Sot me 25 maj Kisha katolike kremton Shën Bedën që njihet me atributin “Venerabile”
- “i Nderuar” - meshtar murg e dijetar i Kishës. Murgu i shenjtë e mësuesi i madh
i Mesjetës, Beda lindi në Monkton të Jarrow - në Angli rreth vitit 672-673, vdiq në
Jarrow, më 25 maj të vitit 735. Është pajtor i studiuesve. Pak gjëra dihen për
Bedën: nuk dihet kush ishin prindërit e tij e as data e saktë kur lindi. Dihet vetëm
se ishte shtatë vjeç, kur iu besua Benediktinëve në kuvendin e Shën Pjetrit në Wearmouth,
ku filloi mësimet e para, të cilat më pas i vijoi në kuvendin e Shën Palit në Jarrow,
në kontenë e Durhamit, që të dyja qendra murgare, themeluar nga Shën Benedikti ipeshkëv,
i pari që nisi të kujdesej për vogëlushin, që shpejt shprehu dëshirën të ndiqte rrugën
e jetës rregulltare benediktine. Dihet se kur u shugurua për meshtar, ishte tridhjetë
vjeç. Pastaj jeta e Bedës zhytet në përsëri në heshtje. Ai nuk u bë as ipeshkëv e
as abat: tërë jetën mësoi e dha mësim. Çlodhej vetëm kur lutej ose kur këndonte në
korin e Kishës. Studioi Biblën e dha mësimin e Shkrimit të Shenjtë, Biblën, duke
shfrytëzuar gjithë diturinë e Etërve të Kishës. Arriti të shpikë një metodë personale
didaktike ndërdisiplinore, që e shpjegon Biblën duke y mbështetur edhe tek autorët
e lashtësisë pagane, gjë që e realizoi përmes njohjes së thellë të greqishtes së lashtë
si edhe të arritjeve shkencore të kohës. Kujtojmë këtu komentet e tij mbi libra të
ndryshëm të Biblës dhe librin e uratëve “Libellus precum”. Shkruante vazhdimisht
e veprat e tij nisën të përhapën në të gjitha kuvendet apo manastiret murgare e Evropës,
që ishin qendra kryesore të kulturës. Beda shkruante mbi argumente thella, të vështira
e të rëndomta. Mjafton të kujtojmë libërthin “De ortografia”, ose “Liber de loquela
per gestum digitorum”, i famshëm gjatë tërë Mesjetës, sepse mësonte për t’i bërë llogaritë
me gishta. Beda iu kushtua studimeve astronomike për përcaktimin e datës së kremtimit
të Pashkëve, duke arritur deri në vitin 1063. Murgjërve anglezë - murgu benediktin
u dhuroi historinë e Kishës në Angli “Historia Ecclesiastica Gentis Anglorum”, ku
ka një mori njoftimesh edhe nga jeta civile, qytetare, të cilat jo vetëm tregohen
por edhe i nënshtrohen vështrimit kritik. Beda meritoi që më të gjallë titullin
“i Nderuar”. E me këtë titull do të kujtohej përgjithmonë, edhe pasi më 1899 Papa
Leoni XIII e shpalli shenjt e dijetar të Kishës duke quajtur “lumen” jo vetëm i Kishës
në Angli por edhe i Kishës universale. Mbeti një nga komunikatorët më të mëdhenj të
diturisë në Mesjetën e vonë. Dymbëdhjetë shekuj pas vdekjes, Koncili i Vatikanit
II do ta shfrytëzonte mendimin e tij. Beda citohet në Kushtetutën dogmatike “Lumen
Gentium” mbi Kishën dhe në dekretin “Ad Gentes” , mbi veprimtarinë misionare. Shenjti
i madh dijetar vdiq në Jarrow, ku pat dhënë mësim për një kohë të gjatë, e tay edhe
u varros. Por më vonë mbreti Eduardi Rrëfyes (1002-1066) e barti trupin e Shën Bedës
në Katedralen e Durhamit. Nga audienca e Papës Benediktit XVI kushtuar teologut
të lashtë, shën Bedës më 18 shkurt 2009
Papa flet në audiencë për Shën
Bedën, teolog i lashtë, e lutet që Evropa të rizbulojë rrënjët e krishtera për të
qenë "më njerëzore". Të kujdesesh në mënyrë të pareshtur për formimin fetar
“për të mishëruar në jetë” atë që kremton në liturgji. Ky është një prej mësimeve
për të krishterët bashkëkohorë, që Benedikti XVI nxori nga shkrimet e figurës së njohur
erudite të Mesjetës së Lartë, Beda i Nderuar, të cilin e paraqiti në katekizmin e
audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite në Vatikan para afër 20 mijë besimtarëve
e shtegtarëve të ardhur prej vendeve të ndryshme të botës. Beda i Nderuar, kontribuoi
“në ndërtimin e një Evrope të krishterë”, tha Papa, duke uruar që Kontinenti i Vjetër
të rizbulohet si i tillë duke u nisur nga rrënjët e veta të lashta. Teolog, biblist,
liturgjist, historian i Kishës, Beda i Nderuar është figurë poliedrike e mendjemprehtë
e kohës së vet – asaj të mesjetës – kur studiuesi ushtronte në të njëjtën kohë e me
mjeshtëri disa disiplina (shkenca). Por Beda është edhe një mjeshtër i jetës së krishterë
e jashtëzakonisht aktual ende sot. Ai që nga viti 1300 bëri thirrje që vlerat e Ungjillit
të përshkojnë institucionet dhe jetën shoqërore. Prej tij – që jetoi në verilindje
të Anglisë ndërmjet dekadave të fundit të shekullit të shtatë e në fillim të shekullit
tetë – kemi marrë mësime, të cilat tha Benediktit XVI, janë kurdoherë e plotësisht
të përshtatshme për “ nivele të ndryshme të jetës” së krishterë. E në mënyrë të veçantë,
Papa nënvizoi: “Studiuesve ai u përkujton dy detyra thelbësore: të vështrojnë
mrekullitë e Fjalës së Zotit për t’i paraqitur ato në formë tërheqëse për besimtarët;
t’i paraqesin të vërtetat dogmatike të fesë duke iu shmangur ndërlikimeve heretike
e duke iu përmbajtur “thjeshtësisë katolike”, me atë qëndrim që karakterizon të vegjëlit
e të përvujtët, të cilëve Zotit i pëlqen t’u dëftojë misteret e Mbretërisë Hyjnore”. Ndërsa
atyre që kanë përgjegjësi baritore në Kishë, Beda i Nderuar u sugjeron ta shoqërojnë
predikimin me shprehje e doke të përshpirtshme popullore –ikona, procesione, shtegtime
– dhe të privilegjojnë përdorimin e “gjuhës së popullit”. Rregulltarëve e rregulltareve
u drejton thirrjen të kujdesen për jetën asketike e kundruese, por edhe për veprimtarinë
apostolike. Tharmi ungjillor, për Bedën e Nderuar duhet të mishërohet në një imazh,
atë të një “Kishe të zellshme e të shkathët”, “ të zeshkur – shkruan ai – prej lodhjes
së ungjillëzimit”. Një Kishë, vijoi Papa Benedikti XVI : “Që synon të hap fusha
tjera apo vreshta e të vendos ndër popullsi të reja ‘jo një kasolle të përkohshme,
por një banesë të qëndrueshme’, çka do të thotë që Ungjilli të futet në indin shoqëror
e në institucionet kulturore. Në këtë perspektivë Doktori i shenjtë i fton e këshillon
besimtarët laikë të jenë të zellshëm në arsimimin fetar (...) I mëson ata si duhet
të luten vazhdimisht “duke mishëruar në jetë atë çka kremtojnë në liturgji”. Gjatë
katekizmit të audiencës së përgjithshme, Papa e quajti Bedën e Nderuar ekspert të
Shkrimeve të Shenjta, “ mësues të shquar të teologjisë biblike”, historian të vëmendshëm
të Kishës për të cilën përpiloi, mes tjerash, një kronologji të gjashtë Koncileve
të para ekumenike dhe përshkrimin e herezive që u denoncuan në Koncilët Kishtare.
Por Beda i Nderuar është edhe autor i “Historie të njohur kishtare të Popujve Anglezë”,
vepër që e bën “atë” të historiografisë angleze, por sidomos – pohoi Papa – të një
vizioni të Kishës në kuptimin e plotë kristologjik, aty ku Besëlidhja e Vjetër gjen
shpjegimin dhe plotësimin në Krishtin: “Tiparet karakteristike të Kishës, që
Beda i nxjerr në pah më me dashuri janë: së pari , katoliciteti si besnikëri ndaj
traditës e njëherësh si hapje ndaj zhvillimeve historike, po kështu si kërkim i bashkimit
në shumëllojshmëri, në diversitetin e historisë e të kulturave. (...) Së dyti, apostullimi
dhe aspekti romakë: e lidhur me këtë Beda e konsideron si tejet të rëndësishëm bindjen
e të gjitha Kishave Iro-Keltike dhe Pite për t’i kremtuar të bashkuar Pashkët sipas
kalendarit romak”. Katekizmi i audiencës së përgjithshme përfundoi me konstatimin
e përhapjes së madhe që patën shkrimet e Shën Bedës në zona të ndryshme të Evropës
mesjetare. Prandaj, Benedikti XVI përfundoi duke nënvizuar vlerën e këtij aspekti: “Është
një fakt se, me veprat e tij, Beda kontribuoi në mënyrë efikase në ndërtimin e një
Evrope të krishterë, në të cilën, popullsi e kultura të ndryshme janë gërshetuar mes
tyre. Të lutemi që edhe sot të ketë personalitete të lartësisë e të vlerës së Bedës,
për ta mbajtur të bashkuar tërë Kontinentin; të lutemi që të gjithë të jemi të gatshëm
të rizbulojmë rrënjët tona të përbashkëta, për të qenë ndërtues të një Evrope thellësisht
njerëzore e vërtet kristiane”.