2012-05-28 16:57:25

Benedikti XVI kremtoi 35 vjetorin e shugurimit ipeshkvnor


Sot Papa Benedikti XVI kremtoi 35-vjetorin e shugurimit të tij ipeshkvnor. E pati përjetuar këtë ngjarje të madhe më 28 maj 1977, në Katedralen e Munihut, kur Papa Pali VI e thirri t’i printe kryedioqezës së Munih-Frizingës. U bë, kështu, kryeipeshkëv, e sot e përkujtoi përvjetorin e kësaj ngjarjeje, pak kohë pas dy kremtimeve të tjera të mëdha: atij të 85-vjetorit të ditëlindjes e të shtatëvjetorit të papnisë, me rastin e të cilave, mijëra njerëz i shprehën Atit të Shenjtë afërsinë dhe admirimin e tyre të thellë.
E Papa e ka ndjerë shumë këtë përzemërsi të besimtarëve, të cilët kohët e fundit, kohë gëzimi, por edhe vuajtjeje, po shtrëngohen edhe më shumë rreth Tij. I ka ndjerë edhe lutjet e shumë njerëzve të thjeshtë e u kërkon t’i lypin Zotit hirin që, me ndihmën e Shpirtit Shenjt, të vijojë me të njëjtin zell, shërbimin e tij ndaj Krishtit e Kishës:
“Që nga çasti i parë i zgjedhjes si Pasardhës i Shën Pjetrit, e ndjeva gjithnjë pranë ndihmën, që më vinte nga lutja e Kishës, nga lutja juaj, posaçërisht në çastet më të vështira. Ju falënderoj me gjithë zemër. Përmes lutjes së përhershme e besimplote, Zoti na liron nga zinxhirët, na prin për të dalë nga të gjitha netët e robërisë, që mund ta torturojnë zemrën tonë, na jep qetësinë e shpirtit për t’i përballuar vështirësitë e jetës, edhe atëherë kur na mohojnë, na kundërshtojnë, na persekutojnë”(Audienca e përgjithme e 9 majit 2012).
Benedikti XVI vëren, me dhimbje, se Shejtanit i është lejuar t’i shoshitë dishepujt në sytë e mbarë botës. Por pa harruar të theksojë se shtëpia e ndërtuar mbi shkëmb nuk lëkundet edhe kur fryn e shfryn stuhia. E i fton të gjithë besimtarët të ecin në gjurmët e bashkësisë së parë të krishterë:
Përballë rreziqeve, vështirësive, kërcënimeve, bashkësia e parë e krishterë nuk thellohet në analiza për mënyrën si duhet të sillet, nuk kërkon strategji, nuk pyet si mund të mbrohet, ç’masa duhet të marrë, por, përpara provës, gjunjëzohet në lutje, lidhet drejtpërdrejt me Zotin. E si është kjo lutje? Është e njëzëshme, e harmonishme, e dalë nga një bashkësi, që ka një zemër të vetme e një shpirt të vetëm, përballë një situate persekutimi, për shkak të Jezusit”(Audienca e përgjithme e 18 prillit 2012).
Flet për Jezusin që, në Gjetsman, shikon si e sulmon dallga e ndyrë e gjithë gënjeshtrës dhe e gjithë poshtërsisë, kelk tejet i vrerosur, që duhet ta pijë. Por, në dritën e Rrëshajëve, fiton mbi Babelin e përçarjeve:
“Po përshkoj pjesën e fundit të rrugës së jetës e nuk e di ç’më pret. Por e di mirë se drita e Zotit është, se Zoti u ngjall, se shkëlqimi i tij është më i fuqishëm se çdo terrinë e se mirësia e Zotit është më e fortë se çdo e keqe e kësaj bote. E kjo më ndihmon të ec me çap të sigurtë. Kjo na ndihmon të gjithëve të ecim përpara e, në këtë orë, i falënderoj nga zemra të gjithë ata, që më ndihmojnë vazhdimisht ta perceptoj praninë e Zotit, përmes fesë së tyre”.







All the contents on this site are copyrighted ©.