2012-05-21 11:21:25

Një mendim për Zojën e Bekuar, në muajin maj: Maria në Ungjijtë apokrifë


Nga polemikat, që i kujtuam në emisionet e kaluara, kalojmë tek vendi që zë Maria në Ungjijtë apokrifë.
Sipas Protoungjillit të Jakut, prindërit e Marisë, Ana e Joakini, e lindën vajzën kur ishin në moshë të shtyrë, pas një bashkëjetese të gjatë pa trashëgimtarë, të turpshme për hebrenjtë e kohës, që mendonin se bashkëshortët e kanë për detyrë të lindin fëmijë. Sipas traditës, Ana, Joakini e Maria banonin në Jeruzalem, pranë Portës së Luanëve, në pjesën veriperëndimore të qytetit të vjetër, atje ku edhe sot e kësaj dite mund të soditen rrënojat e Pishinës së Betzaetës. Sot në këtë zonë lartohet një Kishë e ndërtuar nga kryqtarët në shekullin XII, kushtuar Shën Anës.
Maria, që zu të ecte kur ishte gjashtë muajsh, ndenji në tempull nga mosha 3 vjeçare, deri në moshën e pjekurisë. E pastaj shkoi nuse te Jozefi, caktuar mrekullisht si shok jete i Vashës, përmes lulëzimit të një shkopi. Prej këndej ikonografia e paraqet gjithnjë me një shkop, në majën e të cilit lulëzon zëmbaku, simbol i pastrisë.
Sipas Ungjillit apokrif të Bartolomeut, Maria e mori lajmin e madh të shëlbimit, që kur ishte ende në Tempull të Jeruzalemit. Zoti vetë i tha Vashës:
“Gëzohu, o hirëplote e vazo e zgjedhur. Sa të kalojnë tri vjet, do të të dërgoj Fjalën time; ti do të lindësh një djalë, përmes të cilit do të shpëtojë e gjithë krijesa. Do të jesh kelk i botës. Paqja qoftë me ty, o e dashura ime...”.
Apokrifë të tjerë e përshkruajnë skenën e Lajmërimit pranë një burimi; të tjerë, në shtëpinë e Vashës. Sipas traditës, Kryeengjëlli Gabriel u duk para Marisë më 25 mars. E kjo datë u caktua për të respektuar kalimin e nëntë muajve, deri në lindjen e Jezusit, caktuar më 25 dhjetor.
Ungjilli sipas Filipit e shikon si pohim absurd zënien e Marisë për virtyt të Shpirtit Shenjt. Sipas tij, fjala shpirt, në hebraisht ‘ruah’, është e gjinisë femërore. Apokrifi filipian shpjegon se Jezusi herën e parë lindi si njeri nga Maria e Jozefi; pastaj edhe si Zot, menjëherë pas pagëzimit. Shkruan Filipi: “Disa thonë se Maria u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. E kanë gabim! Nuk dinë ç’thonë. E kur ka ngjarë ndonjëherë, që një grua të ketë fëmijë me një grua?”.
“E Zoti nuk do të kishte thënë: “Ati im, që është në qiell”, në se nuk do të kishte pasur edhe një atë tjetër, por do të kishte thënë vetëm: “Im atë”.
Kaq për figurën e Marisë në ungjijtë apokrifë, pak e aspak të besueshëm, më shumë legjendarë, sesa të historikë. Prej këndej, Kisha katolike ka zgjedhur prej kohe katër Ungjijtë e mirënjohur nga të gjithë të krishterët katolikë.







All the contents on this site are copyrighted ©.