Benedikti XVI ipeshkvijve të SHBA: besnikëria jonë ndaj Ungjillit mund të na kushtojë
shtrenjt.
“Mbështetje ndaj emigracionit, besnikëri ndaj Ungjillit, pavarësisht nga çmimi që
duhet paguar, e afërsi ndaj njerëzve”: këto, thënë përmbledhtas, ishin problemet,
mbi të cilat u përqendrua Papa sot paradite, duke pritur 15 prelatë të ritit lindor
të Konferencës Ipeshkvnore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në vizitë “ad Limina”.
Me këtë takim përfunduan vizitat e ipeshvijve amerikanë në Vatikan, që vijuan për
gjashtë muaj me radhë. Kujtojmë se të gjithë ipeshkvijtë katolikë të botës vijnë çdo
pesë vjet në Vatikan për vizitë ‘ad Limina”. I sotmi, ishte një takim me ipeshkvijtë
e Kishave të ndryshme lindore, të pranishme në SHBA, që mishërojnë në mënyrë të pashembullt
pasurinë etnike, kulturore e shpirtërore të bashkësisë katolike amerikane, të së tashmes
e të së ardhmes. Audienca e sotme shënonte përfundimin e vizitës “Ad Limina”, në atmosferën
e sfidave të ngutshme, që duhet të përballojë sot Kisha amerikane. Historikisht, kujtoi
Benedikti XVI, Kisha në Amerikë ka luftuar vazhdimisht për intregrimin, me të gjitha
larmitë e veta e, ndonëse me shumë vështirësi, ia doli mbanesh të farkëtojë bashkimin
në Krishtin e në fenë katolike, tipike për mbarë Kishën. Në gjashtë muaj bisedimesh
me përfaqësuesit e Konferencës Ipeshkvnore të SHBA, dy ishin pikat, që Papa i quajti
kryesore për misionin e ipeshkvijve, në krye të grigjës së Krishtit, duke vënë në
dukje vështirësitë, por edhe mundësitë e mëdha, që krijon koha e sotme.
Papa
shprehu kënaqësinë e tij lidhur me përpjekjet e vazhdueshme të ipeshkvijve për zgjidhjen
e problemeve të emigracionit, që vijon në vend. Bashkësia katolike në SHBA, shpjegoi
Ati i Shenjtë, vijon të mikpresë me bujari të madhe valët e emigrantëve të rinj, që
dynden vazhdimisht drejt vendit, duke u siguruar ndihmë baritore, strehim, mbështetje
për kapërcimin e pengesave, që ndeshin gjithnjë njerëzit, në shtegtim drejt vendeve
të tjera, në kërkim të kushteve më të mira të jetesës, posaçërisht kur është fjala
për lëvizjen e familjeve e të fëmijëve.
Një shenjë e posaçme është impenjimi
i vazhdueshëm i ipeshkvijve amerikanë për reformën e emigracionit. Bëhet fjalë,
sqaroi Papa, për një problem të vështirë e të ndërlikuar në këndvështrimin civil e
politik, shoqëror e ekonomik, por mbi të gjitha, në atë human. E pikërisht këtë këndvështrim
e ka shumë për zemër Kisha, sepse bëhet fjalë për trajtimin e drejtë e për mbrojtjen
e dinjitetit të njeriut, në kushtet e emigrantit. Edhe në ditët tona, shtoi Benedikti
XVI, Kisha në Amerikë është e thirrur të mikpresë, të integrojë, të kultivojë trashëgiminë
e pasur të fesë e të kulturës së bashkësisë së emigrantëve, e jo vetëm të riteve tuaja,
u kujtoi Papa ipeshkvijve lindorë, por edhe të grupeve të mëdha të katolikëve hispanikë,
aziatikë e afrikanë. Detyra impenjative baritore për të krijuar bashkimin e kulturave
në gjirin e Kishave vendase, nënvizoi Ati i Shenjtë, duhet parë si detyrë e dorës
së parë në ushtrimin e shërbimit tuaj për krijimin e unitetit. Ky bashkim, vijoi Benedikti
XVI, nuk kërkon thjesht respektin për larmitë gjuhësore, për zhvillimin e traditave
të shëndosha, sigurimin e programeve shoqërore të shërbimeve, aq të rëndësishme. Kërkon
një impenjim të vazhdueshëm në predikim, në katekizëm e në baritori, me synimin që
të gjithë besimtarët ta ndjejnë më thellë bashkimin në fenë apostolike e t’i kuptojnë
më mirë përgjegjësitë e tyre ndaj misionit të Kishës në SHBA. Kuptimi i kësaj sfide
nuk mund të nënvleftësohet: trashëgimia e pamasë dhe energjitë emocionuese të breznisë
së re të katolikëve presin të shfrytëzohen për risimin e jetës së Kishës dhe rindërtimin
e indit shoqëror amerikan.
Impenjimi në shërbim të këtij uniteti është
i nevojshëm, shtoi Papa, jo vetëm për të përballuar sfidat pozitive të ungjillëzimit
të ri, por edhe për t’iu kundërvënë forcave përçarëse brenda Kishës, që krijojnë
jo pak pengesa për misionin e saj në vend. Duke kujtuar thirrjen e tij gjatë vizitës
në SHBA, më 2008, Papa theksoi se i vlerëson përpjekjet për inkurajimin e besimtarëve
në nivel individual e kishtar, për të ecur përpara së bashku e për t’i përballuar
urgjencat e sotme, duke folur me një zë të vetëm. Në vijim Ati i Shenjtë porositi
që në gjirin e Kishës të krijohet gjithnjë fryma e miqësisë, e bashkëpunimit dhe e
besimit ndërmjet ipeshkvijve e meshtarëve, për të qenë sa më pranë njerëzve e për
ta ndjekur sa me besnikërisht Krishtin, duke i mishëruar në jetë, këshillat ungjillore. Benedikti
XVI u shprehu mirënjohjen e tij të thellë shumë grave të përkushtuara, për shembullin
e tyre të besnikërisë e të vetëmohimit në gji të Kishës, duke u kërkuar të vijojnë
ta mbështesin me lutjen e tyre, që impenjimi i saj të sjellë fryte të begata shpirtërore
për gjallërimin e të gjitha bashkësive, me frymën e besnikërisë ndaj Krishtit e Kishës
së Tij Koha jonë ka nevojë urgjente për njerëz, që e dëshmojnë me jetën e tyre
pushtetin e Ungjillit, dinjitetin dhe bukurinë e jetës së kushtuar, shtoi Papa, e
në vijim i ftoi ipeshkvijtë t’i nxisin thirrjet rregulltare, ta fuqizojnë komunikimin
e bashkëpunimin, posaçërisht përmes delegatëve të çdo dioqezi. Urimi i fundit
i Papës ishte që “Viti i Fesë”, i cili do të hapet tetorin e ardhshëm, me rastin e
50-vjetorit të Koncilit II të Vatikanit, të rizgjojë dëshirën e gjithë bashkësisë
katolike amerikane, për të ripërvetësuar me gëzim e mirënjohje, thesarin e paçmuar
të fesë sonë katolike.
“Me ligështimin progresiv të vlerave tradicionale
të krishtera dhe kërcënimin e një stine, në të cilën besnikëria jonë ndaj Ungjillit
mund të na kushtojë shtrenjt, e vërteta e Krishtit, nënvizoi me forcë Papa, jo vetëm
duhet kuptuar, duhet thelluar e duhet mbrojtur, por edhe duhet propozuar me gëzim
e besim si çelës i realizimit të vërtetë të njeriut e i mirëqenies së shoqërisë,
në tërësinë e saj. Së fundi, një falënderim Zotit për shenjat e gjallërisë e të
shpresës së re në Kishën amerikane, që kryen misionin delikat të udhëheqjes së Kishës
Katolike në unitet, vërtetësi e bamirësi, përballë sfidave të së ardhmes.