2012-05-21 13:47:02

Benedikti XVI në lutjen Mbretëreshës Qiellore: në Brindizi dhunë e egër, e ulët. Solidaritet për të dëmtuarit nga tërmeti në Emilia Romanja.


“Dhimbje e thellë për atentatin e ulët, në një nga shkollat e Brindizit dhe lutje për popullsitë e dashura të Emilia Romanjës, dëmtuar rëndë nga tërmeti”. Kështu i kujtoi Papa, gjatë lutjes drejtuar Mbretëreshës Qiellore, ngjarjet e fundit tragjike në Itali. Reflektoi, më pas, për kuptimin e të Shëlbuemit, që kremtohej dje në shumë vende të botës. Ati i Shenjtë foli edhe për Ditën e Komunikimeve Shoqërore, për të përshëndetur, më pas, katolikët e Kinës, të cilët do të kremtojnë, të enjten e ardhshme, Festën e Zojës Ndihmëtare, që nderohet në mënyrë të veçantë në Shangai.
Së fundi, një përshëndetje Lëvizjes italiane për Jetën, përfaqësuesit e së cilës ishin mbledhur në Sallën e Palit VI, në një takim në mbrojtje të jetës, si dhe shtegtarët e shumtë në Sheshin e Shën Pjetrit.
Në qendër të vëmendjes, dje, në lutjen e mesditës, aktualiteti tragjik i Italisë, prekur nga fatkeqësi, shkaktuar nga natyra e nga dora njerëzore:
Këtu, sot, për fat të keq, duhet të kujtoj të rejat e të rinjtë e shkollës së Brindizit, tronditur thellë dje nga një atentat. Të lutemi së bashku për të plagosurit, disa nga të cilët në gjendje të rëndë; posaçërisht për të renë Melisa, viktimë e pafajshme e dhunës mizore e për famijarët, në zi për humbjen e saj”.
Prekëse, atmosfera, që i përgjigjej me dhimbje, dhimbjes së Papës: emocion popullor, i shprehur përmes parullave të mëdha, në të cilat shkruhej: “Lamtumirë Melisa”!”.
E, pas të rinjve brindizianë, Benedikti XVI kujtoi edhe popullsitë e dashura të Emilia Romanjës, dëmtuar rëndë, pak orë para lutjes, nga një tërmet i fuqishëm, shkatrrimtar:
“Jam shpirtërisht pranë njerëzve të vënë në provë nga kjo fatkeqësi e natyrës; të lypim prej Zotit mëshirën për të vdekurit e lehtësimin e vuajtjes për të plagosurit”.
Gjatë lutjes mariane, Papa reflektoi kryesisht për të Ngjiturit e Krishtit në Qiell, domethënë, për rikthimin e Zotit tek Ati, nga i cili ishte dërguar në botë. Të Shëlbuemit, shpjegoi Papa, shënon përmbushjen e shëlbimit, që nisi me Mishërimin: ashtu si për ne Jezusi zbriti nga qielli, për ne vuajti e vdiq në kryq, kështu për ne u ngjall e u ringjit në qiell, pranë Hyjit Atë, i cili nuk është më larg nesh, por është Hyji ynë, Ati ynë. Prej këndej, të Shëlbuemit, shpjegoi Benedikti XVI, është akti i fundit i çlirimit tonë nga zgjedha e mëkatit:
Të shëlbuemit na kujton se në Krishtin, ne, njerëzit, u ngjitëm në lartësitë e Hyjit; kështu, sa herë lutemi, toka bashkohet me qiellin. E ashtu si temjani, duke u djegur, larton tymin erëmirë, kështu, kur i lartojmë Zotit lutjen tonë të zjarrtë besimplote në Krishtin, ajo përshkon qiejtë, arrin tek froni i Hyjit e Zoti na dëgjon e na i plotëson dëshirat”.
Papa kujtoi, më pas, Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore, me temë: “Heshtja e Fjala, udha e ungjillëzimit”:
“Heshtja, dëgjimi, është pjesë përbërëse e komunikimit, është hapësira e zgjedhur për takimin me fjalën e Zotit e me vëllezërit e motrat tona. I ftoj të gjithë të luten që komunikimi, në larminë e formave të tij, të shërbejë për të krijuar gjithnjë me të afërmin një dialog të vërtetë, të themeluar mbi respektin reciprok, mbi dëgjimin e mbi aftësinë për të ndarë bashkë të mira e të vështira”.
Një kujtim i përzemërt, pastaj, për katolikët në Kinë: të enjten e ardhshme bie festa liturgjike e Zojës Ndihmëtare, që nderohet me devocion të madh në Shenjtëroren e Sheshanit, në Shangai:
Bashkohemi në lutje me të gjithë katolikët në Kinë, që ta kumtojnë me përvujtëri e gëzim Krishtin e vdekur e të ngjallur, të jenë besnikë të Kishës së Tij e të Pasardhësit të Shën Pjetrit e të jetojnë ditë për ditë në përkim me fenë, që praktikojnë. Mari, Virgjër besnike, ndihmoji katolikët kinezë, bëje lutjen e tyre përherë më të thellë e më të çmuar para syve të Zotit e ndërmjetëso të rritet gjithnjë më shumë dashuria e pjesëmarrja e Kishës universale në ecjen përkrah katolikëve kinezë”.
Një përshëndetje të përzemërt, në përfundim të lutjes, Papa u drejtoi anëtarëve të Lëvizjes italiane për Jetën, mbledhur dje në Sallën e Palit VI, për të kremtuar “Lifeday” (Ditën për jetën) 2012.
Lëvizja juaj impenjohet gjithnjë në mbrojtje të jetës njerëzore, sipas mësimeve të Kishës. Në këtë vijë, dhatë njoftimin për një nismë të re, të quajtur “Një nga ne”, për të mbështetur dinjitetin e të drejat e çdo njeriu, që nga zënia. Ju inkurajoj e ju nxis të jeni gjithnjë dëshmitarë e ndërtues të kulturës së jetës”.Pas përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, drejtuar shtegtarëve, ardhur nga të katër anët e botës, që kishin mbushur përplot Sheshin e Shën Pjetrit, Papa kujtoi, në përfundim, pjesëmarrësit në një takim, kushtuar Katekizmit të Kishës Katolike, si dhe përfaqësuesit e “Consorzio Greenvision”, që bashkëpunojnë me spitalin e “Krishtit Fëmijë” në Romë, për parandalimin dhe mjekimin e sëmundjeve të syve.







All the contents on this site are copyrighted ©.