2012-05-23 14:57:16

Deklaratë e kardinalit Tarçizio Bertone, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, mbi trapiantin e zemrës në Spitalin Pediatrik romak të Krishtit Fëmijë.


“Një ngjarje e jashtëzakonshme, që flet vetë për pasionin me të cilin u shërbehet fëmijëve dhe aftësinë për ta vënë teknologjinë në shërbim të mjekësisë”. Këtë nënvizon kardinali Bertone, në një deklaratë lidhur me arritjen në shërbim të fëmijëve të sëmurë nga zemra, duke shprehur edhe qëndrimin për këtë ngjarje të madhe.
Me kënaqësi të thellë, shkruan kardinali Bertone në deklaratë, përgëzoj ekipin kirurgjik dhe të gjithë personelin e Spitalit Pediatrik romak të Krishtit Fëmijë, që mundi, për herë të parë në botë, të realizojë transplantimin e zemrës, në një fëmijë që sapo i kishte mbushur 16 muaj, pasi u sigurua se do të mund të jetonte me ndihmën e një zemre artificiale.
Një zemër e vogël, që çon gjak e jetë, duke garantuar një ardhmëri e një dhuratë për të gjithë ne, për shumë fëmijë e për shumë familje, që e shikojnë me besim përparimin e shkencës mjekësore, ashtu si dhe aftësitë organizative e kërkimore shkencore, drejt rrugëve të reja të mjekimit e të shërimit.
Me këtë operacion Spitali Pediatrik i Krishtit Fëmijë, konfirmon rolin e tij të pararojës ndërkombëtare në gjetjen e rrugëzgjidhjeve klinike më të reja, siç është edhe përgjigjja që dha në fushën e robotikës, në shërbim të rehabilitimit pediatrik.Ky realizim, përfundon Sekretari i Shtetit të Vatikanit, ka edhe një vlerë të fuqishme simbolike: jep zemër e shpirt, në një çast kaq të vështirë për të gjithë ata, që janë të prekur thellë prej dhimbjes, shkaktuar nga njerëzit e nga fatkeqësitë e natyrës. Akt simbolik shprese e humanizmi, që ngjall besim në të ardhmen, përmes mjekimit të fëmijës, mishërim i vetë kuptimit të ardhmërisë e të jetës, që shpëton e vijon të rritet.








All the contents on this site are copyrighted ©.