2012-05-23 17:15:23

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: për Hyjin nuk jemi bij të panjohur, Shpirti Shenjt na mëson ta quajmë Atë.


Duhet të mësojmë të jemi miq të Hyjit e t’i lutemi me mirëbesim. Ishte kjo porosia kryesore, që u dha sot Papa 20 mijë besimtarëve, të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për audiencën e përgjithshme të së mërkurës. Benedikti XVI foli për lidhjen e ngushtë ndërmjte lutjes e Shpirtit Shenjt, të cilin e quajti “mjeshtër i madh i lutjes”.

Vijoi, kështu, të reflektojë, për mënyrën si duhet t’i lutemi Zotit, duke u nisur nga një vërejtje realiste, duke u ndaluar tek distanca që krijon njeriu, e tepër shpesh edhe besimtari, ndërmjet tij e qiellit:
“Ndoshta njeriu i sotëm nuk e percepton bukurinë, madhështinë e ngushëllimin e thellë, që përmban fjala ‘atë’, me të cilën mund t’i drejtohemi Zotit në lutje, sepse, në ditët tona, gjithnjë më shpesh, figura atërore nuk është e pranishme, e gjithnjë më shpesh, nuk është aq pozitive sa duhet, në jetën e përditshme. Mungesa e atit, problemi i një ati të papranishëm në jetën e fëmijës, është një nga problemet më të mprehta të kohës sonë, prandaj bëhet gjithnjë më e vështirë të kuptohet thellësisht shprehja ‘Hyji është Ati ynë”.
Ndërsa, vijoi Benedikti XVI duke cituar Shën Palin, i krishteri nuk ka shpirt skllavi. Mund t’i drejtohet Zotit me besimin e fëmijës, me atë lidhje të ngushtë, që ka vetë Jezusi me Atin e vet qiellor. Por, për ta bërë këtë, nënvizoi Papa, është e nevojshme që të na mësojë si të flasim vetë Shpirti Shenjt, ai që është mjeshtër i madh i lutjes:
Shpirti Shenjt është dhuratë e çmuar dhe e nevojshme, që na bën bij të Hyjit e realizon atë bijësim, për të cilin janë të thirrur të gjithë njerëzit. Krishterimi nuk është besim i frikës, por i mirëbesimit dhe i dashurisë së pakufishme për Atin, i cili na do”.
Ashtu si Jezusi ia hapi njeriut portat e qiellit, Shpirti Shenjt ia hap portat e zemrës dhe e ndihmon të kuptojë atë, që nuk do ta kuptonte kurrë pa ndihmën e Frymës Hyjnore: dashurinë e pakufishme të Birit për Atin, model edhe për lidhjet tona me Hyjin:
“Ai është dashuri, e edhe ne, në lutjen tonë si bij, hyjmë në këtë rreth dashurie: e dashuria e Zotit na i pastron dëshirat e sjelljet, të cilat na shtyjnë të mbyllemi në vetvete, na nxisin të besojmë se vetvetja na mjafton, na mbyllin në egoizmin tonë, tipik për njeriun e vjetër”.
Atësia e Zotit, vijoi Benedikti XVI, ka dy përmasa: e para na kujton se çdo burrë e çdo grua është një mrekulli e Hyjit, si krijues; e e dyta, se Zoti na krijoi sipas shembëlltyrës së vet e prandaj, Ai nuk mund të jetë larg nesh, i shkëputur nga jeta që vetë e krijoi. Për Hyjin, shtoi Papa, ne nuk jemi qenie të paemër, të panjohura, bij të mohuar. Përkundrazi, kemi një emër:
Natyrisht ne nuk jemi bij të Hyjit në atë masë, që gëzon Jezusi: ne duhet të bëhemi gjithnjë më shumë, gjatë gjithë udhës së jetës sonë të krishterë, duke u rritur përmes ndjekjes së Krishtit, në bashkim me Të, për të hyrë gjithnjë më thellë në marrëdhënie dashurie me Hyjin Atë, që e mbështet fuqimisht jetën tonë”.
Së fundi, Papa shpjegoi se njeriu nuk mund t’i lutet Zotit, në se mungon Shpirti Shenjt. Është pikërisht Shpirti ai, që i lutet Zotit me gojën e njeriut. Njeriu e kërkon Zotin që nga koha e Homo sapiens, që në çastin, kur nisi të mendojë. Por ky kërkim fitoi një përmasë të re vetëm pasi Krishti iu dëftua botës dhe themeloi Kishën e Tij:
“Kur i drejtohemi Atit në dhomën tonë shpirtërore, në heshtje e në lutje, nuk jemi kurrë vetëm. Kush flet me Zotin, nuk është kurrë vetëm. Jemi të bashkuar me lutjen e madhe të Kishës, jemi pjesë e një simfonie të madhe, të cilën bashkësia e krishterë, e përhapur në të katër anët e tokës, ia larton Zotit nga agu, në muzg. Atëherë, kur ngremë zërin e themi me gjithë zemër “Abba! Atë!”, është mbarë Kisha, me të gjithë bashkësinë e njerëzve të saj në lutje, ajo që e ndihmon lutjen tonë. E lutja jonë bëhet lutje e vetë Kishës”.Audienca e përgjithshme vijoi, pastaj, me përmbledhjen e katekizmit në gjuhë të ndryshme të botës e përfundoi me përshëndetjet tradicionale, drejtuar grupeve të mbledhura ndërmjet kolonave të Berninit, që hapen, si dy krahë, të gatshëm për të përqafuar bijtë e ardhur nga larg e nga afër. Një përshëndetje e veçantë, shtegtarëve nga Nola e Ena, anëtarë të shoqatës “Të rinj, gjithmonë gati”, që kremton 50-vjetorin e veprimtarisë, si dhe përfaqësuesve të Komitetit “Qytetarë përmes sportit”, të cilët ndezën pishtarin, në shtegtim drejt Napolit.







All the contents on this site are copyrighted ©.