Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Rrëshajëve. Zoti flet gjuhën tënde!
Dëgjues të nderuar të Radio Vatikanit, ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën
e Zotit të së dielës. Kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike
të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të solemnitetit të Rrëshajëve, festës së Ardhjes së
Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Çenakull, në Jerusalem. Që nga ajo
ditë e nga ajo ngjarje madhore, mund të pohojmë se historia e njerëzimi kanë një orientim
të ri, një hov të ri, një dritë të re, një horizont të pakufishëm drejt Amshimit.
Pra, kanë kaluar 50 ditë nga solemniteti i Pashkëve e sot, me Kishën në festë,
kremtojmë dhuratat që Jezu Krishtit Zot i pati premtuar dhe dhuruar asaj, pra të gjithë
neve: Shpirtin Ngushëllues që vjen nga Ati Qiellor, Shpirtin Shenjtërues Zot që na
është dhuruar në zemrat tona në sakramentin e Pagëzimit, në mënyrë që të mund të ecim,
të mund të veprojmë e të jetojmë në Dritën Hyjnore, të frymëzuar nga Shpirti Shenjt
të cilin jemi të ftuar ta dëgjojmë e pasqyrojmë në jetë e në marrëdhënie tona të përditshme
me tjerët. Festa e Rrëshajëve, ardhja e Shpirtit Shenjt mbi Apostujt shënon ditëlindjen
e Kishës dhe ditëlindjen e gjallërimit tonë si besimtarë e dëshmitarë të Krishtit
të Gjallë, Shpëtimtarit të njerëzimit. Pra, nga kjo ngjarje e Rrëshajëve, Shpirti
Shenjt Zot banon në shpirtin tonë njerëzor, Zoti është bërë më i afërt me ne, është
më intim me ne, se sa ne jemi me veten tonë, thotë shën Agostini. Kështu, festa e
Rrëshajëve na siguron se Zoti nuk na braktis kurrë, por Ai është miku e shoku i përjetshëm
i udhës sonë në jetën tokësore drejt përjetësisë. Është Shpirti Shenjt Zot Ai që
na jep kuptimin e ri të misterit të Jezusit. Pa Të është e pamundur të depërtojmë
në këtë mister të Krishtit. Është Shpirti Shenjt Ai që na bën të aftë t’i lexojmë
ngjarjet në dritën e fesë, në fenë e Krishtit që është dhuratë e tij. Me kremtimin
e solemnitetit të festës së Rrëshajëve, Kisha e mbyll ciklin e Pashkëve për të vijuar
me kohën e rëndomtë liturgjike gjatë vitit. Porsi pema që, pas stinës së lulëzimit,
më në fund sjell frytet e veta në mënyrë që të gjithë të mund t'i shijojnë, po kështu
është edhe për Kohën e Pashkëve që mbyllet duke na dhuruar Shpirtin Shenjt. Duke iu
dëftuar nxënësve të vetë të mbyllur në Çenakull, Jezusi u dhuron atyre Shpirtin; në
dyzetë ditët që pasojnë Ngjalljen e Krishtit, mësuesi hyjnor flet gjithmonë për Shpirtin
të cilin e pati premtuar qysh para mundimeve e kryqëzimit e për të cilin, në shumë
raste, flet duke përshkruan detyrat e tij. Sot Shpirti vjen në plotësi e menjëherë
fillon misionin e tij, duke e hapur Kishën ndaj kufijve të botës, e duke bashkuar
ngadalë por në mënyrë konstante zemrat e çdo populli e të çdo kombi në familjen e
vetme të nxënësve të Jezusit, në përqafimin e vetëm të Zotit që është Ati, Biri e
Shpirti Shenjt. Atë ditë të Rrëshajëve për botën fillon një flakë dashurie, faljeje
e hiri ( bekimi) që askush nuk do të mund ta shuajë kurrë. Sot është festa Rrëshajëve.
Me këtë solemnitet mbyllet periudha e kohës së Pashkëve që filluam para 50 ditësh.
Kisha i jep rëndësi të jashtëzakonshme kësaj feste e të kremteje, aq sa ta konsiderojë
ndër më të rëndësishmet pas Pashkëve. Po pse e gjithë kjo rëndësi? Përgjigjen e gjejmë
në leximet biblike të kësaj së diele, duke filluar nga leximi parë nga Vepra e Apostujve,
që thotë se nxënësit gjendeshin së bashku në të njëjtin vend, në Jerusalem. Në Ungjillin
e Gjonit thuhet se menjëherë pas vdekjes e ngjalljes së Jezusit, nxënësit rrinin me
dyer të mbyllura, nga "frika prej Judenjve". Nga çka kishin frikë? Me çdo gjasë,
kishin frikë se do të trajtoheshin porsi Mësuesi i tyre. Jezusi, që pati predikuar
dashurinë e faljen, nuk ishte i mirëpritur nga të gjithë për shkak të predikimit të
tij të kësaj natyre: për shumë kënd mendimi e predikimi i Jezusit ishte shkandullues,
sepse i detyronte të ndryshonin e përmirësonin jetën. Për këtë arsye e vranë. Kush
ka studiuar historinë e Romës e di mirë se nxënësit kishin të drejtë të frikoheshin:
sepse në të vërtetë të gjithë qenë persekutuar e u bënë martirë të kryqëzuar, me koka
të prera apo të copëtuara nga luajt e Koloseut. Mirëpo kjo ndodhi më vonë. Po ne
të bëjmë një hap mbrapa, menjëherë pas ngjalljes së Jezusit. Gjoni, që ishte i pranishëm
në skenën e ngjarjes, tregon se "ditën e parë pas të shtunës…vjen Jezusi, ndalet në
mesin e tyre e thotë "Paqja me ju"". Këndej bëri një gjest simbolik: "fryni mbi ta
e u tha"merreni Shpirtin Shenjt". Në këtë mënyrë Jezusi e mbajti premtimin që u pati
dhënë para se të vdiste: ai në të vërtetë u pati thënë nxënësve të vet se do të kishte
qenë me ta përgjithmonë e se do t'u kishte dërguar Shpirtin e vet. Kjo dhuratë
e parë e Shpirtit ndodhi në formë private, në një dialog mes Jezusit e nxënësve. Ndërsa
ditën e Rrëshajëve Shpirti Shenjtë paraqitet në mënyrë spektakolare: "Vjen papritmas
nga qielli një krismë, porsi era që përplaset fuqishëm, dhe e mbushi tërë shtëpinë
ku gjendeshin”. Solemniteti i Rrëshajëve nuk është thjeshtë kremtim apo kujtim.
Është realitet, përvojë, që e jetojmë çdo vit. Shën Agostini i dallonte festat e
krishtera që përkujtojnë përvjetorë, nga ato që kremtojnë një mister. Ata që përkujtojnë
përvjetorë, kremtojnë rikthimin në kujtesë të ditës kur ka ndodhur një ngjarje. Ndërsa
festat që kremtojnë ‘misterin’, ndërmjet të cilave Shenjti numëronte në radhë të parë
Pashkët, jo vetëm që e kujtojnë ngjarjen, por sidomos, e rijetojnë atë. Prandaj gjëja
më e rëndësishme në solemnitetin e Rrëshajëve duhet të jetë që secili prej nesh të
hyjë brenda misterit e të presë, me fe të gjallë që, çka ndodhi atë ditë, të ndodhë
përsëri në jetën tonë personale e në realitetin tonë konkret e të përditshëm.
Liturgjia e Fjalës së Zotit Lexim prej Veprave të Apostujve
Kur
erdhi dita e Rrëshajëve, të gjithë ishin së bashku në të njëjtin vend. Dhe, ja, papritmas,
u ndie një ushtimë nga qielli si shungullimë e erës së fortë dhe e mbushi të gjithë
shtëpinë, ku ata ishin. Atyre atëherë ju dukën gjuhë, si të ishin zjarri. Këto u ndanë
e zunë vend nga një mbi secilin prej tyre. Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt
dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme, ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste të
shpreheshin. Dhe aso herë në Jerusalem banonin judenj, njerëz të përshpirtshëm, të
ardhur prej të gjitha kombeve të botës. Dhe, kur u dëgjua ajo ushtimë, ngarendi një
shumicë e madhe dhe mbetën të habitur, sepse secili i dëgjonte duke folur në gjuhën
e vet. Të gjithë çuditeshin e u mrekullonin dhe thoshin: “Këta njerëz që po flasin,
a thua vallë nuk janë të gjithë galileas? Po si atëherë secili prej nesh i dëgjon
duke folur në gjuhën e vet amtare? Partë, medë, elamitë, banorë të Mesopotamisë, të
Judesë, të Kapadokisë, të Pontit e të Azisë, të Frigjisë e të Pamfilisë, të Egjiptit,
të krahinave të Libisë rreth Cirenës, njerëz të ardhur nga Roma, judenjt e proselitë,
kretas e arabë – të gjithë ne po i dëgjojmë duke shpallur veprat e madhërueshme të
Hyjit në gjuhët tona amtare.” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!
Psalmi
104 Plot është toka me Shpirtin tënd, o Zot
Bekoje, shpirti im,
Zotin! O Zot, Hyji im, sa i madh je! Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua! Plot
është toka me krijesat e tua. Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen, dhe kthehen
në pluhur përsëri.
Po e dërgove frymën tënde, përsëri përtërihen, dhe
e rinon fytyrën e dheut.
E amshueshme qoftë lavdia e Zotit, u gëzoftë Zoti
në veprat e veta! I pëlqeftë Zotit kënga ime, kënaqjen time e kam vënë në Zotin. Shën
Pali na fton të jetojmë nën ndikimin e Shpirtit. Kjo do të thotë të jemi në bashkim
me vdekjen dhe ringjalljen e Zotit, të çlirohemi nga skllavëria e mëkatit dhe e egoizmit,
të pranojmë mënyrën e jetesës së Krishtit. Ai do të bëhet kriteri i çdo zgjedhjeje
dhe angazhimi.
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve
Vëllezër,
jetoni nën ndikimin e Shpirtit Shenjt e nuk do t’i kryeni dëshirat e mishit e të gjakut.
Sepse mishi e gjaku me dëshirat e veta i kundërshtojnë Shpirtit e Shpirti i kundërshton
mishit e gjakut: këta të dy janë në kundërshtim njëri me tjetrin, që të mos bëni çka
dëshironi. E nëse ju prin Shpirti, nuk jeni të nënshtruar ligjit. Tashti, veprat e
mishit e të gjakut janë të njohura. Ato janë: fëlligështia, papastria, shfrenia, idhujtaria,
magjia, armiqësitë, grindjet, smira, hidhërimi, gërgasat, dasitë, mospërkimet, zilitë,
zdërhalljet, ndejat me pije e qejfe e të tjera si këto. Lidhur me këto po ju vë në
dijeni qysh tani, sikurse jua thashë më parë: kush i bën këto, nuk do ta trashëgojë
Mbretërinë e Hyjit. Kurse fryti i Shpirtit është: dashuria, hareja, paqja, duresa,
dashamirësia, mirësia, besnikëria, butësia, përkormëria. Kundër këtyre nuk ka ligj.
Ata që janë të Krishtit Jezus, e kryqëzuan trupin e vet bashkë me prirje dhe dëshira
të prulta. Nëse jetojmë nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, të udhëheqemi edhe nën drejtimin
e Shpirtit Shenjt. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.
Ndjekësorja
O
Shpirt Shenjt, deh zbrit mbi ne, e prej qiellit derdh mbi ne rrezet tua plot
me dritë.
Eja, o Atë, për nevojtarë, eja, ti n’dhanti bujar, eja, ti
që mendjet shndrit.
Ti n’ngushtica ngush’llim bjen, ti ndër zemra si mik
vjen, t’lodhunt n’jetë rishtas forcon. N’mund e djersë ti je pushim, n’vapë
e luftë ti je freskim, lot ti terë, zemrat ngushllon.
Dritë Hyjnore, plot
shejtni, shndritnai mendjet e n’dashuri kalle flakë kënd n’ty shpreson.
Ku
s’je ti, gjithçka dështon n’natyrë t’njerit gjë s’qëndron që t’jetë shenjte,
si ti don.
Njollat hiq, dangat pastro, n’shpritëra tanë hiret rigo, varrët
e mëkatit na i shero.
Jepna ne që n’ty besojmë, jepna
ne që n’ty shresojmë, shtatë dhantitë që aq dëshirojmë.
Mundin tonë ti na
e shpërble, n’mëkat me vdekë ti mos na le, bën me ty n’amshim t’lumnojm.
Aleluja,
Aleluja! Eja, o Shpirt Shenjt, mbushi zemrat e besimtarëve të tu, dhe ndeze
në ta zjarrin e dashurisë sate. Aleluja
Ungjilli Gjn 15, 26-27;
16, 12-15 Shpirti Shenjt është dëshmitari i madh që udhëzon Kishën. Ai pa
i shtuar asgjë fjalës së Birit të Atit, u shpall Ungjillin eKrishtit të krishterëve
të të gjitha kohrave. Ai akoma sot vazhdon të shpjegojë atë që është thënë një herë
e përgjithmonë, duke zbuluar edhe realitetet e ardhshme të filluara me ringjalljen
e Zotit.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë,
Jezusi u tha nxënësve të vet: “Kur të vijë Mbrojtësi, të cilin do t’ju dërgoj prej
Atit, Shpirti i së Vërtetës, që rrjedh prej Atit, Ai do të dëshmojë për mua. Por edhe
ju gjithashtu do të dëshmoni për mua, sepse jeni me mua që në fillim. Kam edhe shumë
tjera për t’ju thënë, por tani s’mund t’i kuptoni. E kur të vijë Ai, Shpirti i së
Vërtetës, Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën. Ai s’do të flasë prej vetvetes,
por do të flasë çka të dëgjojë dhe do t’ju zbulojë të ardhmen. Ai do të më lëvdojë,
sepse do të marrë prej simes e do t’ju zbulojë juve. Gjithçka ka Ati, është imja.
Prandaj edhe ju thashë: ‘Merr prej simes dhe do t’ju zbulojë juve’.” Fjala e
Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!
Tani ti dëgjojmë leximet biblike
të këtij solemniteti e pastaj komentin….....