2012-05-24 13:11:16

Dita e lutjes për Kishën në Kinë, botohet në gjuhën kineze, letra apostolike “Porta Fidei” për Vitin e Fesë


Sot kremtohet Dita e lutjes për Kishën në Kinë, themeluar nga Benedikti XVI me rastin e përkujtimit të së Lumes Mari Virgjër Ndihmë e të Krishterëve, posaçërisht e nderuar në Shenjtëroren e Zojës së Bekuar të Sheshanit, në afërsi të Shangait, ku këtyre ditëve shtegtuar shumë besimtarë kinezë.
E pikërisht me rastin e Ditës së sotme Botërore të Lutjes për Kishën Katolike në Kinë, e cila u kremtua sot, në festën liturgjike të Zojës Ndihmëtare, Konferenca Ipeshkvnore e Tajvanit publikoi në gjuhën kineze tekstin e plotë të Letrës Apostolike “Porta Fidei”, shkruar nga Papa Benedikti XVI për Vitin e Fesë, që do të fillojë në tetor. Një meshtar kinez deklaron për agjencinë katolike të lajmeve “Asianews” se “rizbulimi i fesë dhe dëshmia publike e lidhjes me Papën janë themelore për përtëritjen e bashkësisë në Kinë. Viti i Fesë nuk është vetëm për botën perëndimore të shekullarizuar – përfundon meshtari – por edhe për ne, që nganjëherë e reduktojmë fenë vetëm në ndjenja të përshpirtshme, pa ndikim mbi arsyen e mbi jetën”.
Kujtojmë se Kisha Katolike në Kinë, pavarësisht se nuk persekutohet më si më parë, vuan nga shumë kufizime të veprimtarisë së saj, sidomos kur është fjala për marrëdhëniet me Vatikanin e me Atin e Shenjtë. Dita e Lutjes për katolikët kinezë është caktuar nga Papa Ratcinger në festën liturgjike të Zojës Ndihmëtare për shkak të devocionit të jashtëzakonshëm të kinezëve për të. Nëna e Krishtit, Ndihma e të Krishterëve, nderohet sidomos në shenjtëroren e Sheshanit, pranë Shangait.







All the contents on this site are copyrighted ©.