2012-05-15 14:42:53

Një mendim për Virgjërën Mari, në muajin maj: Kulti marian


Kisha e Romës, ashtu si Kishat lindore, e zhvilloi kultin për Marinë, si në liturgji, ashtu edhe në devocionin privat. E kjo, sepse Kisha i fton të gjithë besimtarët ta shikojnë Marinë si model e të përpiqen t’i përngjajnë.
Në këndvështrimin teologjik, vepra e Saj si ndërmjetësuese e njeriut pranë Hyjit, shpjegohet me detyrën, të cilën e mori nga Krishti në kryq, kur Zoti ia dhuroi Nënën e vet të gjithë njerëzvre, që kështu të ndjehen më pranë Tij. Posaçërisht, pas të Ngjiturit të Krishtit në qiell, rreth Marisë u mblodh e gjithë bashkësia e krishterë në fasha. E ajo e ndihmoi të përballonte sfidat e mëdha e të kapërcente çdo mosmarrëveshje, në sa bënte hapat e para, aspak të lehta, në fillesat e krishterimit. Kulti i Virgjërës Mari vijoi të ndiqej gjithnjë më shumë nga besimtarët, për të arritur në njërin nga kulmet, pas Koncilit të Efezit (431) që e njohu zyrtarisht si “Nënë e Zotit”.
Në nxitjen apostolike ‘Marialis Cultus’, Papa Pali VI porositi që Kulti i Marisë të mbështetet sa më shumë në Shkrimin Shenjt, të vendoset në ciklin vjetor të liturgjive kishtare, të ketë frymë ekumenike, si ndërmjetësim për bashkimin e të krishterëve. Pali VI i porositi besimtarët ta shikojnë Virgjërën Mari si model. Dha udhëzime edhe për Rruzaren, një nga lutjet kryesore, përmes të cilave Kisha shpreh devocionin e vet për Marinë.Për Rruzaren foli më pas edhe Papa Gjon Pali II, në letrën apostolike Rosarium Virginis Mariae të vitit 2002. Papa Vojtila i shtoi mistereve tradicionale të gazmendit, të mundimeve e të lumnisë, pesë misteret e dritës, që kanë të bëjnë me jetën publike të Jezusit (Pagëzimi, Dasma e Kanës, Predikimi i Mbretërisë së qiellit, Shndërrimi, themelimi i Eukaristisë). Sipas porosisë së Gjon Palit II, në vitin 1986 u botua edhe një meshar i ri, që përmban meshë të veçanta kushtuar Virgjërës Mari.







All the contents on this site are copyrighted ©.