2012-05-18 17:33:36

Një mendim për Zojën e Bekuar, në muajin maj: Virgjëria e Marisë.


Pohimi i Virgjërisë së përhershme të Marisë, u pasua me ndeshje mendimesh pro e kundra, ndërsa dogma, me polemika të ashpra, edhe në gjirin e Kishës katolike. Qëndrimet e ndryshme, shpesh në kundërshtim njëri me tjetrin, shkas grindjesh e përçarjesh, bazohen kryesisht mbi interpretime të ndryshme të fragmenteve të Ungjijve, që flasin për ‘vëllezërit e Jezusit’.
Sipas botës protestante (por jo Luterit e Kalvinit, përkatësisht themelues të protestantizmit e kalvinizmit), vëllezërit e Jezusit ishin fryt i martesës së Marisë me Jozefin. Ky qëndrim mbështetet mbi faktin se Besëlidhja e Re është e shkruar në greqisht, gjuhë që përdor dy fjalë të ndryshme, për të dalluar vëllezërit e një nëne, nga thjeshtrit.
Në kundërshtim me protestantët, katolikët dhe ortodoksët e shpjegojnë fjalën, duke u nisur nga mendësia semitike, sipas së cilës gjithë meshkujt e një gjaku e quajnë njëri tjetrin vëllezër; femrat, motra. Mendësi, që e gjejmë edhe në traditën e lashtë shqiptare. Prej këndej, shprehja ‘vëllezërit e Jezusit”, që përmendet disa herë në Ungjijtë sinoptikë, nuk i bie aspak ndesh Virgjërisë së Marisë, sipas Testamentit të Ri.
Një nga provat më të pakundërshtueshme gjindet pikërisht në Ungjillin sipas Mateut (Mt 1,23), në të cilin Ungjilltari pohon se Maria u martua me Jozefin, por ‘nuk bëri shtrat me të”, në gjuhën greke, ‘nuk e njohu”.
Dihet se folja ‘me njohë’ në Bibël ka kuptimin e lidhjes së ngushtë fizike. Përdoret që në Librin e Zanafillës (Zan 4, 1), në të cilin shkruhet se Adami ‘e njohu Evën’ e ajo zuri e lindi Kainin, birin e parë e vëllavrasësin e parë të njerëzimit në djep.
Ndërsa, duke u nisur nga përshkrimi i Mateut (Mt1,25), mund të arrijmë në përfundimin se “Para lindjes së Jezusit, Maria e Jozefi nuk patën lidhje të ngushta bashkëshortore”. Kaq pohon Ungjilltari, pa e parë të arsyeshme të sqarojë ç’ngjau pas Lindjes së Zotit, ndoshta sepse gjë e ditur nga të gjithë.
Shkruan Mateu: “Si u zgjua nga gjumi, Jozefi bëri ashtu si e kishte urdhëruar Engjëlli i Zotit; e mori me vete vashën e vet, e cila pa pasë bërë shtrat me të, lindi një fëmijë, të cilit ai ia ngjiti emrin Jezus (Mat 1,25).
Krishtërimi e gjen në Ungjillin e Lukës (Lk1,34), provën, që vërteton, pa asnjë dyshim, se Maria kishte bërë kushtin e virgjërisë së përhershme. Mjafton të kujtojmë dialogun e Kryeengjëllit me Vashën e Nazaretit: “E engjëlli i tha: “Mos u frikëso, o Marí, sepse ti je gjetur e pëlqyeshme para Hyjit: qe se ke për të zënë në kraharor e ke për të nxjerrë në dritë një djalë, të cilit ke për t’ia ngjitur emrin Jezus...”.
Atëherë Maria i gjegji Engjëllit: “Si është e mundur? Unë nuk njoh burrë!”.Ia ktheu Engjëlli: “Shpirti Shenjt do të zbresë në ty, mbi ty do të shtrijë hijen e vet pushteti i të lartit Zot. Prandaj ai që do të lindet prej teje, do të jetë shenjt e do të quhet i Biri i Hyjit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.