2012-05-18 19:34:41

Një mendim për Zojën e Bekuar, në muajin maj: pohimi i vetë Shejtanit për Virgjërinë e Marisë.


Vlerën e Marisë në planin hyjnor, duket se u shtrëngua ta pohojë deri vetë Shejtani, i detyruar të përgjigjet përmes pushtetit të ekzorçizmit. Ngjarje sa reale, aq misterioze. Jemi në vitin 1823. Në kuvendin domenikan të Ariano Irpinos, në Avelino (Itali), paraqitet papritmas, një djalë 12 vjeç, i shoqëruar nga prindërit. I pushtuar nga Djalli, endej varrezash e s’kish njeri që mund ta mbante të lidhur, as me vargonj, sepse i këpuste hekurat, rrihte gjoksin e shkallmohej me gurë. Ashtu të lidhur, duke u përpëlitur e duke u shkumbavitur, e sollën zvarrë në Kishë. Dy predikatarë domenikanë, atë Kasiti e atë Pinjataro, nisën ekzoçizmin. Fëmija, i pushtuar prej shpirtit të keq, u përplas përdhe, me britma edhe më të forta. Nisi të flasë gjuhë të huaja, fare të panjohura. Nuk kishte asnjë dyshim. Atëherë ekzorçistët i dhanë urdhër Djallit të dëshmonte se Maria qe zënë pa mëkat. Çuditërisht, e për habinë e jashtëzakonshme të Papës Piu XI, Shejtani iu përgjigj kërkesës me një tingëllimë, në përkim të përsosur me dogmën e mëvonshme të të Zënit të Papërlyer të Zojës së Bekuar:

“Nanë e vertetë jam unë e Zotit Bír,
E bija e tij un jam, me gjith qi ai m’ka nanë;
Ç’ n’amshim aj leu, por âsht gjithnji em Bir;
Un leva n’kohë, por prap ai mue m’ká nanë.

Aj âsht Krijuesi i em, por âsht em Bír;
Kreatyra e tij un jam, por ai m’ká nanë,
Kje mrekullí e Zotit t’ishte em bir,
Nji Zot i amshuem e t’më kishte mue për Nânë

T’kenunt e kanë t’përbashkët nânë e bir;
E t’kênun paçë prej birit t’ em unë nânë.
E t’kênun pat prej mejet edhè em bir.

Masi prej Birit t’kênun paçë un nânë
Don thanë se, a kje me mkat edhé em Bír,
apor pa mkat jam un qi Atij i jam nânë.

Kjo tingëllimë u përhap me shpejtësi në të gjithë botën katolike, si një kumt tronditës, ndërmjet misterit e realitetit. Përshkohej prej frymëzimit dantesk, që e paraqet Zojën e Bekuar si Bija e të Birit, Krijesë e Krijuesit, “Nanë e Bir me nji të kenun të përbashkët”. E më vonë do të vërehej edhe përkimi me dogmën, e cila pohon pikërisht lidhjen e pazgjidhshme Nënë e Bir: Biri i lindur që në amshim; Nëna, në kohë, pa asnjë hije mëkati.
Fakti, që tingëllimën e përktheu Imzot Vinçenc Prennushi, duke e përfshirë në vëllimin e tij të famshëm poetik “Gjeth e Lule”, tregon se nuk është aspak e panjohur për shqiptarët!







All the contents on this site are copyrighted ©.