23 maj kalendari kujton shën Gjon Pagëzuesin de Rossi
Më 23 maj kalendari kishtar përkujton Shën Gjon Pagëzuesin (Batist) de Rossi, meshtar. Shën
Gjon Pagëzuesin de Rosi, Zoti e thirri në shërbim të të varfërve. Gjoni lindi më 22
shkurt 1698 në Voltagjio të Gjenovës, prej nga u largua që në moshën 13 vjeçare, për
të shkuar në Romë, ku një xhaxha i tij ishte meshtar e kanonik i Kishës së Shën Marisë
në Kosmedin. Në Romë ndoqi liceun e jezuitëve pranë Kolegjit Romak, ku edhe vendosi
të bëhej meshtar. Në këtë periudhë u godit për herë të parë nga epilepsia, sëmundje
që nuk iu nda gjithë jetën. U shugurua meshtar më 8 mars 1721 e që atëherë iu
kushtua me zell të jashtëzakonshëm apostullimit ndërmjet studentëve të varfër e njerëzve
të braktisur, të cilin e kishte nisur që kur ishte nxënës. Nga ky apostullim lindi
‘Bashkimi i përshpirtshëm i priftërinjve shekullarë të Shën Galës’, sipas emrit të
strehës mashkullore drejtuar prej tij. Pas kësaj Gjoni u përpoq të hapte edhe
një strehë tjetër femërore. Ia arriti qëllimit. Streha e re u quajt me emrin e Shën
Luigj Gonzagës, për të cilin kishte devocion të veçantë. Nuk kishte lindur për
t’u bërë prijës. I mjaftonte të bindej e të punonte me të gjitha forcat, pa u ankuar
asnjëherë, pa komanduar kurrë, pa e shkarkuar barrën e punës së vet mbi kurrizin e
të tjerëve. I zgjedhur kanonik i Kishës së Shën Marisë në Kozmedin, u shkarkua nga
detyra e drejtuesit të korit, për t’iu kushtuar më lirisht misionit të tij apostolik.
Në muajt e fundit të jetës sëmundja e epilepsisë iu rëndua aq, sa u bë për të Kalvar
i vërtetë. E ai iu ngjit kalvarit të jetës së vet, duke pasur gjithnjë parasysh Jezusin
e Kryqëzuar. Vdiq më 23 maj 1764. U shpall Shenjt nga Leoni XIII më 8 dhjetor 1881.