hodhi firmën përkrah Ismail Qemalit dhe ishte ndër pesë personat që valëvitën për herë të parë flamurin e Shqipërisë së pavarur, por u bë edhe zëvendëskryeministri i parë i shtetit të ri shqiptar. Ai qëndron në themelet e shtetit shqiptar jo vetëm sepse është njëri ndër gurët e mëdhenj të këtij themeli, por sepse më shumë se të gjithë protagonistët e tjerë ka mbetur i fshehur dhe i mbuluar me heshtje nga historia shqiptare si gjatë periudhës komuniste, ashtu edhe gjatë këtyre njëzet vjetëve. Themelet janë të padukshme për vetë funksionin e tyre të mbajtjes së godinës që mbështet mbi të, por, nëse njerëzit që banojnë në atë godinë lejojnë të përjashtohen nga themelet gurë të tillë të mëdhenj, rrezikojnë të banojnë në një godinë të lëkundshme. Përballë kthimit në Shqipëri të eshtrave të Imzot Nikollë Kaçorrit, më lind vetvetishëm dhe fuqishëm dëshira dhe urimi që në Shqipëri të fillojë të bëhet me vërtetësi, dashuri dhe korrektesë shkencore hetimi i historisë sonë të hershme dhe të vonë, me motivin e vetëm, që kujtesa historike kombëtare të bëhet një thesar i çmueshëm nga i cili të mund të nxjerrim mësime për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë. Njohja e turbullt e historisë së shkuar, pa llogaritur pastaj shtrembërimin me apo pa dashje të saj, rëndon si një perde e errët në horizontin e shpirtit të kombit, prandaj është detyrë jo vetëm e historianëve, por e çdo shqiptari, të japë ndihmesën e vet për ta shthurur fije për fije këtë perde.

Këtë ndihmesë e kanë dhënë të gjithë ata që janë kujdesur për kthimin në atdhe të eshtrave të Imzot Kaçorrit, prandaj atyre u drejtoj me gëzim dhe kënaqësi mirënjohjen time më të thellë.

Le të kthehemi edhe një herë tek psalmisti i sotëm. “Si t’i këndojmë këngët e Hyjit në tokë të huaj?” Përvoja e tokës së huaj ka qenë përvoja e gati gjithë jetës së Imzot Kaçorrit. Ai lindi në një fshat të Lurës në atë periudhë të historisë kur toka e shqiptarëve ishte si të ishte e huaj, sepse gjendej nën zotërimin e Portës së Lartë të Stambollit. Pas studimeve teologjike bazë në Shkodër, që do ta përgatisnin për meshtari, njohu të tjera toka të huaja, sepse kaloi disa vite studimi në Zvicër, për t’u kthyer në Shqipëri me prerjen mendore të njeriut evropian, për t’iu kushtuar bashkësive katolike të kurbinit dhe të Durrësit. Përkushtimi baritor përfshinte realitetin njerëzor në tërë përmasat e tij, prandaj famullitari i Durrësit jo vetëm që nuk la pas dore lëngatën në të cilën gjendej popullsia shqiptare nën sundimin turk, por u vendos në krye të lëvizjes për pavarësi. Pas shpalljes së pavarësisë, gëzoi vetëm për dy vjet shijen aq të dëshiruar të tokës së vet, sepse barbaria e lëvizjes së Haxhi Qamilit jo vetëm që e rrëzoi qeverinë ku ai ishte zëvendëskryeministër, por i dogji shtëpinë në Durrës, duke kthyer në pluhur e hi njërën ndër bibliotekat më të pasura të Shqipërisë së asaj kohe, që ai kishte mbledhur me pasion. Pas rrëzimit të qeverisë së Ismali Qemalit, largohet nga Shqipëria për në Austri dhe atje vdes pas pesë vjetësh, për t’u lënë në harresë.

Harresa, megjithatë, nuk rëndon mbi të, por mi historinë tonë.

Nëse Psalmisti nuk i këndonte dot këngët e Zotit mbi lumenjtë e Babilonisë, sepse e digjte malli për Jerusalemin, sikurse malli digjte edhe Imzot Kaçorrin për Shqipërinë kur gjendej pranë brigjeve të lumit Danub në Vjenë, famullitari i Durrësit mund t’i këndonte këngët e Zotit edhe në dhe të huaj, sepse kishte bërë gjithçka që kishte qenë e mundur për dheun e vet.

Në Ungjillin e sotëm kemi dëgjuar tregimin e takimit të Jezusit me farisenjtë, që duan të dinë prej tij a duhet t’i paguhet taksa Çezarit apo jo. Para se të japë përgjigjen, Jezusi kërkon një monedhë dhe, duke parë mbi të shëmbëllimin e Çezarit, thotë fjalinë e famshme: “Jepni Çezarit çfarë i takon Çezarit dhe Zotit çfarë i takon Zotit!”.

I gjithë angazhimi politik i Imzot Bumçit nuk ka qenë tjetër, përveçse përpjekje e sinqertë për t’i dhënë Çezarit çfarë i takon Çezarit. Sa herë që mendojmë për politikën, na krijohet ideja se në politikë hyhet për të fituar, ose, edhe më keq, për të përfituar. Fatkeqësisht, historia e shtetit tonë, që, pas pak më shumë se një viti, mbush njëqind vjeç, është e mbushur me shembuj të një politike të ushtruar e të kuptuar si pushtet dhe përfitim. Fatkeqësisht, jo vetëm forcat e Haxhi Qamilit dhe jo vetëm egërsia e diktaturës komuniste, por edhe tranzicioni i stërzgjatur njëzetvjeçar nuk na kanë dhënë një shembull bindës të politikës së kuptuar si shërbim ndaj shoqërisë. Ungjilli që sapo kemi dëgjuar na kujton se në politikë hyhet jo për të marrë, por për të dhënë: “Jepni Çezarit çfarë i takon Çezarit!”

Imzot Kaçorri, i mbrujtur me fjalën e Ungjillit, është angazhuar në politikën e Shqipërisë jo për të marrë, por për të dhënë, dhe me të vërtetë ka dhënë gjithçka, deri edhe famën e emrit të vet. Nga ana tjetër, duhet të angazhohemi ta nxjerrim në pah këtë famë, që të jetë model jo vetëm për politikanët shqiptarë, por edhe për qytetarët që kërkojnë frymëzim për vizionin e tyre politik.

Duke u kthyer tek Ungjilli i sotëm, në gjestin e Jezusit, që kërkon të shohë shëmbëllimin e Çezarit në monedhën e perandorisë, duhet të lexojmë edhe diçka më shumë. Nëse në monedhë gjendet shëmbëllimi i Çezarit, brenda njeriut gjendet shëmbëllimi i Hyjit. Libri i Zanafillës, kur tregon krijimin e njeriut, na bën me dije se Zoti tha: “Ta bëjmë njeriun në shëmbëllimin tonë”. Brenda njeriut, brenda çdo njeriu, Jezusi shikon shëmbëllimin e Hyjit, prandaj ai ka ardhur për t’i kthyer njerëzit tek Hyji.

Këtu gjejmë edhe përmasën tjetër të Zëvëndëskryeministrit të parë të Shqipërisë së pavarur. Ai, imzot Nikollë Kaçorri ishte njeri i Zotit, prandaj, sikurse ka jetuar politikën si mundësinë për t’i dhënë Çezarit çfarë i takon Çezarit, pra si shërbim dhe jo si pushtet, poashtu ka jetuar edhe besimin se thirrjen më të lartë të njeriut për t’iu kushtuar tërësisht Zotit. Madje në këtë thirrje të Zotit, për të realizuar brenda nesh ngjashmërinë me të, qëndron edhe çelësi i thirrjes sonë për t’u angazhuar në jetën sociale dhe politike.

Është pikërisht forca e kësaj thirrjeje që na nxjerr nga përtacia jonë dhe na angazhon për të mirën e të gjithëve, sikurse na porosit shën Pali në leximin e dytë të kësaj liturgjie nga Letra e Dytë drejtuar Selanikasve: “Po ju porosisim, o vëllezër, në emrin e Zotit Jezu Krisht, të largohemi nga çdo vëlla që jeton në përtaci dhe jo sipas traditës që morët prej nesh” (2Sel 3,6). E më tej përsëri: “Po dëgjojmë se disa nga ju jetojnë në përtaci, nuk bëjnë asnjë punë dhe merret me gjëra të kota. Këta i porosisim dhe i lusim në emër të Zotit Jezu Krisht që t’i shtrohen punës për të nxjerrë bukën e gojës” (2Sel 3,11-12). Gjatë tërë jetës së tij Imzot Kaçorri ka punuar pa u lodhur për të mirën e vendit të vet, prandaj sot, fjalët e Apostullit Palë duket sikur na i thotë edhe ai neve, duke na lënë një shembull të mirë të jetës së krishterë: “Ju e dini se si duhet të ndiqni shembullin tonë, sepse ne nuk jetuam në përtaci kur ishim mes jush e as nuk kemi ngrënë falas nga ndonjëri prej jush, por jemi lodhur e munduar duke punuar ditë e natë për të mos iu bërë barrë ndokujt” (2Sel 3,7-8).

Deri më sot historia e Shqipërisë nuk e ka shpërblyer Imzot Kaçorrin për kontributin e pamasë që ai i ka dhënë vendit tonë, por ky fakt nuk na shqetëson ne që jemi mbledhur këtu në emrin e besimit, sepse e dimë se shpërblimi vjen prej Zotit, prandaj lutemi që Zoti të shpërblejë me lavdinë qiellore të gjitha vuajtjet e tij. Amen.

Imzot Rrok Mirdita

Leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të Meshës së dritës për imzot Nikollë Kaçorrin kremtuar në Durrës nga imzot Mirdita janë marr nga 2Sel 3,6-15; Ps 137; Mt 22,15-22.







All the contents on this site are copyrighted ©.