2012-05-14 06:48:51

Papa Benedikti XVI në Areco të Italisë


Sot Papa Benedikti XVI ishte për vizitë baritore në qytetin italian të Arecos, në La Verna e në Sansepolkro. Me helikopter në Areco rreth orës 9.00, Ati i Shenjtë kremtoi meshën në orën 10.00, në parkun “Prato” të qytetit, e cila u ndoq nga Lutja Mbretëreshës Qiellore. Mëse 10 mijë besimtarë të ulur përbri katedrales së Arecos dhe mijëra të tjerë në këmbë e para ekraneve të mëdha, vendosur nga dioqeza, shprehën të gjithë gëzimin dhe entuziazmin e tyre për takimin me Papën, i cili i inkurajoi të kapërcejnë periudhën e vështirë të krizës, që po kalon vendi.
Pas vizitës private në katedralen e Shën Donatit, Benedikti XVI drekoi me ipeshkvijtë e Toskanës, në kryeipeshkvinë aretine ku, rreth orës 16.30, përshëndeti organizatorët e vizitës baritore.
Etapa e dytë e vizitës, e çoi Benediktin XVI në Shenjtëroren e La Vernës, ku Papa arriti rreth orës 17.00, për të vijuar, më pas, udhën drejt qytetit të Sansepolkros, ku në mbrëmje, në Sheshin ‘Torre di Berta’ të qytetit, Benedikti XVI u takua me vendasit, 500 vjet pas vizitës së fundit të një pape në këtë vend. Qyteti kremton njëmijë vjetorin e themelimit. Qëllimi i dioqezës, për t’i dhuruar Papës “atmosferën e hirit të një Kishe, që vjen në ditët tona nga e kaluara, nga bashkësitë e para të krishtera”, siç pati thënë kryeipeshkvi, imzot Rikardo Fontana, u realizua katërcipërisht.







All the contents on this site are copyrighted ©.