2012-05-27 13:36:04

U paraqit Takimi i Familjeve në Milano: martesa dhe lindja e fëmijëve i bën njerëzit të lumtur dhe e përmirëson shoqërinë


Familja është pasuri e madhe për shoqërinë dhe vend ku arrihet lumturia e anëtarëve, shumë më tepër se në llojet e tjera të bashkëjetesës. Kështu u pohua në Sallën e Shtypit të Vatikanit, gjatë paraqitjes së Takimit Botëror të Familjeve, që do të mbahet në Milano, nga 30 maji deri më 3 qershor. Ngjarja, ku do të shkojë edhe Papa Benedikti XVI, u përshkrua nga kreu i dikasterit vatikanas për Familjen, kardinali Enio Antoneli dhe nga kryeipeshkvi i Milanos, Anxhelo Skola.
Tri vjet punë për të pohuar publikisht se familja e qëndrueshme me dy, ose më shumë fëmijë, është më e lumtur dhe më e gatshme të japë kontributin e vet në shoqëri. Një studim me titull “Familja, pasuri e shoqërisë” paraqet qartë këto rezultate, ku ka arritur puna kërkimore e Këshillit Papnor për Familjen, siç nënvizoi kardinali Antoneli:
“Kemi të bëjmë me një punë kërkimore mbi statistika ekzistuese dhe me një punë të re kërkimore për kontributin pozitiv e negativ të llojeve të ndryshme të familjeve e të bashkëjetesave në shoqëri. Del se sidomos familjet e qëndrueshme, me dy ose më shumë fëmijë, janë më të lumturat – e bukur, kjo! – e japin një kontribut më të madh në shoqëri”.
Sociologu Pierpaolo Donati i Universitetit të Bolonjës e shpjegoi më mirë studimin, bërë mbi një kampion të popullsisë italiane, me moshë nga 30 deri në 55 vjeç, ndarë në një seksion më ndërkombëtar e në një tjetër, që i referohet situatës italiane. Studimi, nënvizoi ai, hedh krejtësisht poshtë idenë e përhapur se në kohën e sotme familjet tradicionale po zhduken e se jashtë saj, individët qenkëshin më të lumtur:
“Sfida më e madhe ishte të tregojmë se kjo lloj familjeje, pra, familja normale është institucion i së ardhmes e jo i së kaluarës: pra, bëhet gjithnjë e më vendimtare për cilësinë e jetës së personave, të individëve e të shoqërisë… Kushtet e jetesës së njerëzve keqësohen, sa më shumë të largohemi nga kjo familje, pra, kur zvogëlohet numri i fëmijëve në më pak se dy, ose kur kemi persona, që jetojnë vetëm”.
Problemi është se këto fakte nuk gjejnë mbështetje në politikën aktuale e në tregun ekonomik, siç nënvizoi prof. Donati:
“Cila është pra, vlera shoqërore e qëndrueshmërisë së martesës, e marrëdhënieve të çiftit? Si llogaritet kostoja, që duhet të paguajnë fëmijët dhe shoqëria për ndarjen e bashkëshortëve? Cila është vlera shoqërore e vëllezërve dhe motrave? Cila është vlera shoqërore e gjyshërve? Cila është vlera shoqërore e ekzistencës së të dy prindërve, në vend të njërit? Studimi tregon se martesa përbën një vlerë shtesë për njerëzit dhe për shoqërinë”.
Para mbërritjes së Benediktit XVI në Milano, më 1 qershor, mijëra familje, nga çdo anë e botës, do të takohen për tre ditë, për të reflektuar mbi familjen, punën e pushimin, apo festën. Ja si i paraqiti kardinali Skola:
“Përmes punës, duke e zgjeruar rrethin e marrëdhënieve familjare, krijojmë marrëdhënie shoqërore, që në qytetërimin aktual, priren drejt mbarë botës… Festa është kulmi i pushimit, sepse gjatë saj dalin në dritë dy përmasa themelore të pushimit, qëndrimi së bashku dhe marrëdhëniet pa interes. Kështu, festa kthehet në burim gëzimi: njeriu pajtohet me vetveten, me të tjerët e me Zotin”.
Vlerësohet se në Meshën e kremtuar nga Papa më 3 qershor, do të jenë të pranishëm mëse 1 milion besimtarë, ndërsa në Festën e dëshmive, një ditë më parë, do të marrin pjesë rreth 300 mijë familje. Famullitë e Milanos e të rrethinave kanë mbledhur 50 mijë euro për të pritur familjet, që vijnë nga jashtë Italisë e, kanë vënë në dispozicion 34 mijë vende për të fjetur e rreth 5 mijë vullnetarë. Deri tani, janë akredituar mëse njëmijë gazetarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.