Benedikti XVI uron që bashkimi i Rrëshajëve të fitojë mbi Babelin e përçarjeve e të
armiqësive.
“Rrëshajët janë festa e bashkimit, e mirëkuptimit, e unitetit ndërmjet njerëzve. I
kundërvihen Babelit, ku njeriu dëshiron të jetojë pa Zot, duke u bërë gjithnjë më
pak i aftë për të dashur e, prej këndej, gjithnjë më pak njeri: ky, thënë me dy fjalë,
ishte thelbi i homelisë së Papës, gjatë Meshës së djeshme, kryesuar në Bazilikën e
Vatikanit, në të Dielën e Rrëshajëve. Ati i Shenjtë përshkroi qartë si Babelin,
ashtu edhe Rrëshajët. Duke u nisur nga leximet, që propozonte Liturgjia e Solemnitetit,
shpjegoi atë që ka ndodhur e vijon të ndodhë, si dje, edhe sot: “Vërejmë
sot fakte të përditshme, që të krijojnë përshtypjen se njerëzit po bëhen gjithnjë
më agresivë, gjithnjë më nopranë, gjithnjë më pak të gatshëm për ta kuptuar njëri-tjetrin.
Prej këndej, zgjidhet rruga e mbylljes në vetvete, mendohet se është më mirë të shikohen
vetëm interesat vetjake”. Po rijetojmë sot përvojën e Babelit, pohoi Papa.
E posaçërisht atje, ku njerëzit kanë përqendruar në duart e tyre aq shumë pushtet,
sa të mendojnë se mund t’i zënë vendin edhe Zotit. Por ja ç’ndodhi në Babel: “Ndërsa
njerëzit po punonin së bashku për të ndërtuar një kullë, papritmas kuptuan se ndërtonin
njëri kundër tjetrit. Ndërsa përpiqeshin të bëheshin si Zoti, u rrezikuan të mos ishin
më as njerëz, sepse humbën elementin themelor njerëzor: aftësinë për t’u marrë vesh,
për ta kuptuar njeri-tjetrin e për punuar së bashku”. Një rrëfim biblik,
kujtoi Papa, që vlen edhe për sot: njeriu i sundon forcat e natyrës, i manipulon deri
në atë shkallë, sa të priret për të ‘fabrikuar’ deri jetën njerëzore. Në këtë situatë
t’i lutesh Zotit duket diçka krejt e vjetëruar, e panevojshme, me që ne vetë mund
të ndërtojmë gjithçka me duart tona, e mund t’i realizojmë të gjitha dëshirat tona.
Por ja, Babeli shfaqet përsëri në horizontin njerëzor: “Është e vërtetë,
kemi shumëfishuar mundësitë për të kumunikuar, për të pasur informacione, për të transmetuar
lajme, por, a mund të themi edhe se është rritur aftësia për t’u kuptuar, apo ndoshta,
krejt përkundra, kuptohemi gjithnjë më pak? Thua nuk ndjehet fort ndërmjet njerëzve
gjarpërimi i mosbesimit, i dyshimit, i frikës nga njëri-tjetri, deri në atë shkallë,
sa të bëhemi të rrezikshëm për njëri-tjetrin?”. Bashkimi, vijoi Papa, mund
të jetë vetëm dhuratë e Shpirtit të Zotit, që i jep njeriut një zemër të re, një gjuhë
të re, një aftësi të re për të komunikuar. Është flakë dashurie, që të shndërron.
E pikërisht kjo ndodhi me dishepujt për Rrëshajë: “Frika u zhduk, zemra ndjeu
një forcë të re, gjuhët u zgjidhën e nisën të flasin qartë, që të gjithë ta kuptonin
kumtimin e Jezu Krishtit të vdekur e të ngjallur. Për Rrëshajë, atje ku kishte përçarje
e keqkuptim, lindën bashkimi e mirëkuptimi”. Kisha, falë Shpirtit Shenjt,
bëhet vend uniteti e bashkimi në të Vërtetën: të veprosh si i krishterë, shtoi Papa,
nuk do të thotë të mbyllesh në vetvete, por të takohesh me të tjerët, t’i mirëpresësh
e të mirëpritesh, të bëhesh i aftë për të dëgjuar e për të ndarë të mirat e të vështirat
me tjetrin. Kisha nuk është ‘unë’, është ‘ne’. Pikërisht kjo ‘ne’ e Kishës na bën
të aftë të dalim përvujtërisht nga vetvetja. E kështu bëhet më e qartë pse Babeli
është Babel e Rrëshajët janë Rrëshajë: “Atje ku njerëzit duan të bëhen
Zot, nuk mund të mos i kundërvihen njëri –tjetrit. Ndërsa ku është e vërteta e Zotit,
zemrat hapen, Shpirti i Zotit i pushton, i ndihmon, i bashkon”. Megjithatë,
siç na e kujton edhe Shën Pali, shpirti i njeriut karakterizohet nga konflikti, nga
ndeshja e vazhdueshme ndërmjet shtysave, që vijnë nga mishi e gjaku e atyre, që vijnë
nga Shpirti. E ne, vërejti Papa, duhet të zgjedhim ndërmjet dy rrugëve. Zgjedhje pa
asnjë kompromis. Shën Pali na i kujton qartë ‘veprat e mishit e të gjakut’: janë
mëkati i egoizmit e i dhunës, i kurvërisë, i flligështisë, i lirisë pa fre,idhujtarisë,
shortive, armiqësive, grindjeve, zilisë, mosmarrëveshjeve, ndasive, tarafeve,sëmirës, dehjes, grykësisë e vese të tjera kësisoji (Gal 5, 19-21): të
gjitha vepra që i bien ndesh fesë e dashurisë së krishterë. Është drejtim që të çon
në humbjen e jetës: “Shpirti Shenjt na prin kah lartësitë e Zotit, duke
na ndihmuar ta jetojmë që mbi këtë tokë mugullimin e jetës hyjnore, që e kemi në shpirt.
Shpirti Shenjt, na kujton Shën Pali, e ushqen jetën e krishterë, duke frymëzuar dashurinë,
gëzimin, paqen, duresën, bujarinë, dashamirësinë, mirëbesimin, besnikërinë, ëmbëlsimin,
përkurmërinë” (Gal 5, 22); e këto janë frytet e Shpirtit që lulëzojnë
në fe”. Prej këndej, ftesa e Papës, në përfundim të homelisë, për të kaluar
nga shkapërderdhja e Babelit, në unitetin e Rrëshajëve: “Të dashur
miq, duhet të jetojmë sipas Shpirtit të unitetit e të vërtetësisë, e për këtë, duhet
të lutemi që Shpirti i Zotit të na ndriçojë e të na prijë, që të fitojmë mbi joshjet,
të cilat na shtyjnë të ndjekim të vërteta e tona, e të pranojmë të Vërtetën e Krishtit,
të transmetuar në Kishë”.