Më 28 maj kalendari kujton shën Gjermanin, ipeshkëv
Më 28 maj kalendari kishtar përkujton shën Gjermanin, ipeshkëv i Parisit. Shën Gjermani
lindi në vitin 496 pranë qytetit francez Autun. Bir i padëshiruar i një gruaje, që
nuk e deshi kurrë, Gjermani nuk pati fëmijëri të lumtur. Jetoi pa ngrohtësi, si eremit,
derisa ipeshkvi i Autun-it, Agripini, e thirri pranë vetes duke e shuguruar diakon
e më pas meshtar. Fillon kështu misioni i Shenjtit, i cili në Paris fitoi dhuratë
prej mbretit Kilderiku një ndërtesë, të cilën shën Gjermani e shndërroi në një ndër
kuvendet (manastirët) më me famë, Saint-Germain-des-Pres, (Sen Zhermé de Prè) e një
nga qendrat më të rëndësishme të përshpirtërisë benediktine e vend sugjestiv i Parisit
modern. Një mushkëri shpirtërore e Perëndimit. Gjermani mori pjesë në disa nga
ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Kishës në Francë: në Koncilin e Turit në
vitin 567 dhe në Koncilët Kishtare të Parisit. Njihet edhe si autori i dy letrave
me vlerë të veçantë për njohjen e liturgjisë galikane. Sipas traditës, një ditë
shën Gjermani, tashmë ipeshkëv, i dha urdhër njërit nga sekretarët e tij t’i shkruante
mbi kokën e krevatit datën: “28 maj!”. Askush nuk e dinte ç’ kuptim kishte kjo
datë, derisa një vit më pas, pikërisht më 28 maj, ipeshkvi shenjt i mbylli sytë përgjithmonë,
për t’u varrosur në Kapelën e Shën Sinforianit pranë kishës së abacisë, në një varr
të dekoruar, rreth viteve 635, nga Shën Eligji këshilltar i mbretit Dagoberti. Më
pas reliket e tij u mbartën, në prani të Karlit të Madh e të përfaqësuesve më në zë
të klerit, në Kishën e Shën Gjermen-Vieu, që u bë qendër shtegtimesh e vend mrekullish.