2012-05-29 19:00:28

Botohen normat për gjykimin e dukjeve të supozuara


Dhënia e gjykimit për dukjet e supozuara, të cilave u është atribuar një zanafillë e mbinatyrshme, është detyrë e rëndësishme e Kishës: e pohon këtë Kongregata për Doktrinën e Fesë, e cila këto ditë botoi në kanalin “Normat për vijimin e gjykimit të dukjeve e të zbulesave të supozuara", shpallur që më 1978 nga vetë dikasteri. Përveç tekstit në latinisht, janë përkthyer në pesë gjuhë. Botimin e normave e shoqëron një parathënie e prefektit të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kardinalit Uiljam Levada.
Është aktuale problematika e përvojave, që lidhen me fenomene të mbinatyrshme në jetën e në misionin e Kishës: kështu shkruan kardinali Levada në hyrjen e Normave që kanë të bëjnë me dhënien e gjykimit në rastet e dukjeve e të zbulesave të supozuara. Kjo normativë u hartua më 1978, nën papninë e Palit VI, për t’u përdorur vetëm nga ipeshkvijtë, por më pas, u duk, pa autorizimin përkatës, në disa vepra. Prandaj tani botohet zyrtarisht nga vetë Kongregata.
Kardinali Levada kujton disa fragmente nga “Verbum Domini”, Nxitje Apostolike pas-sinodale, nënshkruar nga Benedikti XVI në vitin 2010, në të cilën Papa nënvizon ndryshimin ndërmjet zbulesës unike publike, domethënë Fjalës së Zotit, që kërkon feja jonë, e zbulesave private, që janë të vërteta e të besueshme vetëm në se orientohen nga Krishti e na kujtojnë Zbulesën e Tij. Një zbulesë private, prandaj, e ndihmon fenë. Miratimi kishtar i saj tregon qartë se nuk i kundërvihet fesë e se mund të pranohet, me kujdes, edhe nga besimtarët. Ajo mund të ndihmojë për ta jetuar e për ta kuptuar më mirë Ungjillin në epokën aktuale, prandaj nuk duhet shpërfillur, por nuk është e detyrueshme të përdoret e, në çdo rast, duhet parë si ushqim i fesë, i shpresës e i dashurisë së krishterë.
Prandaj Kongregata i boton zyrtarisht Normat, përfundon kardinali Levada: që t’i ndihmojë barinjtë e Kishës katolike në detyrën e vështirë të dhënies së gjykimit për dukjet e zbulesat, mesazhet apo fenomenet me zanafillë që thuhet se janë të mbinatyrshme. Urohet që teksti të jetë i dobishëm edhe për teologët e specialistët e sektorit, në një fushë, e cila sot ka nevojë për reflektim gjithnjë më të thellë.
Lidhur me përmbajtjen e vetë Normave, po kujtojmë përmbledhtas se kanë të bëjnë me kriteret mbi bazën e të cilave mund të gjykohet, me një farë probabiliteti, karakteri i dukjeve e i zbulesave të supozuara. Këto kritere ndahen në “pozitive” - për shembull siguria morale ose së paku, mundësia e madhe e ekzistencës së faktit, pas një sërë hetimesh, ekuilibri fizik e psikik i subjektit dhe ndershmëria e jetës; ndërsa kritere negative janë gabimet doktrinore që i atribuohen Zotit, këkimi i fitimit, sëmundjet psikike të subjektit ose aktet imorale të kryera prej tij.Së fundi, përcaktohen kompetencat e ndërhyrjes, duke ripohuar se i përket ipeshkvit të vendit detyra të informohet me shpejtësi e të përpiqet me kujdes për ta sqaruar ngjarjen, ndërsa Konferenca lokale dhe Kongregata për Doktrinën e Fesë do të ndërhyjnë më vonë, me kërkesën e vetë ipeshkvit dioqezan ose të një grupi cilësor besimtarësh, që nuk nxiten nga asnjë arsye e dyshimtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.