2012-05-11 16:10:18

Rigjindet varri i Shën Filipit Apostull. Rrëfimi mbi zbulimin në Hierapolis


Pak ditë më parë, Kisha kremtoi festën e Shën Filipit, njëri nga të Dymbëdhjetë Apostujt. Pak lajme kemi prej tij nga Ungjijtë e nga Veprat e Apostujve, ndërsa sipas burimeve të traditës, është ungjillëzues i Lindjes, posaçërisht, i Frigjisë, zonë që sot përkon me Turqinë. E pikërisht në Hierapolis, në Frigjinë jugore, Filipi duhet të ketë kaluar vitet e fundit, para se të vdiste, në vitin 80 pas Krishtit. Që prej 1500 vjetësh, reliket e tij pushojnë në paqe në Romë, megjithatë, për gjetjen e vendvarrosjes së parë të Apostullit, janë bërë kërkime të gjata, kurorëzuar me sukses verën e kaluar. Rolin kryesor në këto kërkime e luajti profesor Filippo D’Andria, drejtor i misionit shkencor arkeologjik në Hierapolis. Ta dëgjojmë, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Tradita e pranisë së Filipit Apostull në Hierapolis është shumë e lashtë. Nis që nga shekulli II, vetëm pak dhjetëvjeçarë pas vdekjes së tij. Jemi të sigurtë se në vitin 190 pas Krishtit tradita fliste për praninë së Apostullit, për kishën “Martyrion” dhe për varrin e tij në Hierapolis. Prej këndej i nisi kërkimet në terren, misioni arkeologjik italian, themeluar në vitin 1957 nga një ixhinier politeknik i Torinos, profesor Paolo Verzone. Ishte ai, që filloi kërkimet e, duke u thelluar në studimin e burimeve të shkruara, arriti në përfundimin se varri duhet të gjendej mbi një kodër të bukur, pikërisht jashtë mureve të qytetit Hierapolis, në gjirin e një peizazhi të jashtëzakonshëm, vërtet mahnitës. Mbi këtë kodër, kërkuesi torinez gjeti gjurmët e “Martyrion”, kishës, që duhet të ishte ndërtuar mbi vendin ku ruheshin reliket e martirit. Por kërkimet nuk çuan në gjetjen e varrit. Pas tij, drejtimin e misionit e mora unë. Ishte vitit 2000. Vijova kërkimet edhe me mjete teknologjike gjeofizike, për të vërtetuar në se në martyrion-in kushtuar Shën Filipit, kishte ndonjë vendvarrosje, posaçërisht, nën elter. Po nëntoka nuk më dha kurrfarë përgjigjeje.

Pyetje: - Atëherë nisët të mendonit se duhej kërkuar gjetiu...

Përgjigje: - Në të vërtetë ishte një vend tjetër. Gjithsesi në këto gjurmë u arrit pas punës sistematike, që bënë tipografët tanë, duke përdorur figurat satelitare, telerivelimin. Atëherë kuptuam se Kisha tetëkëndëshe Martyrion e Shën Filipit, ishte në qendër të një kompleksi më të madh monumental e, prej këndej, ramë në gjurmë të një ndërtese tjetër. Kuptuam se ishte edhe një kishë e dytë, pak më larg se ajo tetëkëndëshe, e mbuluar me një mal gurësh, që do të kishte trembur çdo kërkues e do ta kishte detyruar të hiqte menjëherë dorë nga gërmimet. Po ne e morëm vesh menjëherë se përgjigjja, që kërkonim, ishte aty, nën atë mal me gurë, siç janë shumë nga përgjigjet e panjohura, që kërkon historia në të katër anët tokës sonë, ruajtur me fanatizëm në gjirin e dheut. E kuptuam, sepse aty kishte shumë copa mermeri të skalitur, kishte shkrime, edhe mbi sipërfaqe. Nisëm kërkimet e, shumë shpejt, pamë, të mrekulluar, se aty ishte me të vërtetë një kishë e dytë, me tri navata, ndërtuar në shekullin V, por rreth një varri romak të shekullit I.

Pyetje: - Ishte ky zbulim, që ju bindi se ishit në rrugë të mbarë?

Përgjigje: - Po, duke vijuar gërmimet në gusht-shtator të vitit të kaluar, nxorrëm në dritë një kishë jashtëzakonisht të pasur, me mozaikë, mermere, shkrime. Por gjëja më mahnitëse ishte ajo që gjetëm në zonën e elterit. Zbuluam një elter tipik martiri, ndërtuar përmbi një gropë, ku duhet të ishte mbartur trupi i shenjtit, kur u ndërtua Kisha, për t’u vendosur, më pas, në varrin poshtë elterit.

Pyetje: - Nga kjo që keni zbuluar deri tani, ç’ide krijuat për jetën e kësaj bashkësie të parë të krishterë në Anatoli?

Përgjigje: - Ishte bashkësi plot gjallëri, shumë aktive. Ndërmjet tjerash, jemi në një zonë, ku diskutimi teologjik nisi shumë shpejt. Mendoni se pikërisht përballë nesh është Laoducea, një nga shtatë qytetet e Zbulesës së Shën Gjonit. Përballë është edhe mali i madh, mbi të cilin është ndërtuar qyteti i Kolosit, pikërisht ai i Letrës së Shën Palit drejtuar Kolosianëve. E mbi këtë mal, është një shpellë, në të cilën lindi kulti i Kryeengjëllit Mikel. Shumë tema të krishtërimit, pra, lindën pikërisht në këtë luginë të Lykos, në këtë zonë, mbi të cilën sundon qyteti Hierapolis, që jo rastësisht, njihet me emrin “Qyteti i shenjtë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.