2012-05-22 11:12:05

Benedikti XVI laikëve katolikë: ndiqni logjikën e dhuratës, ekonomia e politika kanë nevojë për shërbim pa interes.


“Të ecin përpara me impenjim personal e shoqëror, duke e dëshmuar Ungjillin e dhurimit e të shërbimit falas”: kjo ishte ftesa, që Benedikti XVI u drejtoi tetëmijë anëtarëve të Federatës së organizmave të krishtera të shërbimit ndërkombëtar vullnetar (Focsiv), Lëvizjes kishtare të impenjimit kulturor (Meic) dhe Lëvizjes së krishterë të punëtorëve (Mcl), me të cilët u takua këto ditë, në Sallën e Palit VI, në Vatikan.
Papa i inkurajoi të pranishmit të vijojnë impenjimin në favor të vëllezërve, duke vënë në dukje padrejtësitë, duke dëshmuar vlerat mbi të cilat ngrihet dinjiteti i njeriut e duke promovuar forma të solidaritetit, që favorizojnë të mirën e përbashkët. Ati i Shenjtë Ratcinger kujtoi edhe se Meic, që sivjet kremton 80-vjetorin e themelimit, pati lindur si Lëvizje e të diplomuarve të Veprimit Katolik e se, përmes impenjimit kulturor dhe edukativ, dëshiron të kontribuojë për edukimin e laikëve të krishterë, të përgatitur në fusha të ndryshme të kulturës, që të japin ndihmesën e tyre në shërbim të së mirës së përgjithshme të shoqërisë.
E pastaj, Focsiv. Federata më e madhe e organizmave të vullnetariatit ndërkombëtar me frymëzim të krishterë, e pranishme në Itali me 65 organizata e më se 60 mijë anëtarë e ndihmës, që sivjet kremton 40-vjetorin e themelimit. Të njëjtën rrugë ka përshkuar edhe Lëvizja e krishterë e punëtorëve, shoqatë me karakter shoqëror, solidar e vullnetar, që lufton për mbrojtjen e parimeve të krishtera në jetë, në kulturë, në rendin shoqëror e në ligjshmëri. Tri shoqata tejet të rëndësishme kishtare, shpjegoi Ati i Shenjtë, historikisht të bashkuara nga vepra e urtë e shërbëtorit të Zotit, Papës Pali VI, të cilin sot e kujtojmë plot mirënjohje për shtytjen që u dha këtyre lëvizjeve të suksesshme në gjirin e besimtarëve të krishterë.

Përvjetoret, vijoi Papa, janë raste të përshtatshme për ta rimenduar rrugën e përshkuar, por edhe për ta shikuar me vështrim kritik, duke vlerësuar zanafillën historike me syrin e ngulur tek shenjat e kohës:
“Kultura, vullnetariati e puna përbëjnë trinomin e pandashëm të impenjimit të përditshëm të laikatit katolik, që dëshiron ta bëjë të dukshme përkatësinë ndaj Krishtit e Kishës së Tij, si në mjediset private, ashtu edhe në sferën publike të shoqërisë. Besimtari laik e kryen detyrën, që i takon, në njërën nga këto tri fusha e, në shërbimin kulturor, në veprimtarinë solidare ndaj njeriut nevojtar e në punë, përpiqet të promovojë dinjitetin njerëzor”.
Tri fusha, me një emërues të përbashkët që, për Papën, kanë një themel të vetëm: “dhurimin e vetvetes”. Impenjimi kulturor, e sidomos ai shkollor e universitar, që synon të përgatisë breznitë e reja, shkon përtej transmetimit të nocioneve teknike e teorike: kërkon dhurimin e vetvetes me fjalë e me shembull.
Vullnetariati, burim i pazëvendësueshëm i shoqërisë, nuk kërkon aq të japësh gjëra, por më shumë, të dhurosh vetveten, përmes ndihmës konkrete, që i jepet njeriut nevojtar.
Së fundi, puna, që nuk është thjesht mjet fitimi individual. Papa e shikon si çast, në të cilin shprehen aftësitë, përmes kontributit, me frymën e shërbimit, në veprimtaritë profesionale të të gjitha llojeve, duke nisur nga puna e krahut, tek ajo bujqësore, nga ajo shkencore tek ajo kulturore, pa kujtuar këtu gamën e pafundme të veprimtarive njerëzore.
Por, për anëtarët e lëvizjeve, nënvizoi Papa, ky mision ka një ngjyrim të veçantë, atë të krishterë:
“Veprimtaria juaj duhet të frymëzohet nga dashuria e krishterë: e kjo do të thotë ta shikosh jetën me sytë e Krishtit e t’i japësh tjetrit shumë më tepër se sendet e domosdoshme për jetën fizike; t’i dhurosh një shikim, një gjest dashurie për të cilin ka aq shumë nevojë. E kjo lind nga dashuria, që vjen nga Zoti, i cili na desh i pari; lind nga takimi i thellë me Të”.
Është, pra, logjika e dhurimit, logjikë shpesh e nëpërkëmbur që, u tha Papa të pranishmëve në Sallën e Palit VI, ju e vlerësoni dhe e dëshmoni. E kjo do të thotë:
“Të dhurosh kohën tënde, aftësitë e kompetencat tuaja, përgatitjen tuaj profesionale; me një fjalë, t’i kushtosh vëmendje tjetrit, pa pritur shpërblim në këtë botë. E unë ju falënderoj për këtë dëshmi të madhe. Duke vepruar kështu, jo vetëm që i bëni mirë tjetrit, por gjeni edhe lumturinë e thellë, sipas logjikës së Krishtit, që na dhuroi gjithë vetveten”.
Një dashuri pa interes, kjo që kujtoi Benedikti XVI, përvoja e së cilës fitohet kryesisht në familje:
“Kur kjo nuk ndodh, ajo e humbet natyrën e vet, hyn në krizë. Kur jetohet në familje, dhurimi pa kushte për të mirën e tjetrit është çast edukativ, themelor për të mësuar si duhet të jetojë i krishteri edhe në lidhje me kulturën, me vullnetariatin, me punën”.
Koncept ky, që e gjejmë tek Enciklika “Caritas in Veritate”, në të cilën Papa kujton modelin familjar të logjikës së dhurimit edhe në përmasën universale; vetëm drejtësia nuk mjafton, nëvizon Papa, pa dhurim, nuk mund të ketë drejtësi të vërtetë. Mësim i madh ky i Benediktit XVI, që i kujton botës se:
“Gjithsesi, si ekonomia, ashtu edhe politika, kanë nevojë për dhurim, për njerëz me aftësi dhurimi reciprok”.







All the contents on this site are copyrighted ©.