2012-05-14 06:50:21

Papa në përfundim të koncertit ofruar nga Presidenti Napolitano: Në ty, o Zot, e mbështes shpresën time!


Në përfundim të koncertit, ofruar nga Presidenti i Republikës Italiane, Xhorxho Napolitano, me rastin e 7-vjetorit të papnisë së Benediktit XVI, dhënë mbrëmë nga Orkestra e Kori i Teatrit të Operas të Romës, në Sallën Pali VI në Vatikan, Papa u drejtoi një përshëndetje të shkurtër të pranishëmve, duke nisur nga Presidenti Napolitano dhe Zonja e tij e duke theksuar edhe një herë lidhjen miqësore ndërmjet Pasardhësit të Shën Pjetrit e Kombit të dashur italian. Përshëndetje nga ana e Papës edhe për Kryeministrin italian, Mario Monti dhe të gjithë autoritetet shtetërore. E, natyrisht, për Orkestrën dhe Korin e teatrit të Operas të Romës, për të gjithë artistët e, sidomos, për Mjeshtrin Rikardo Muti, i cili interpretoi edhe një herë me mjeshtri të rrallë, një repertor që shpreh në muzikë, fenë e Kishës.
Më pas Papa foli për muzikantin e madh venecian, Antonio Vivaldi, që njihet nga të gjithë, të paktën për “Katër Stinët”. Ndërsa mbetet ende pak e njohur krijimtaria e tij kishtare, që zë një vend të rëndësishëm në veprën e tij e që ka vlerë të jashtëzakonshme, posaçërisht, sepse mishëron në tinguj, fenë e mjeshtrit të madh.
“Magnificat, që dëgjuam, vijoi Papa, është kënga e lavdërimit e Marisë dhe e të gjithë njerëvze zemërbutë e të përvujtë, që pranojnë dhe kremtojnë me gëzim e mirënjohje veprimin e Zotit në jetën e tyre e në histori: të atij Zoti, që ka një stil krejt të ndryshëm nga ai i njeriut, sepse radhitet përkrah të mjeruarve, për t’u rikthyer shpresat e humbura”.
E muzika e Vivaldit e shprehu më së miri lavdin, ngazëllimin, falënderimin e edhe mahnitjen përballë veprës së Zotit, me një pasuri të jashtëzakonshme ndjenjash: nga unisoni koral në fillim, përmes të cilit mbarë Kisha madhëron Zotin, tek tingujt gazmorë “Et exultavit” e tek çasti mrekullisht i bukur koral i “Et misericordia”, mbi të cilin kompozitori ndalet, duke krijuar harmoni të guximshme, të pasura me modulime të papritura, për të na ftuar të meditojmë për mëshirën e Zotit, që është besnike e shtrihet mbi të gjitha breznitë.
Pastaj Ati i Shenjtë foli edhe për dy pjesët muzikore kishtare të Xhuzepe Verdit, që sollën në koncert një atmosferë krejt tjetër nga ajo e muzikës së Vivaldit. Tingujt i çuan shikuesit tek këmbët e Kryqit, me “Stabat Mater dolorosa”. Shprehën dhimbshëm dramën e Virgjërës, që shikon të Birin të mbërthyer mbi kryq. Muzika, sqaroi Papa, bëhet themelore, gati-gati i pushton fjalët, për të shprehur në mënyrë sa më tronditëse përmbajtjen. E Benedikti XVI, njohës i madh i muzikës, vijoi të komentonte muzikën e Verdit, nga tingujt e parë, tek sekuenca dramatike “Për mëkatet e të vetëve” e tek pëshpëritja muzikore, që lajmëron se Krishti dha shpirtin në duart e Atit. Pastaj fjalët e veshura me tinguj drejtuar Marisë “Burim i dashurisë”:
“.. që të mund të marrim pjesë në dhimbjen e saj amëtare e zemra jonë të ndizet nga dashuria për Krishtin, deri te strofa e fundme. Lutje e thellë dhe e fuqishme, drejtuar Zotit, që t’i jepet me gjithë shpirt lumni Parajsës, ku dëshiron të arrijë çdo njeri”.
Papa komentoi edhe ‘Te Deum’, një vazhdimësi kontrastesh muzikore, që hapi në sallë Mbretërinë e Qiellit. Pastaj, thirrjen drejtuar Zotit, që të ketë mëshirë e së fundi, klithmën e njeriut që beson, që shpreson në Zotin “In te, Domine, speravit”, me të cilën mbyllet kjo pjesë, gati-gati si thirrje e vetë Verdit drejtuar Zotit për shpresë e dritë, në çastet e fundme të jetës së tij.
Në përfundim Papa kujtoi se kompozitori nuk i shkroi këto dy pjesë për t’i botuar. I shkroi për vete, madje deshi të varrosej së bashku me partiturën e ‘Te Deum’.
“Të dashur miq, uroj që sonte të mund t’i përsërisim Zotit, me fe: ‘Në ty, o Zot, e mbështes shpresën time’; premto të të dua, si të deshi Nëna jote, që shpirti im, në fund të shtegtimit, të gëzojë lumninë e Parrizit”.
E fjalët e fundit të Papës i bënë jehonë atyre të fillimit: ishin një falënderim i ngrohtë drejtuar Presidentit të Republikës Italiane, solistëve, kompleksit të Teatrit të Operas të Romës, Mjeshtrit Muti dhe të gjithë organizatorëve. Bekimi, në fund: “Zoti ju bekoftë me gjithë të dashurit!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.