2012-05-25 17:36:42

Benedikti XVI pret kryeministrin çek: impenjim për dialog konstruktiv ndërmjet Shtetit e Kishës


Benedikti XVI priti sot paradite kryeministrin e Republikës Çeke, Petr Nečas. Gjatë bisedimeve të përzemërta, njofton një notë e Sallës vatikanase të Shtypit, pasi u kujtua shtegtimi apostolik i Papës në Repubikën Çeke, më 2009, u fol për disa tema me interes të përbashkët. Lidhur me projekt-ligjin për pasuritë kishtare, aktualisht në shqyrtim nga Dhoma e Përfaqësuesve, njofton komunikata, të dyja palët uruan që procesi ligjor të përfundojë me paanësi, në mënyrë që të respektohet faktikisht kontributi i Kishës Katolike në vend. Të dyja palët, përfundon nota, shprehën vullnetin e mirë për të rregulluar, përmes një marrëveshjeje, marrëdhëniet ndërmjet Shtetit e Kishës, duke vijuar dialogun e rregullt e konstruktiv në nivele të ndryshme institucionale.
Sot pasdite, në orën 16.00, kryeministri çek Petr Nečas mori pjesë në kremtimin eukaristik, në bazilikën romake të Shën Prasedes, ku u përurua Viti Jubilar i Shenjtorëve vëllezër, Çirili e Metodi, Apostuj të popujve sllavë, Bashkëpajtorë të Evropës. Vitin e përuruan kardinali Dominik Duka, kryeipeshkëv i Pragës e kryetar i Konferencës ipeshkvnore çeke dhe imzot Jan Graubner, kryeipeshkëv i Olumukut.
Gjithnjë sot, në orën 20.00, në bazilikën e Shën Marisë së Madhe u dha një koncert në përkujtim të 867 vjetorit të miratimit e të autorizimit të përkthimit të Biblës në gjuhën e vjetër sllave, nga vëllezërit ungjillëzues.Kremtimet u organizuan nën kujdesin e kryeministrit çek, të kardinalit Peter Erdë, kryetar i Këshillit të Konferencave Ipeshvnore Evropiane (Ccce) e të Konferencës ipeshkvnore çeke, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës të Republikës Çeke dhe qytetin Zlín.







All the contents on this site are copyrighted ©.