Shën Rita, e cila vijon të fitojë çdo ditë të devotshëm të ri, për shkak të hirit
që ka marrë dhuratë nga Zoti, lindi më 1381 në Rokaporena, pranë Perugjës. U rrit
në frikë të Zotit pranë prindërve të saj, në moshë të shkuar. I respektoi aq, sa për
të përmbushur vullnetin e tyre, hoqi dorë nga jeta rregulltare, e cila i pëlqente
aq shumë e u martua me Paolo Ferdinandin, njeri i tërbuar, që një ditë prej ditësh
u gjet i vdekur në një hendek. Të bijtë, tashmë të rritur, u betuan t’ia marrin gjakun.
Rita bëri çmos t’i bindte të hiqnin dorë, por qe e pamundur. Atëherë iu lut me gjithë
zemër Zotit t’ia marrë, më mirë se të bëhen gjakësorë. Lutja e saj, në këndvështrimin
njerëzor krejt e pakuptueshme, u dëgjua. Djemtë i vdiqën. Atëherë Rita hyri në kuvend
e ia kushtoi veten lutjes e dashurisë për Krishtin e kryqëzuar, i cili ia shënoi mrekullisht
fytyrën e vet me një gjemb në lule të ballit. E figura hyjnore i mbeti aty, deri në
vdekje, në sa pas vdekjes trupi i saj mbeti si të ishte i gjallë. Zoti, duke ia pranuar
lutjen për të arritur të paarritshmen, e bëri Pajtore të gjithë atyre që vuajnë për
shkaqe, në dukje pa rrugëdalje. Ndërmjetësuese e përshtatshme për shqiptarët, që
vijojnë gjakmarrjen - nëna e shenjtë, e cila i dhuroi Zotit jetën e re të bijve të
vet, vetëm e vetëm që të mos bëheshin gjakësorë. Çdo vit në Itali njerëzve që falin
gjaqet u jepet çmimi “Shën Rita”. A nuk do të ishte e arsyeshme të jepej një çmim
i tillë edhe në Shqipëri, ku vijon një fenomen tepër i pakuptueshëm për botën e qytetëruar,
fenomeni i tmerrshëm i ngujimit nga frika e gjakmarrjes?