2012-05-14 17:40:05

Kardinali Betori: Papa në Toskanë ftoi t’u rikthehet shpresa të rinjve.


“Entuziazmi, që u pa nëpër rrugë e gjatë kremtimeve, flet qartë e tregon se njerëzit e duan Papën”. Pohimi është i kryeipeshkvit të Firences, kardinalit Gjuzepe Betori i cili, në përfundim të vizitës, skicoi bilancin e orëve, që kaloi Benedikti XVI në Toskanë, duke folur në emër të Kishës vendase. Ta dëgjojmë:

Përgjigje: - Siç e treguan turmat e mëdha, që e rrethuan, njerëzit e duan këtë Papë, dëshirojnë ta dëgjojnë, prej këndej, e kemi për detyrë t’i shprehim mirënjohjen për dhuratën, që na bëri, duke ardhur mes nesh.

Pyetje: - Ishte vizita e parë e Benediktit XVI në Toskanë, takim me banorët e kësaj toke të përmendur, por edhe me banorët e krahinave të tjera, duke pasur parasysh se shtegtarët e ardhur nga qytetet e tjera ishin të shumtë. Ç’vlerë mund të ketë kjo prani masive?

Përgjigje: - Mbi të gjitha, do të thosha se ky, nga ana e Papës, ishte rikthim në këto vise, që i ka për zemër që kur ishte i ri. Pastaj, prania e Papës mes nesh na krijoi edhe mundësinë për ta matur aftësinë e Kishës së sotme në dialog me njerëzit e Toskanës. Natyrisht edhe tek ne tashmë duken shenjat e përparimit të shekullarizmit. Por nuk mungon edhe interesi, miqësia e njerëzve, me Kishën. E kur turmat takohen me figura autoritare, si Papa, miqësia del në pah nga thellësia e ndërgjegjeve e bëhet një fakt tejet i dukshëm.

Pyetje: - Vizita pati karakter lokal, por thirrjet, pa dyshim, iu drejtuan mbarë kombit....

Përgjigje: - Do të thosha se ishte e pashmangshme që vështrimi mbi situatën e Toskanës, t’i hapte Papës një horizont më të gjërë mbi situatën në të gjithë vendin. E ishte e natyrshme që historia e humanizmit, me zanfillë në këto vise, ta nxiste Atin e Shenjtë të kujtonte se një herë e një kohë këtu, nga rrënjët e fesë, lulëzoi një qytetërim, që e vuri njeriun në qendër të vëmendjes. Prej këndej, edhe sot, të njëjtat rrënjë feje, mund të tërheqin përsëri vëmendjen në drejtim të personit, pa marrë parasysh çrregullimet e një progresi, që e lë mënjanë njeriun, për të rendur ethshëm drejt pikësynimeve të tjera. E nuk mund të mos vërejmë se, ndërmjet fjalëve, që Papa tha në Sansepolkro, ato që u duartrokitën stuhishëm, ishin fjalët kushtuar të rinjve: Ati i Shenjtë foli për guxim e përgjegjësi, u kujtoi të gjithëve se fjala, që flasim e dëshmia, që japim duhet të jenë mesazh shprese për breznitë e reja.

Pyetje: - Portreti, që i bëhet sot Italisë, si vend i larguar nga disa vlera, të cilat i shikon me sy të akullt, nuk i përgjigjet plotësisht së vërtetës; shpresa mbetet gjithnjë e gjallë e del edhe në sheshe, në raste të tilla, si ky i takimit me Papën....

Përgjigje: - Prania e gjithë asaj morie njerëzish, mënyra si iu përgjigj turma fragmenteve më themelore të fjalimeve të Papës, dashuria që shprehu për Atin e Shenjtë, flasin vetë e thonë se edhe ne, ashtu si Papa, ofrojmë fjalë e gjeste shprese, se jemi ende të aftë për ta ringjallur këtë shoqëri: shoqëri e plagosur, por jo e vdekur!

Pyetje: - “Pavarësisht nga koha e keqe, zemra jonë është plot me dritë e gëzim”, tha Benedikti XVI. E në se pati ndonjë çast, që e turbulloi sadopak gëzimin, ishte heqja dorë nga takimi i La Vernës....

Përgjigje: - Nga ndonjë shprehje, në dialogun me Atin e Shenjtë, mund të them se ky ishte takimi, që Papa e priste më shumë e, prej këndej, shpresojmë se do të rikthehet përsëri mes nesh.







All the contents on this site are copyrighted ©.