2012-05-27 13:34:07

Shenjtorët e javës


Sot e diele 27 maj,Kisha katolike kremton solemnitetin e Rrëshajëve. Siç dihet, festa e Rrëshajëve, ardhja e Shpirtit Shenjt mbi Apostujt, shënon ditëlindjen e Kishës dhe ditëlindjen e gjallërimit tonë si besimtarë e dëshmitarë të Krishtit të Gjallë, Shpëtimtarit të njerëzimit. Gjithnjë më 27 maj kalendari kujton edhe shën Agostinin, kryeipeshkëv i Kanterbërit.

Të hënën më 28 maj, bie kujtimi i shën Gjermanit, ipeshkëv i Parisit dhe e shën Vilit. Rifillon koha e zakonshme e vitit kishtar, përmes së cilës Jezusi na kërkon t’i pastrojmë zemrat, për të zhdukur prej tyre çdo gjë që na pengon në ecjen drejt Tij. Duke u çliruar nga barrët e panevojshme, mund t’i lartojmë më lehtësisht sytë drejt qiellit e ta ndjejmë veten shumë më të lirë.

Të martën më 29 maj, bie kujtimi i shën Ursula Ledohovskajas, themeluese e Orsolineve të Krishtit në agoni, që na kujton se ndjekja e Zotit përjashton çdo kompromis. Në se pranon ta ndjekësh Krishtin, duhet të heqësh dorë nga gjithçka tjetër. E atëherë do të vërejmë me gëzim se që në këtë jetë realiteti ynë nis të ndryshojë e zemra nis të na rrahë me ritmin e Zemrës së Zotit. Liturgjia na fton të lutemi: “Na e mëso, o Zot, rrugën e jetës”.

Të mërkurën më 30 maj bie kujtimi i shën Ferdinandit, mbret i Kastiljes e shën Zhanës d’Ark, virgjër. Jezusi kumton Pashkët e tij, por dishepujt duket se nuk kujtohen fare për këtë: arsyetojnë me logjikën njerëzore të pushtetit. E edhe ne si ata. E mos të harrojmë se logjika e Kryqit të Krishtit mund të fitohet vetëm me shpirtin e shërbimit.

Të enjten më 21 maj kalendari kujton Pasinë e së Lumes Mari Virgjër te Shën Elizabeta, nga e cila lind ‘Magnificat’ ‘ Madhërimi’, kënga e cila madhëron Hyjin e Gjithëpushtetshëm për punët e mëdha që kryen në jetën e bijve të vet, që jemi ne njerëzit.

Të premten më 1 qershor, bie kujtimi i shën Justinit, filozof e martir. Liturgjia na kujton se Zoti e do popullin e vet, se i prin drejt së vërtetës, drejt takimit me Hyjin Atë. Zoti zgjedh në histori figura të veçanta për t’i dhënë mesazhe të fuqishme popullit të vet.

Të shtunën që vjen më 2 qershor, bie kujtimi i shën Marçelinit meshtar, shën Pjetrit ekzorcist e martir dhe i shën Eugjenit, papë. Liturgjia na kujton se edhe sot, si në kohët e largëta, ftohemi të hapim mendjen e zemrën, për t’i bërë vend Fjalës Hyjnore që shëlbon.

Të dielën e ardhshme më 3 qershor, Kisha katolike do të kremtojë solemnitetin e Trinisë Shenjte. Gjithnjë më 3 qershor kalendari kujton edhe shën Karl Lvanga me shokë, martirë të Ugandës dhe shën Klotilda, mbretëreshë e frakëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.