2012-05-21 10:17:00

Tërmet në Emilia: 7 të vdekur e 3 mijë pa shtëpi


Tërmet në Emilia të Italisë. Deri tani, viktimat janë 7, të plagosurit 50 e të shpërngulurit rreth 3000. Të mëdha, dëmet materiale, sidomos ato të pasurisë e trashëgimisë artistike të zonës.
Pavarësisht se tërmeti ra në natën ndërmjet së shtunës e së dielës, me epiqendër ndërmjet Modenës dhe Ferrarës, edhe mbrëmë, banorët vazhduan të ndjejnë lëkundjet e tokës e të flenë jashtë. Viktimat, ndër të cilët katër punëtorë fabrike – tre italianë e një maroken – humbën jetën nën rrënojat e ndërmarrjeve, ku punonin në turnin e natës. Një grua 103 vjeçare mbeti e vrarë nën peshën e tavanit të shembur, ndërsa dy gra të tjera vdiqën për shkak të infarktit.
Zona industriale ka pësuar dëme të mëdha, por dëmet e pasurisë artistike janë të pallogaritshme. Është shembur Kulla e Sahatit, apo e Modenezëve, në Finale Emilia, kështjella “Rocca Estense”, ndërtuar nga arkitekti i madh Bartolino i Novarës në vitin 1402 mbi fortifikime mesjetare. Janë dëmtuar rëndë kisha e Vdekjes së Mirë, ajo e Rruzares dhe ajo e Zojës Nunciatë, ndërtuar në shekujt XVI e XVII, si edhe Duomo e qytetit, vepër e viteve ‘400, ristrukturuar deri në vitet e para ‘800. Në Ferrara, nuk mund të konsultohet më Arkivi dhe janë mbyllur Muzeu Arkeologjik e Pinakoteka. Në Modena, nuk funksionon Galeria Estense.
Nesër, Këshilli i Ministrave do të formalizojë gjendjen e mergjencës. Kryeministri italian Monti është kthyer urgjentisht nga SHBA-të, ku duhej të merrte pjesë në mbledhjen e NATO-s.








All the contents on this site are copyrighted ©.