2012-05-23 14:25:55

Shqipëria mori sot kryesinë e Këshillit të Europës


Shqipëria mori sot në dorë kryesinë e Këshillit të Evropës. Në Strasburg, në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, mori simbolikisht çelësat e presidencës dhe paraqiti përparësitë e semestrit shqiptar. Tirana do të vazhdojë punën e presidencës britanike të deritanishme, sidomos përsa i përket reformës së Gjykatës për të Drejtat e Njeriut dhe decentralizimit të pushtetit.
Ndërkaq, kontributi i veçantë i Shqipërisë, që e fillon kryesinë e Këshillit të Evropës me moton “Të bashkuar në diversitet”, ka të bëjë me promovimin e vlerave si toleranca, dialogu ndëretnik, ndërfetar e ndërkulturor, me veprimtari të rëndësishme në Strasburg e në Tiranë. Gjithashtu, qeveria e Tiranës dëshiron të nxisë marrëdhënie të mira në rajonin ballkanik, me synim kryesor bashkëpunimin më të ngushtë të Kosovës me strukturat evropiane.
Është hera e parë që Shqipëria merr kryesinë e Këshillit, që nga anëtarësimi i saj në të, më 13 korrik 1995. Periudha e presidencës fillon sot, më 23 maj dhe përfundon më 9 nëntor 2012. Pas mbledhjes, në Starsburg, u zhvillua një ceremoni festive, gjatë së cilës u ekspozuan objekte me vlerë të trashëgimisë kulturore dhe artistike shqiptare.
Kështu, zyra e shtypit e MPJ-me shqiptare bëri të ditur se për herë të parë pas 17 vitesh anëtarësim, Shqipëria do të drejtojë Komitetin e Ministrave të 47 vendeve anëtare, një hap ky që shënon rritjen e imazhit të Shqipërisë në Evropë dhe prestigjin e saj për të drejtuar organizata ndërkombëtare të këtyre përmasave.
Simbolikisht sekretari britanik William Hague i dorëzoi zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto çelësin e presidencës së radhës.
Ceremonia u parapri nga takimi i rregullt i Komitetit të Ministrave, i fundit i drejtuar nga Britania e Madhe, ku u diskutua mbi politikat e Këshillit të Evropës ndaj rajoneve fqinje dhe kontributi i saj ndaj këtyre demokracive të reja.
Më pas u paraqitën arritjet dhe rezultatet e presidencës britanike nga sekretari britanik Hague, ku reforma e Gjykatës ku gjykata e reformës së të drejtave të njeriut përbënte një nga prioritetet kryesore të kësaj presidence.
Më pas në orën 11.55 minuta ministri Hague i dorëzoi çelësin e presidencë së radhës së këtij komiteti, Zv.KRyeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Haxhinasto.
Ministri Haxhinasto mbajti një fjalë ku shpalosi prioritetet e presidencës shqiptare, që do të udhëhiqet nga motoja: të bashkuar në diversitet.
Haxhinasto u shpreh se Shqipëria do të vazhdojë punën në përputhje me vijën e ndjekur më parë nga presidencat ukrainase dhe britanike duke promovuar edhe më tej vlerat e kësaj organizate.
Shqipëria, tha Haxhinasto ka vendosur të ketë si prioritet të saj gjatë këtyre gjashtë muajve dialogun ndërkulturor, edukimin e tolerancës veçanërisht për brezat e rinj dhe të jetuarit së bashku.
Haxhinasto theksoi se në Tiranë në nëntor, gjatë festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë , do të organizohet një konferencë e nivelit të lartë ndërkombëtar mbi diversitetin ne Evropë dhe dialogun ndërkulturor.
Pas përfundimit të takimit të Ministrave të 47 vendeve anëtare, u zhvillua dhe ceremonia festive e rastit.
Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto i dhuroi Këshillit të Evropës, në emër të Shqipërisë , një kostum popullor tradicional shqiptar, që u vlerësua jashtëzakonisht nga të pranishmit.
Më pas fjalën e mori sekretari i përgjithshëm i KiE, THobjorn Jagland i cili duke e pranuar me kënaqësi dhuratën e çmuar të Shqipërisë , tha se ky kostum i kujton dhe veshjet e vendit të tij, Norvegjisë , gjë që tregon se ka vlera të përbashkëta në kulturat mes vendeve të Evropës dhe kjo e përforcon më shumë idenë e diversitetit dhe të të jetuarit së bashku, që është dhe motoja e Shqipërisë .
Më pas Jagland i uroi Shqipërisë presidencë të suksesshme. Hinmi shqiptar i kënduar nga sopranoja Oriana Kurteshi e shoqëruar në piano nga kompozitori Genc Tukici i dhanë një emocion të veçantë ceremonisë së presidencës shqiptare.
Më pas ministrat e 47 vendeve anëtare dhe delegacionet që i shoqëronin u njohën me një pjesë të historisë shqiptare. Konkretisht u prezantuan disa objekte të trashëgimisë kulturore shqiptare bizantine dhe pas bizantine. Më pas të ftuarit shijuan produktet ushqimore shqiptare, verën dhe rakinë tradicionale si dhe produkte të tjera. Pas takimit pati dhe një konference për shtyp.







All the contents on this site are copyrighted ©.