2012-05-28 16:27:33

Papa: Shën Gjoni i Avilës dhe Shën Hildegarda e Bingen-it do të jenë Doktorë të Kishës.


Në lutjen e djeshme të Mbretëreshës Qiellore, kremtuar pas Meshës së Rrëshajëve, Papa njoftoi se më 7 tetorin e ardhshëm Shën Gjoni i Avilës dhe Shën Hildegarda e Bingenit do të shpallen Doktorë të Kishës universale. Në përshëndetjet drejtuar besimtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Benedikti XVI u kërkoi të luten për Takimin Botëror të Familjeve, që do të hapet në Milano, të mërkurën e ardhshme.
Dy dëshmitarë të mëdhenj të fesë: kështu i quajti Benedikti XVI Shën Gjonin e Avilës dhe Shën Hildegardën e Bingenit, të cilët më 7 tetorin e ardhshëm do të shpallen Doktorë të Kishës, pikërisht për të shënuar fillimin e Sinodit të Ipeshkvijve kushtuar Ungjillëzimit të ri e hapjen e Vitit të Fesë, shpallur për të përkujtuar 50-vjetorin e Koncilit II të Vatikanit. Gjoni e Hildegarda jetuan në epoka e mjedise të ndryshme kulturore, sqaroi Papa, por shembulli i tyre e mësimi i tyre vijojnë të jenë me vlerë për të gjitha kohët:
Hildegarda ishte murgeshë benediktine në zemrën e Mesjetës gjermane, mësuese e vërtetë teologjie e studiuese e thellë e shkencave natyrore dhe e muzikës.
Gjoni, prift dioqezan në vitet e rilindjes spanjolle, mori pjesë në përtëritjen e mundimshme kulturore e fetare të Kishës e të shoqërisë në agimet e kohëve moderne. Por shenjtëria e jetës dhe thellësia e doktrinës, i bëjnë përjetësisht aktualë : hiri i Shpirtit Shenjt u priu në përvojën e kuptimit të thellë të zbulesës hyjnore e të dialogut të urtë me botën, që përbëjnë horizontin e përhershëm të jetës e të veprimtarisë së Kishës”.
Këta dy Shenjtorë e Doktorë, vijoi Papa, mbeten me vlerë të madhe për çdo kohë e, sidomos, për kohën tonë:
Edhe në ditët tona, përmes mësimit të tyre, Shpirti i Zotit të ngjallur vijon ta bëjë të dëgjohet zërin e tij e të ndriçojë rrugën kah e Vërteta, e vetmja që mund të na bëjë të lirë e t’i japë kuptim të plotë jetës sonë”.
Më pas Ati i Shenjtë u ndalua tek Solemniteti i Rrëshajëve dhe kujtoi fuqinë përtëritëse të Shpirtit Shenjt:
“Shpirti Shenjt, duke vërshuar në histori, fiton mbi ftohtësinë, i hap zemrat për shpresën, nxit e ndihmon pjekurinë shpirtërore në lidhje me Zotin e me të afërmin. Shpirti, që foli përmes Profetëve, me dhuratat e urtisë e të shkencës, vijon t’i frymëzojë burrat e gratë, që impenjohen në kërkim të së vërtetës, duke u hapur rrugë origjinale të dijes e të thellimit të misterit të Hyjit, të njeriut e të botës”.
Pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, drejtuar besimtarëve të shumtë, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, nën një diell të nxehtë veror, Benedikti XVI kujtoi Takimin e madh Botëror të Familjeve, që do të hapet në Milano, më 30 maj ku, ndonjë ditë më pas, do të jetë i pranishëm edhe Papa:
“Të premten e ardhshme, më 1 qershor, do të shkoj në Milano, ku do të kremtohet Takimi VII Botëror i Familjeve. I ftoj të gjithë ta ndjekin këtë ngjarje të madhe e të luten për suksesin e saj”.
Nga përshëndetjet, kujtojmë atë në gjuhën çeke, gjatë së cilës Papa nënvizoi Vitin Jubilar të Shenjtorëve Çirili e Metodi, që u hap këto ditë në Romë;
ndërsa në gjuhën italiane, përshëndetjen drejtuar Policisë së Shtetit, në 160- vjetorin e themelimit e atë, drejtuar të sëmurëve, në Ditën e promovimit të mjekimeve për lehtësimin e dhimbjes:I drejtoj një përshëndetje të përzemërt Shoqatës Italiane, që i kushtohet Sklerozës multiple si dhe Fondacionit “Gigi Ghirotti”, duke i vlerësuar lart për impenjimin e tyre në ndihmë të shumë njerëzve të vuajtur, të cilëve u japin ndihmë e shpresë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.