2012-05-24 13:15:01

Shqipëri: Berisha pret Sekretarin e Përgjithshëm të KE-së


Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha prit sot në Tiranë në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thobjorn Jagland, i cili ndodhet në Shqipëri, me rastin e marrjes nga ana e Shqipërisë së Presidencës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës,
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e vlerësoi marrjen e presidencës së radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës nga ana e Shqipërisë, si një moment historik për Shqipërinë e shqiptarët, por edhe si një moment i një simbolike të veçantë për Këshillin e Evropës, i cili dëshmon ndryshimin rrënjësor që Shqipëria dhe demokracia e saj e re, por funksionale ka arritur gjatë kësaj periudhe, nga një vend ku vetëm para 20 vitesh, liritë dhe të drejtat e njeriut ishin të ndaluara me kushtetutë, në një vend që kryeson KE, këtë forum me një mision e kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, shtetit ligjor, dhe konsolidimin e mëtejshëm të lirisë dhe demokracisë në Evropë dhe më gjerë.
Nga ana e tij, Jagland i uroi kryeministrit shqiptar Berisha sukses të plotë në kryesimin e radhës së Komitetit të Ministrave të KE, duke i shprehur vlerësimin dhe përgëzimet për punën e rëndësishme të bërë nga qeveria shqiptare e Tiranës, si për periudhën parapërgatitore për marrjen e kryesisë, ashtu edhe për përpilimin e një agjende prioritetesh e cila përputhet plotësisht me misionin dhe prioritet e kësaj organizate jashtëzakonisht të rëndësishme mbarë evropiane.
Ndër prioritetet e kryesisë shqiptare të radhës së KE për 6 mujorin në vijim një vend të veçantë zënë të rinjtë dhe roli i tyre i rëndësishëm në proceset demokratike dhe zhvillimore ashtu edhe integruese, fuqizimi i mëtejshëm i dialogut me rajonet fqinjë, në veçanti me vendet e të ashtuquajturës pranvera arabe, duke ndarë me to përvojat dhe modelet e suksesshme të Këshillit të Evropës dhe vendeve anëtare të tij, në shërbim të promovimit të mëtejshëm të demokracisë, të drejtave të individit dhe përpjekjeve të këtyre vendeve për zhvillim të mëtejshëm.
Në këtë kontekst Shqipëria mund të ofrojë një shembull domethënës, si një vend multireligjioz me një tolerancë të shkëlqyer ndërfetare, por edhe traditat e një shteti laik, ku raportet ndërkombëtare e kanë vlerësuar në vijimësi për nivelin e lartë të respektit ndaj të drejtave të minoriteteve e bashkëjetesës në harmoni. Të tjera prioritete përfshijnë vazhdimësinë e reformave të iniciuara nga presidencat mëparshme.
Një vend të veçantë në prioritetet e presidencës së Shqipërisë zë edhe Ballkani Perëndimor, si edhe konsolidimi i mëtejshëm i vlerave mbi të cilat bazohet kjo organizatë në këtë rajon, promovimi i mëtejshëm i bashkëpunimit të tij me Këshillin e Evropës, por edhe midis vende ve të tij, në kuadër të bashkëpunimit rajonal.







All the contents on this site are copyrighted ©.