2012-05-24 10:58:37

Reliket e prindërve të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë, në Family 2012


Milano përgatitet të presë TakimitnVII botëror të familjeve, e me rastin edhe një ekspozitë shëtitëse, me titull: “Luigji e Zelia Martin. Prindër që lindin shenjtorë”.
Relikuari i bashkëshortëve Martin do të jetë në Milano, ndërmjet përfaqësuesve të familjeve të mbarë botës. Luigji Martin e Zelía Guerin ishin prindërit e Shën Terezës së Krishtit Fëmijë, karmelitane dhe dijetare e Kishës, Pajtore e misioneve, e quajtur nga Piu X “Shenjtorja më e madhe e kohëve moderne”. Prania e tyre në takimin e madh, të afërt, të familjeve, do t’i flasë përsëri botës, me gjuhën e shenjtërisë, duke e siguruar se aty ku ka prindër të shenjtë, lindin edhe fëmijë të denjë për nderimet e elterit.
Është plotësisht e mundur edhe sot, që një njeri të bëhet shenjt, por shumëkujt i duket e pamundur të bëhen shenjtorë njëherësh një burrë e një grua, të lidhur me sakramentin e martesës e të ngjiten krah për krah, si në jetë, edhe në nderimet e elterit. E pamundur?
“E pra në tetor të viti 2001 Gjon Pali II i pati shpallur të lum bashkëshortët Beltrame Kuatroki, ndërsa vetëm pas shtatë vjetësh, Luigji Martin e shoqëronte kah elteri i shenjtërisë bashkëshorten, Zelia Guerin, të dy prindër të 5 vajzave (katër prej të cilava hynë në Karmelin e Lisië, ndërsa e pesta, në kuvendin e Vizitantineve të Kaën).
Nuk gabohej, pa dyshim, shenjtorja karmelitane, Tereza e Lisië, kur, duke pasur parasysh prindërit e saj, pati shkruar: “Zoti më dhuroi një atë e një mëmë më të denjë për qiell, sesa për tokë. Pata lumturinë të jem bijë e dy prindërve të pashoq. Zoti më bëri të lind mbi një tokë të shenjtë”. Mendime, këto, që u bënë realitet më 2008, me lumnimin e bashkëshortëve Martin.
Këta të Lum të rinj, sipas Papës Benedikti XVI, me lutjen e tyre e me dëshminë ungjillore, e shoqëruan hap pas hapi të bijën, që Zoti e thirri t’i kushtohej e tëra Atij, pa asnjë kusht, e mbyllur përgjithëjetë brenda mureve të Karmelit:
“Duke menduar për lumnimin e bashkëshortëve Martin, dëshiroj të kujtoj një ndjet tjetër, që e kam shumë për zemër: familjen, roli i së cilës është themelor në edukimin e fëmijëve me frymë universale, me zemër të hapur e plot përgjegjësi për botën e problemet e saj, si dhe në formimin e thirrjeve për jetë misionare”.Relikuari me disa eshtra të Luigjit e të Zelia Martin, nga 28 deri më 31 maj, do të vendoset në Bazilikën e Shën Naxarit në Brolo (Milano). Me këtë rast do të hapet edhe ekspozita shëtitëse, në praninë e kardinalit Hosè Saraiva Martins, prefekt nderi i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve e të Zhan Klapie, doktor në teologji dhe autor i librave të shumtë kushtuar Shën Terezës së Lisië, i cili do të paraqesë, me këtë rast, një libër të ri, këtë herë për prindërit e shenjtë të Shenjtores së re, që pati premtuar të reshte mbi botën një shi me petale, për të zhdukur prej saj çdo lloj ere të keqe, duke e zëvendësuar me aromë trëndafili.







All the contents on this site are copyrighted ©.