2012-05-14 06:49:23

Një mendim për Virgjërën Mari, në muajin maj: Emri i Shenjtnueshem i Marisë


Festa e Emrit të Shenjtnueshëm të Marisë nisi të kremtohej, me leje të Romës, në vitin 1513, në dioqezin spanjoll të Kuenkës. Papa Piu V e ndaloi këtë kremtim, që rifilloi nën Papninë e Sikstit V e, duke nisur nga viti 1671, u përhap edhe në vise të tjera. Me 12 shtator 1683, kur Gjon Sobieski me polakët e vet i shpartalloi turqit, që kishin rrethuar Vjenën, duke e kërcënuar keqas krishterimin, i Lumi Inoçenci XI e shtriu festën në mbarë Kishën universale, në shenjë falënderimi për ndërmjetësinë e Asaj, që e kishte emrin Mari. Si ditë festimi, u caktua 12 shtatori.
Në historinë e ekzegjezës, emri Mari shpjegohet në mënyra të ndryshme.
Disa rabinë, që e nxjerrin emrin Miriam nga rrënja MRR = ‘të jesh e hidhur’, mendojnë se Mari do të thotë Hidhërí. Nisen nga emri i Marisë, motrës së Mojsiut, së cilës iu ngjit ky emër, sepse pikërisht kur lindi, Faraoni nisi t’ua bënte hebrenjve jetën tejet të hidhur, duke ua mbytur fëmijët.
Ky shpjegim mund të pranohet edhe prej të krishterëve, duke menduar se Maria pati dhimbje e hidhërime, që i kalojnë caqet e zemrës njerëzore.
Por kemi edhe një shpjegim tjetër, duke u nisur nga fjala hebraishte MOREH- Mësuese e Zojë+YAM-det, pra mësuese e Zonjë e detit të këtij shekulli, të cilin Maria na ndihmon ta kapërcejmë, për të na prirë drejt qiellit.
Emri Mari shpjegohet prej hebraishtes edhe si “Vashë që resh nga qielli një shi hiresh”, sepse ajo vetë asht “shi hiresh”...
Cili prej këtyre shpjegimeve është më i vërteti? Ndoshta Provania na la në dyshim, sepse Emri i Marisë i ka të gjitha kuptimet mrekullisht prekëse, që i jep feja jonë. Duke nisur nga Zoja e Lume e Zoja e Bekuar, te Virgjëra Shenjte, Zonja e Papërlyer, Nëna e Shëlbuesit, Mbretëresha e Qiellit, Ylli i dritës e mbarë epitetet, që Kisha ia këndon në Litani.
E pamundur t’i kujtosh të gjithë titujt, me të cilët përshpirtëria popullore e nderon Nënën e Virgjër të Krishtit. Vetëm në Napoli të Italisë besimtarët i luten me 250 tituj. E të gjithë përmblidhen në një emën të vetëm: Mari!







All the contents on this site are copyrighted ©.