2012-05-27 13:35:46

Atë Lombardi: “Nga Kulla e Babelit tek Rrëshajët”


Kemi nevojë për një Kishë “militante”, u tha Papa kardinajve të hënën e kaluar. Kemi nevojë për meshtarë, që sidomos në Perëndim, t’i udhëheqin njerëzit drejt rizbulimit të të vërtetave të fesë, t’i çojnë në udhën e drejtë, ashtu si e kanë përshkruar Etërit e Kishës. Është një betejë jo e lehtë e ndokush mund të humbë rrugës, i joshur nga e keqja, siç komenton në editorialin e kësaj jave, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi:
“Në fjalimin e shkurtër, që u drejtoi të hënën kardinajve të Romës, Papa foli për luftën e Kishës në rrugën e saj në kohë. Kishë “militante” – siç thuhej dikur – pra, që lufton për të mirën kundër së keqes, një e keqe, nganjëherë krejtësisht e hapur, prepotente dhe e dhunshme, e nganjëherë e mefshtë, e hollë, e maskuar nën veshjen e së mirës. Duke cituar Shën Augustinin, Papa përshkroi përmasën shpirtërore të luftës si alternativë ndërmjet dy dashurive: atë për vetveten, që çon në harrimin e Zotit dhe, atë të Hyjit, që çon në harrimin e vetvetes.
Shën Injaci i Lojolës, në një nga çastet vendimtare të udhës së “Ushtrimeve shpirtërore”, me figura të ndryshme, na thotë të njëjtën gjë: duhet të zgjedhim flamurin, nën të cilin të shërbejmë, nën atë të djallit, apo nën atë të Jezusit. Nën të parin hyjmë duke kërkuar pasuri, nderime që s’na takojnë, krenarinë e kotë e të gjitha veset e tjera; nën flamurin e Jezusit hyjmë duke dashur varfërinë – shpirtërore e materiale – duke pranuar edhe poshtërimet, duke qenë të përvuajtur e duke kërkuar të gjitha virtytet e tjera. E qartë, apo jo? Aktuale, apo s’është kështu?
Shën Injaci thotë se në drejtimin e parë na tërheqin shpirtra të rrejshëm, që premtojnë lumturi, por në të vërtetë, hedhin rrjeta e pengesa në udhën tonë e na kthejnë në skllevër; në drejtimin e dytë – në atë të mirin – na ftojnë “shërbëtorët e miqtë” e Jezusit, mjeshtra të përshpirtërisë e të Ungjillit. Edhe Papa foli për “miqtë e mirë”, që na shoqërojnë e na ndihmojnë të jemi me Zotin gjatë luftës. T’i lutemi gjithmonë Hyjit për dhuratën e Shpirtit, që na mëson të ndajmë të mirën nga e keqja, të Shpirtit të ngushëllimit e të përforcimit në fe, edhe në “netët e errta” të kohëve tona, në mënyrë që nga konfuzioni i Kullës së Babelit, i cili e kërcënon gjithnjë shoqërinë e Kishën, të mund të kalojmë vazhdimisht në dialogun dhe në bashkimin e Rrëshajve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.