2012-05-16 16:10:47

Papa Karitasit Ndërkombëtar: struktura e re do t’ju bëjë më të fortë. Kardinali Maradiaga për impenjimin në favor të grave emigrante


Gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, Papa përshëndeti kryetarin e Karitasit Ndërkombëtar, kardinalin Oskar Rodriges Maradiaga, i pranishëm në Sheshin para Bazilikës së Vatikanit së bashku me komitetin ekzekutiv të organizmit bamirës kishtar. “Prania juaj – u tha Benedikti XVI – shpreh bashkimin me Pasardhësin e Shën Pjetrit dhe gatishmërinë për të pranuar azhurnimin juridik të organizmit”, me statutet dhe rregulloren e re, të ditëve të kaluara. Ati i Shenjtë e falenderoi Karitasin Ndërkombëtar, i sigurtë se do të vazhdojë punën në shërbim të më nevojtarëve, kudo në botë. Ndërkaq, dje, pikërisht me iniciativë të këtij organizmi, në bashkëpunim me ambasadën amerikane pranë Vatikanit, u hap ekspozita fotografike “Gra në rrezik, imazhe nga Nepali”, e cila ka për qëllim denoncimin e trafikut të vajzave e të grave të vendit aziatik. Të dëgjojmë si impenjohet Karitasi në këtë fushë, nga intervista me kardinalin Oskar Rodriges Maradiaga:RealAudioMP3
Varfëria nuk ia humb dinjitetin njeriut. Shpesh, me të varfërit abuzohet për shkak të nevojave të tyre materiale, por ata vetë nuk duhet ta humbasin kurrë këtë horizont: të jenë njerëz me dinjitet e askush të mos i shpërdorojë!
Trafiku i njerëzve e ka bazën në interesa të fuqishme…
Sigurisht. Sa herë shfrytëzohen gratë për prostitucion, sa herë gënjehen… U premtohet punë, për t’i zhytur më pas në skllavërinë më të poshtër, pasi u nënshtrohen kushteve të padenja e pësojnë abuzime seksuale. Sidomos në një kulturë ku nëna është qendra e familjes, kjo i lëndon të gjithë.
Sot, jetojmë në një periudhë krize ekonomike, që i bën njerëzit të jenë dorështrënguar me emigrantët…
Po… e të mendojmë se edhe Virgjëra Mari qe emigrante së bashku me Zotin tonë Jezu Krishtin e me Shën Jozefin! Kur kemi fe të krishterë e dimë se duhet t’i ndihmojmë të gjithë emigrantët, që janë vëllezër, motra e jo armiq. Nuk janë njerëz, që vijnë të na vjedhin punën, por marrin rrugën për të kërkuar dinjitet. Duhet t'i bëjmë njerëzit më të vetëdijshëm për këtë. Zoti na kërkon të kontribuojmë në zgjidhjen e këtij problemi.








All the contents on this site are copyrighted ©.