Me 21 maj kalendari kujton shën Viktorin e shokët martirë.
Me 21 maj kalendari Kishtar përkujton Shën Viktorin e shokët e tij martirë.
Viktor do të thotë fitimtar e simboli i shenjtit, ashtu si i gjithë martirëve, është
palma, të cilën ai e fitoi duke u martirizuar për Krishtin. Për shenjtin dimë pak
e aspak. Dihet vetëm se u martirizua në Çezare të Kapdoçies e se ishte romak. Nga
‘Martiriologu Jeronimian’ që e vendos festën e tij më 21 maj, së bashku me dy martirë
të tjerë, Polieutin e Donatin, kaloi në ‘Martirologun Romak’. Gjë tjetër nuk dihet.
Megjithatë grupi i martirëve nuk mungon asnjëherë në martiriologët historikë perëndimorë.
Mungesa e njoftimeve, në kundërshtim me rregullat, nuk e mbuloi shenjtin me pluhurin
e harresës. Përkundrazi: Viktori kujtohet e njihet më tepër në histori sesa kujtohej
e njihej sa ishte gjallë. Emri Viktor është shumë i përhapur në mbarë botën. Ndër
shqiptarë pagëzohen me këtë emër djem e vajza, që quhen Viktor, Vitor, Vitore a Viktorí.
Në Angli me këtë emër qe pagëzuar mbretëresha e famshme Viktoria, emri i të cilës
shënoi një epokë, një stil: epokën e stilin viktorian. Në Itali me emrin Viktor u
quajtën shumë princër e mbretër të Shtëpisë Savoja. Shenjti është pajtor i njerëzve
që rrezikohen nga rrufetë, nga breshëri e nga shpirtrat e këqij.