2012-05-24 10:57:39

Një mendim për Zojën e Bekuar, në muajin maj: dukja e Zojës në Karavagjo


Po kujtojmë sot një nga dukjet më pak të njohura të Zojës së Bekuar, që shënon kufirin ndërmjet botës mesjetare e asaj të rilindjes. Është dukja e Marisë, që njihet si Zoja e Burimit, më 26 maj 1432, në fushat rreth Karavagjos, në Lombardi.
Në vendin ku Zoja u duk disa herë, u lartua një shenjtërore, që njihet si Zoja e Burimit. Shenjtërorja u bë menjëherë cak shtegtimesh. Aty nisën të dynden shtegtarë nga të katër anët e Italisë e më pas, edhe të botës. Kumti i madh i dukjes së Zojës, u përhap deri në viset e largëta të Amerikës Latine, sidomos në Brazil. Pikërisht në këtë vend të madh, në qytetin Farroupilha, shteti i Rio Grande do Sul, Zojës së Burimit iu kushtua një nga tempujt marianë më të mëdhenj në botë.
Ipeshkvi Danio Bolonjini, një nga etërit konciliarë apostolikë, në vitin 1962, vit i hapjes Koncilit II të Vatikanit, e shpalli Zojën e Burimit të Karavagjos, bashkëpajtore të bashkësisë dioqezane të Kremonës. Kishin kaluar 580 vjet nga dukja e Marisë, si lajmëtare e paqes, në një vend të rrënuar nga luftërat.
Ishte shekulli XVI, kur u duk Zoja. Shekull grindjesh, grabitjesh, vrasjesh, luftërash të paprera, që i kishin shndërruar shumë vise të Evropës, në varreza. Armë. Mëri. Hakmarrje. Mercenarë. Konflikte. Etje për pushtet. Egoizëm i shfrenuar... Kjo ishte panorama e kohës edhe në zonën e Karavagjos, tronditur për vdekje nga ndeshjet e vazhdueshme ndërmjet Milanos e Venedikut, për pushtimin e zonës së Gera D’Ada. E gjithë zona ishte në zi. Njerëzit, të zhytyr në trishtim, pa shpresë. Lufta ndiqte luftën e vdekja vdekjen. Në këtë kohë Zoja e Bekuar iu duk një fshatareje të thjeshtë, me jetë të rrënuar. Quhej Xhaneta de’ Vaki. Sipas traditës, gruaja, 32 vjeçe, vuante tmerrësisht nga i shoqi, Françesko Varoli, që kthehej në shtëpi natën vonë, gjithnjë i dehur tapë. Mësuar siç ishte me armë në dorë, kur nuk merrte pjesë ndër beteja, luftonte me gruan e me fëmijët. Deri një ditë, kur Xhaneta nuk mundi ta duronte më e iku nga shtëpia. Pa strehë mbi kokë, nisi të endej arave, larg qytetit. Endej e qante. Në kulmin e dëshpërimit, me sytë e errur nga lotët, pa, papritmas, një grua të re, që dukej si mbretëreshë, plot hir e mirësi:
- Jam Virgjëra Mari - i tha fshatares së trembur për vdekje. Mos kij frikë. Hyji më dha hirin t’i shpëtoj të krishterët prej dënimit të shpejtë, të cilin e kanë merituar plotësisht nga drejtësia hyjnore. Erdha të kumtoj paqen. Paqen në vend. Paqen në familje. Paqen ndër zemra.
Zoja i kërkoi fshatares t’u përcillte njerëzve mesazhin e qiellit: në se dëshironin të shpëtonin, duhet të pendoheshin për mëkatet, të agjëronin të premten e parë pas dukjes, e pastaj, të shtunën, të shkonin në kishë e të luteshin, në shenjë mirënjohjeje për shpëtimin e papritur e të pashpresuar.
Kërkoi edhe që të ndërtohej një kapelë në vendin e dukjes, pikërisht aty ku menjëherë, pas fjalëve të saj, shpërtheu nga toka një burim me ujë të akullt. Ai ujë vijon të gurrojë edhe sot e kësaj dite në mes të Kishës, me emrin “Zoja e Burimit”.Xhaneta de Vaki, që i solli popullit të krahinës kumtin marian të paqes, në fillim në qendër të vëmendjes, dalëngadalë ra në harresë. Po nuk u harrua kurrë dukja e Zojës, kumtimi e hiri, që ashtu si ujët e kronit, vijon të burojë nga zemra e saj e shuguruar. Duke shuar etjen e zemrave për Krishtin!







All the contents on this site are copyrighted ©.