2012-05-16 16:11:02

“Migramed 2012”, kuvend i Karitaseve të Mesdheut në Kaliari të Italisë


Pikërisht sot, në Kaliari të Italisë, filloi “Migramed 2012: dialog ndërmjet brigjeve”, kuvendi i tretë ndërkombëtar i Karitaseve të Mesdheut. Tri ditë konfrontimi mbi strategjitë e përbashkëta, duke pasur parasysh pasojat e “Pranverës arabe” në Afrikën e Veriut dhe në Lindjen e Mesme dhe rolin e Evropës në krizë, në mikpritjen e emigrantëve. Ishte i ftuar edhe Karitasi i Shqipërisë, por nuk mundi të marrë pjesë. Të dëgjojmë përgjegjësin e Zyrës së Emigracionit të Karitasit Italian, Oliviero Forti:RealAudioMP3
Nga njëra anë, kemi lëvizjet e Afrikës së Veriut e të Lindjes së Mesme, që kanë shkaktuar ardhjen e emigrantëve në brigjet italiane. Ne garantojmë 3 mijë vende për ata, që kanë ardhur nga Libia deri në gushtin e vitit të kaluar. Nga ana tjetër, është e qartë se Italia po kalon krizë, gjë që nuk duhet nënvleftësuar kur u kërkojmë punë emigrantëve, të cilët janë larguar nga vendi i tyre jo vetëm për shkak të luftës, por edhe për arsye ekonomike. Integrimi i tyre sot, paraqet vështirësi, që nuk i kishim disa vjet më parë.
Kaliari nuk është zgjedhur më kot si vend për kuvendin “Migramed 2012”. Karitasit lokal iu desh të bëjë përpjekje të jashtëzakonshme për të pritur sidomos refugjatët, që mbërrinin vitin e kaluar nga Libia…
Sigurisht. Ky është takimi i tretë i Migramed. I pari është zhvilluar në Sicili, i dyti, për shkak të emergjencës së vitit të kaluar, u mbajt në Romë. Sivjet, në Kaliari, marrin pjesë të gjitha vendet e Mesdheut, nga Maroku në Liban, e pastaj, Greqia, Spanja, Franca… Të gjithë kemi nevojë të kuptojmë ç’po ndodh, cilat janë perspektivat afatmesme e afatgjata. Kemi lajme se shumë njerëz janë mbledhur në Libi, gati për t’u nisur drejt brigjeve tona. Vitin e kaluar, nga Libia kanë ardhur 25 mijë vetë, të cilëve u duhen shtuar edhe mëse 20 mijë tunizianë. E akoma vazhdojnë zbarkimet. Nuk është vetëm problem ekonomik. Këtyre njerëzve u duhet garantuar një status i qartë juridik, u duhet dhënë leja e qëndrimit. Kështu, mund të dalin nga qendrat e mikpritjes, të cilat i kushtojnë shumë shtetit, e të fillojnë procesin e integrimit. Natyrisht, të kontrolluar.








All the contents on this site are copyrighted ©.