2012-05-17 15:55:27

Kardinali Koch në Universitetin “Angelicum”: antisemitizmi, tradhëti kundër fesë së krishterë


“Reflektim mbi Deklaratën “Nostra Aetate”: 50 vjet dialog kristiano-hebre”: ky është titulli i leksionit, që mbajti në Universitetin Papnor të Shën Tomës së Akuinit, kardinali Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të krishterëve dhe të Komisionit të Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet Fetare me Hebraizmin.
Prelati theksoi se “Nostra Aetate” është akoma dokument themelor për dialogun ndërmjet Kishës Katolike dhe hebrenjve. Duke përmendur Luftën II Botërore, kardinali Koh denoncoi se të krishterët kanë qenë “si autorë të krimeve, ashtu edhe viktima”. Masat qenë sigurisht spektatore pasive, që i mbyllnin sytë para tmerreve naziste. Pas konfliktit, nënvizoi kardinali, qe e nevojshme një përpjekje e përbashkët për t’i ripërkufizuar teologjikisht marrëdhëniet ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve.
Por edhe linja e re, e përvijuar nga Koncili II i Vatikanit, u vu vazhdimisht në provë, pasi antisemitizmi është i vështirë të çrrënjoset, edhe në botën e sotme e madje, edhe për disa teologë të krishterë. Kisha Katolike, vazhdoi kardinali Kurt Koh, është e detyruar të denoncojë gjithnjë se antihebraizmi është tradhëti kundër vetë fesë së krishterë. Kontribut të madh në këtë drejtim kanë dhënë i Lumi Gjon Pali II dhe Papa Benedikti XVI, siç vëren vetë kardinali në mikrofonin tonë:
Gjon Pali II qe papa i parë, që vizitoi një sinagogë, vizitoi Aushvicin, shkoi në Murin e Lotëve në Jeruzalem, u takua me kryerabinë të ndryshëm. Të njëjtën gjë po bën edhe Benedikti XVI, i cili gjatë shtatë vjetëve të papnisë, ka përshkuar etapat e Gjon Palit II. Vërtet, Benedikti XVI vizitoi për herë të parë një sinagogë, vetëm pak kohë pas fillimit të papnisë, në Gjermani, në vitin 2005. Pastaj, ka qenë në sinagogat e SHBA-ve. Është papa që ka vizituar numrin më të madh të sinagogave e natyrisht, kjo dëshmon se e ka shumë për zemër pajtimin ndërmjet hebrenjve dhe të krishterëve.
Në Universitetin “Angelicum”, qe i pranishëm edhe rabini Jack Bemporand, drejtor i Qendrës “Gjon Pali II” për dialogun ndërfetar. Ja reflektimi i tij mbi lutjen e së Premtes së Madhe, formulimi i së cilës shkaktoi reagime si nga ana hebraike, ashtu edhe nga ana e disa katolikëve:
Besoj se kardinali ka qenë shumë i qartë, sidomos për kuptimin e lutjes të së Premtes së Madhe. Do të ishte problematike nëse ajo do të kuptohej si përpjekje më e madhe për kthimin e hebrenjve në krishterim, por kardinali e sqaroi shumë mirë këtë, duke saktësuar se nuk është ky, qëllimi i Kishës Katolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.