2012-05-14 06:49:09

Në Vatikan, konferencë kundër trafikut të njerëzve. Komenti i zëdhënësit të Selisë së Shenjtë


Javës që kaloi, u zhvillua në Vatikan një konferencë ndërkombëtare për të diskutuar mbi trafikun e njerëzve. Në takimin e organizuar nga Këshilli Papnor i Drejtësisë dhe Paqes dhe nga Konferenca Ipeshkvnore Katolike e Anglisë dhe Uellsit, në prag të Olimpiadës së Londrës 2012, morën pjesë delegatë nga e gjithë bota. E pranishme, edhe një viktimë e trafikut të prostitucionit, dëshmia e së cilës u preku zemrat të gjithëve. Edhe Olimpiada është rasti për t’iu kundërvënë prirjes së konsoliduar, që dëshmon për rritjen e shfrytëzimit të prostitucionit gjatë ngjarjeve të mëdha sportive, denoncoi kryetari i Këshillit Papnor për Drejtësinë dhe Paqen, kardinali Peter Turkson. Tri, linjat kryesore të përcaktuara në konferencë: parandalimi, mbështetja baritore nga ana e Kishës dhe rehabilitimi i viktimave. Këtij takimi ia kushton editorialin e sotëm, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi:RealAudioMP3
“Trafiku i njerëzve. Ndër dramat e kësaj botës sonë, ky është një nga më të tmerrshmet. Si mund të arrihet në një degradim të tillë moral sa t’i konsiderosh të tjerët thjesht si objekte për t’u shfrytëzuar, për t’u skllavëruar e për t’u abuzuar sistematikisht me qëllim fitimi? Ky është mister. Zhduket jo vetëm çdo hije respekti për dinjitetin e tjetrit, por edhe çdo gjurmë sado e vogël ndjeshmërie njerëzore.
Thonë se për vëllimin e qarkullimit të parave, vetëm trafiku i armëve ia kalon atij të njerëzve. E teknologjitë e reja të komunikimit përdoren gjerësisht për ta favorizuar në nivelin ndërkombëtar. Prandaj, është vepër e mirë, ajo e Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, i cili organizoi një takim, ku Konferenca Ipeshkvnore Angleze vuri në dispozicion të një publiku më të gjerë se organizatat kishtare, përvojën e saj të impenjimit kundër kësaj plage të tmerrshme. Bashkëpunuan edhe institucionet publike të policisë e të luftës kundër krimit, të përfaqësuara si duhet në takim.
Dëshmia e një vajze, hedhur me mashtrim në rrugën e prostitucionit, i tronditi jo pak të pranishmit dhe konfirmoi – si në rastin e abuzimeve me të miturit – se impenjimi konkret i atyre, që duan vërtet ta çrrënjosin këtë të keqe, duhet të fillojë nga bashkëndarja personale dhe e thellë e vuajtjes së viktimave. Kontributi i besimtarëve është pikërisht rigjetja e udhëve për krijimin e atyre marrëdhënieve personale, që i japin dinjitet shpirtit të atyre trupave të dhunar. Për këtë kontribut kanë nevojë të jashtëzakonshme edhe forcat e policisë, që lufta e tyre të japë si rezultat lirimin dhe rilindjen e viktimave për një jetë të re. Rregulltaret janë në linjën e parë të frontit për këtë impenjim, sepse janë gra dhe të lira për të marrë përsipër rreziqet e mëdha të këtij shërbimi. Kisha duhet të verë në dispozicion përvojën e saj në humanitet e në shërim shpirtëror, si edhe duhet të jetë e pranishme në nivel ndërkombëtar për të bashkëpunuar me ata që luftojnë në betejat më të vështira kundër së keqes në botë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.