2012-05-25 17:33:41

Në një libër, “çelësi” për të hapur dyert e Koncilit II të Vatikanit, sipas Papës


Koncili II i Vatikanit, 50-vjetorin e hapjes së të cilit do ta kremtojmë më 11 tetor, është një ngjarje e rëndësishme për Kishën Katolike, sidomos për ndryshimet që solli brenda saj. Megjithatë, siç ka vënë në dukje shpesh Benedikti XVI, interpretimi i tij mund të shkaktojë konfuzion, duke cënuar vazhdimësinë e veprimtarisë së Kishës para dhe pas Koncilit, në të cilën ngul këmbë Papa. Këto ditë, në Radio Vatikan, u paraqit një libër, që hedh dritë mbi këtë argument. Titullohet “Çelësi i Benediktit XVI për interpretimin e Koncilit II të Vatikanit” dhe është shkruar nga kardinali Valter Brandmyler, historian, nga imzot Agostino Marketo, kryeipeshkëv, dhe nga imzot Nikola Buks, teolog.
Në vetë Kishën Katolike ekzistojnë grupe tradicionalistësh, të cilët refuzojnë ta kremtojnë meshën siç kremtohet sot dhe parapëlqejnë meshën tridentine, para Koncilit II të Vatikanit, që kremtohej në latinisht, me fytyrë të kthyer nga elteri. Ka të tjerë, që mendojnë se e ashtuquajtura “fryma e Koncilit” ka shërbyer vetëm si pretekst për reforma, që në të vërtetë, nuk janë të shkruara në dokumentet konciliare. Papa Benedikti XVI ka filluar një punë të jashtëzakonshme për të vënë në dukje se Kisha Katolike, e dalë nga Koncili II i Vatikanit është vazhdimësi e asaj para Koncilit e jo diçka tjetër, e ndryshme nga e mëparshmja. Në librin e paraqitur këto ditë, vihen në dukje pikërisht këto këndvështrime, që përbëjnë çelësat e interpretimit të Benediktit XVI për ngjarjen e madhe të vitit 1962. Por cilat janë këto çelësa? Të dëgjojmë imzot Agostino Marketon:
“Çelësi” i parë është farkëtuar që para se kardinali Racinger të bëhej papë: jemi në vijën e interpretimit, sipas së cilës reformat e Koncilit sigurojnë vazhdimësinë e Kishës Katolike. Pastaj, në fjalimin para Kuries Romake, më 22 dhjetor 2005, Papa shton se interpretimi tjetër, që e sheh Koncilin si vijë demarkacioni, ka sjellë vetëm konfuzion dhe vështirësi. Tani, në kuadrin e Vitit të Fesë, Ati i Shenjtë shton edhe një çelës tjetër: pikërisht, fenë. Duhet të kemi parasysh se nuk mund të kuptohet Kisha, nëse nuk shihet me sytë e fesë, nëse nuk pranojmë praninë e Shpirtit Shenjt, sidomos në raste si një Koncil Ekumenik. Në librin tonë, ne përpiqemi të vemë në dukje se ky interpretim i Benediktit XVI ka baza shkencore.
Cili nga interpretimet e Koncilit mbizotërojnë në Kishë, sot: ai i reformës në vazhdimësi, apo ai i shkëputjes nga e kaluara?
Fatkeqësisht, më duhet të them se mbizotëron ai i shkëputjes. Madje, jemi të vetëdijshëm se jo vetëm fraksioni ekstrem i Koncilit, që e konsideron atë herezi, por edhe lëvizjet tradicionaliste, që përpiqen të ruajnë traditën para Koncilit, thonë të njëjtën gjë. Edhe ata mendojnë se kjo ngjarje e Kishës shënon një ndarje të qartë me të kaluarën. Pra, kemi shumë punë për të bërë.








All the contents on this site are copyrighted ©.