Një mendim për Zojën e Bekuar, në muajin maj: mrekulli e dukje!
Simbas Kishës Katolike e edhe asaj Ortodokse, Maria ose shenjtorë të tjerë mund të
komunikojnë në mënyra të ndryshme me njerëzit. E sidomos, të bëjnë mrekulli. Në rrjedhë
shekujsh mijëra njerëz që, me zemër të pastër e të penduar, iu drejtuan Virgjërës
Mari për ndërmjetësim, dëshmojnë se nxorrën hirin e dëshiruar: lehtësimin e shpirtit
në çaste të hidhura; ngadhënjimin mbi padrejtësitë e ndyrësitë e kësaj bote; shërimin
e pashpjegueshëm nga sëmundje të rënda, shpëtimin në situata të jashtëzakonshme rreziku,
afërsinë në vetmi; praninë në braktisje, gëzimin mes lotëve, ndihmën në ngushtica,
ngushëllimin në raste vdekjesh, paqen në luftë, mposhtjen e tundimeve e sa e sa mrekulli
të tjera, që i shtyjnë me miliona zemra njerëzore t’i drejtohen Marisë me emrin më
të dashur: Nënë! Një kapitull më vete përbëjnë dukjet e Zojës së Bekuar, në kohë
e vende të ndryshme të botës. Ndër dukjet më të famshme (por jo gjithnjë të njohura
nga Kisha) kujtojmë dukjen në Karavagjio të Italisë, më 26 maj 1432; në Gudalupe (1531),
Kapurso Zoja e Pusit (30 gusht 1705), Ry dë Bak (Paris 1930), La Salette (1846), Lurdë
(11 shkurt 1858), Nok (21 gusht 1879), Kastelpetrozo (1917), Sirakuzë (1953) e, së
fundi, në Medjugore (1981). Por s’duhet të shkojmë larg, që të bindemi për mrekullitë
e Marisë. A s’është mrekulli e Zojës dukja e figures së saj në muret e Kishës bri
Rozafës, që iu kushtua, nën titullin e Këshillit të Mirë? E pastaj, largimi për të
shpëtuar nga dhunimi i turqve, në atë kohë, kur ushtria otomane trokiste me breshëri
topash në portat e Kështjellës? E edhe gojëdhëna e mrekullueshme e shoqëruesve, që
e kaluan detin në këmbë, si izraelitët e Besëlidhjes së Vjetër? Rrënimi disa herë
i Kishës dhe rindërtimi i saj, deri në rikthimin e Figures, me dorën e Gjon Palit
II, papës së parë që shkelte në trojet e bekuara të kësaj Kishe? E muret që tundeshin
përsëri nga urata: “O Zoja e Shkodrës, lutu për ne!”?