“Auxilium Christianorum”; “Ndihma e të Krishterëve”, ky titull i bukur i është dhënë
Virgjërës Mari në çdo kohë e kështu lutet prej besimtarëve në litanitë Lauretane kushtuar
Asaj, quhen kështu sepse u recituan e lutën fillimisht në Loreto të Italisë. Gjithmonë
ka qenë ripohuar prania ndërmjetësuese dhe ndihmuese e Zojës së Bekuar për atë njeri
që i drejtohet asaj me lutje, e pikërisht asaj, ne dhe mbarë njerëzimit, i qemë besuar
si bijë nga Jezu Krishti mbi Kryq, i cili na e tregoi e dhuroi si nënë, në personin
e Gjonit apostull, edhe ai pranë Kryqit. Po rasti i madh zyrtar i përdorimit të titullit
“Auxilium Christianorum” – “Nihma e të Krishterëve” qe lutja e Papës Piut V më 1571. Pra,
kjo e kremte e Zojës së Bekuar Ndihmëtare nis të përkujtohet që në kohën e Papës së
madh marian e dominikan, shën Piut V (1566-1572). Papa i kërkoi Zojës së Bekuar ndihmë
për ushtritë dhe fatet e Perëndimit e të Krishterimit, kërcënuar prej shekujsh nga
turqit, që tashmë kishin arritur në portat e Vjenës. Ishte tetori i vitit 1571. E
pikërisht më 7 tetor të këtij viti, nisi beteja e madhe detare e koalicionit të botës
së krishterë kundër flotës turke. Në sa flota turke shpartallohej, duke u mënjanuar
kështu rreziku i tmerrshëm i shtrirjes së pushtimit otoman mbi vise të tjera të krishtera,
Papa pa në vegim se fitorja ishte siguruar me ndërmjetësinë e Zojës së Bekuar. Prandaj,
në shenjë mirënjohjeje, urdhëroi që ndër litani të shtohej edhe thirrja : “Mari, ndihma
e të krishterëve, lutu për ne!”. Prej këndej, edhe titulli “Zoja ndihmëtare”. Një
fitore tjetër e madhe, ajo e Vjenës, në vitin 1683, bëri që devocioni i Zojës nën
titullin “Auxilium Christianorum”, të përhapej në Austri, në Gjermani e në Itali.
Piu VII e caktoi festën e Zojës Ndihmëtare më 24 maj. Shenjti që pati më shumë
devocion në Zojën Ndihmëtare, qe Shën Gjon Bosko, i cili u bë apostull i Saj, së bashku
me bijtë e bijat e veta, salezianët e salezianet, që për këtë arsye quhen Bijtë e
Zojës Ndihmëtare. Për nder të Zojës Ndihmëtare, krishterimi ndërtoi tempuj madhështorë
në vise të ndryshme, ndërmjet të cilëve dallohen katedralja e Spoletos edhe e Torinos
në Itali, në Prizren të Kosovës është Kisha katedrale kushtuar pikërisht Zojës
Ndihmëtare.