2012-05-15 14:47:17

Të krishterët në Lindjen e Mesme: intervistë me atë Samir Khalil Samir


Prej kohësh flitet për gjendjen e bashkësive të krishtera në Lindjen e Mesme, një nga popullsitë më autoktone të zonës, gjithnjë në shënjestër të terrorizmit, dhjetuar për shkak të gjendjes së vështirë, konflikteve e luftrave. Kisha Katolike kërkon gjithnjë t’u krijohen atyre kushtet e nevojshme për të jetuar në paqe e për ta dëshmuar si duhet Krishtin, pikërisht pranë Vendeve të Shenjta, ku Ai kumtoi Ungjillin e Atit Qiellor, ku jetoi, vdiq e u ringjall për shëlbimin e të gjithë njerëzve. Pavarësisht se numri i të krishterëve në Tokën e Shenjtë është zvogëluar nga viti në vit, misioni i tyre për ungjillëzimin, dialogun e paqen nuk ka ndryshuar, siç thotë në mikrofonin tonë islamologu jezuit, atë Samir Khalil Samir, profesor në Institutin Papnor Oriental të Romës dhe në Universitetin e Shën Jozefit të Bejrutit:
Si të krishterë lindorë kemi një mision përsa u përket myslimanëve dhe popullit tonë: të përçojmë vlerat e vlefshme të Perëndimit, jo shekullarizimin, por vlerën e të drejtave të njeriut, të lirisë fetare, të respektit për tjetrin, edhe kur ai është kundër parimeve tona, të punojmë për projekte të përbashkëta politike, të mësojmë së bashku demokracinë, lirinë. Kjo në Lindje. Përsa i përket Perëndimit, ai duhet të kuptojë se humbja e vlerës së shenjtërisë dhe të fesë, e natyrshme në Lindje, është vërtet humbje e madhe.
Të krishterët e Lindjes jetojnë së bashku me popullsitë myslimane. Sa e dobishme mund të jetë përvoja e tyre në marrëdhëniet me Islamin?
Të krishterët e kanë për detyrë t’u kumtojnë Ungjillin të gjitha krijesave. Fqinji yt, sot për sot, mund të jetë i krishterë, ateist, ose mysliman: në Perëndim jetojnë tashmë 15 milion myslimanë e numri rritet nga dita në ditë. Ç’po bëjmë për t’u zbuluar atyre bukurinë e Ungjillit, jo për proselitizëm, por për t’u thënë “Ungjilli është edhe për ty, të përket”? Mendoj se ne, të krishterët lindorë, mund ta ndihmojmë Perëndimin të zhvillojë një katekizëm të përshtatshëm për mendësinë, kulturën e përshpirtërinë e myslimanëve.
Cili është roli i të krishterëve në zonat e konfliktit, në Lindjen e Mesme?
Nëse marrim rastin e Sirisë, të krishterët janë të vetmit, që mund të ndërmjetësojnë, mund të thonë se qëndrimi autoritar i qeverisë, që dëshiron të imponohet, është i papranueshëm, jo thjesht sepse vjen nga qeveria, por sepse nuk mund të pranohet nga pikpamja njerëzore. Të krishterët mund t’u tregojnë myslimanëve se nuk është kjo, shoqëria, që i duhet Sirisë. Gabimi fillestar i qeverisë ishte mospranimi i çdo lloj reforme, pastaj premtimi se do t’i bënte, pa i bërë, duke i shtyrë gjithnjë e më vonë. Ndërsa, gabimi i opozitës ishte çkurajimi kaq i madh nga qëndrimi i qeverisë, sa të kalonte në luftën e armatosur.
Si e jetojnë të krishterët konfliktin në Siri?
Të krishterët janë për më tepër liri, demokraci, dinjitet e shprehen në favor të lëvizjes popullore. Nuk kemi ndonjë plan politik për të marrë pushtetin: e dimë se nuk do ta kemi kurrë në dorë. E jemi të vetmit, sepse alauitët, që janë gjithashtu pakicë, e kanë pushtetin, ndërsa sunitët duan t’ua marrin. Ne të krishterët jemi në dialog me të gjitha palët, prandaj duhet të kemi një rol më aktiv. Shpresoj në ndihmën e Kombeve të Bashkuara, me kusht që të mos jetë ndihmë ushtarake, por vetëm ndërmjetësim.







All the contents on this site are copyrighted ©.