Më 17 maj kalendari Kishtar përkujton Shën Pashk Bajlonin, rregulltar françeskan.
Ndër shqiptarë emri i Shenjtit ka marrë trajtat Pashk, Pashko, Pashuk, Shuk, Paç e
Paskal, ndërsa ndër vajza, Pashkë e Paskualina. Një përkim i posaçëm bashkon ditën
e lindjes e të vdekjes së Shën Pashkut Bajloni, që njihet si Pajtor i shoqatave eukaristike:
lindi ditën e Rrëshajëve të vitit 1540 në Torre Hermosa të Spanjës e vdiq në afërsi
të Valencies, në Villa Real, ditën e Rrëshajëve të vitit 1592. Ky frat i përvujtë,
i cili nuk e ndjeu veten të denjë për t’u shuguruar meshtar, ishte vërtetë bir i Rrëshajëve,
që do të thotë, i pajisur nga Shpirti Shenjt me dhurata të shumta, ndërmjet të cilave,
dhantia e dijes së frymëzuar nga qielli. Pashk Bajloni ishte i pashkollë. Vitet
e jetës rregulltare i kaloi duke kryer shërbimin e portierit. E megjithatë konsiderohet
si “Teologu i Eukaristisë”, e jo vetëm për fjalimet që u mbajti kalvinistëve të Francës
mbi Eukaristinë, gjatë udhëtimit të tij në Paris, por edhe për shkrimet që i la trashëgim
Kishës.