2012-05-21 17:05:40

Papa: sot jam i rrethuar prej miqve të mi kardinaj. Së bashku me Zotin në luftën kundër së keqes.


Benedikti XVI takoi kolegjin kardinalor gjatë një dreke të përbashkët në Sallën Ducale në Vatikan. Ishte, siç tha Papa, një moment i përzemërt, para së gjithash për të falënderuar Zotin së bashku “ me miq”, për shumë vite të frytshme që i ka dhuruar, dhe për t’ia besuar Hyjit të Gjithëpushtetshëm jetën e Kishën. Ishte një sofër vëllazërimi urimesh e uniteti.
Kardinajt janë “miqtë e mi”: me këto fjalë të thjeshta e të përzemërta, Benedikti XVI i falënderoi anëtarët e Kolegjit kardinalor, me rastin e drekës vëllazërore gjatë së cilës Ati i Shenjtë Ratcinger reflektoi mbi shtatë vjetët e Papnisë së tij e mbi 85-vjetorin e lindjes.
Në këtë moment – tha Benedikti XVI në fjalimin e tij, siç shkruan gazeta Osservatore Romano – fjala ime mund të jetë vetëm një fjalë Falënderimi. Falënderim në rend të parë Zotit për shumë vite që më ka dhuruar. Vite – shtoi Papa – me shumë ditë gëzimi, kohë të shkëlqyeshme, por edhe net të errëta. Në retrospektivë -komentoi Papa Ratcinger - sot kuptohet pse edhe netët qenë të nevojshme e të mira, motiv mirënjohjeje”.
Papa pastaj nënvizoi se si edhe në botën e sotme ndjehet nevoja e një “Ecclesia militant” – të një Kishe që angazhohet në asgjësimin e së keqes:
“Shohim se si e keqja kërkon të sundojë në botë e prandaj është e domosdoshme të hyjmë në luftë kundër së keqes. Shohim se si në shumë mënyra, të përgjakshme, me forma të ndryshme të dhunës, por madje edhe duke u maskuar me të mirën, e pikërisht në këtë mënyrë është duke i shkatërruar themelet morale të shoqërisë”.
E kështu, Ati i Shenjtë duke fol për betejën e së keqes që ka për qëllim të sundon botën, e citoi shën Agostinin, për të cilin e tërë historia është një “luftë ndërmjet dy dashurive”, “dashuria për vetvete deri në përbuzje të Zotit, dashuria e Hyjit deri në përbuzje të vetvetes në martirizim”.
“Ne jemi në këtë betejë e në këtë betejë është shumë e rëndësishme të kesh miq. Unë jam i rrethuar prej miqve të Kolegjit kardinalor: janë miqtë e mi dhe ndjehem në shtëpinë time, ndjehem i sigurt në këtë shoqëri të miqve të mëdhenj që rrinë me mua e, të gjithë së bashku, me Zotin”.
Kështu Papa i falënderoi kardinajt “për ndarjen e përbashkët të gëzimeve e të dhimbjeve”. E së fundit pati fjalë inkurajimi për të gjithë:
“Të shkojmë përpara, Zoti ka thënë: ‘Guxim! E kam mundur botën’. Jemi ‘skuadër’ e Zotit, prandaj jemi në ‘skuadrën’ fitimtare”.







All the contents on this site are copyrighted ©.